Dorëzimi i mbetjeve të rrezikshme
Qeveria miraton sot rregullat

Dorëzimi i mbetjeve të rrezikshme<br />Qeveria miraton sot rregullat
TIRANE- Dorëzimi i mbetjeve të rrezikshme dhe dokumentimi i dorëzimit të tyre do të bëhet sipas disa rregullave të miratuara sot në mbledhjen e qeverisë. Këshilli i Ministrave miratoi sot propozimin e ministrit të Mjedisit rregullat e reja që parashikojnë, dokumentimin e dorëzimit të mbetjeve të rrezikshme në mënyrë profesionale, nga një person tek një tjetër brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave

MIRATIMI I RREGULLAVE PËR DORËZIMIN E MBETJEVE TË RREZIKSHME DHE TË DOKUMENTIT TË DORËZIMIT TË TYRE 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 26, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e rregullave për dorëzimin e mbetjeve të rrezikshme dhe të dokumentit të dorëzimit të tyre, në mënyrë profesionale, nga një person tek një tjetër brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
 
2. Mbetje të rrezikshme klasifikohen mbetjet e shënuara me shenjën yll, “*”, të miratuara me vendimin nr.99, datë 18.2.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Katalogut Shqiptar të Mbetjeve”.
 
3. Termat e përdorur në këtë vendim kanë kuptimin e dhënë në ligjin nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, në ligjin nr.118/2012, “Për transportin e mallrave të rrezikshme”, në ligjin nr.9108, datë 17.7.2003, “Për substancat dhe preparatet kimike”, në ligjin nr.9272,  datë 16.9.2004, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen evropiane “Për transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave të rrezikshme (ADR)” dhe protokollin e nënshkrimit”, Gjenevë, më 30 shtator 1957, me pjesët e saj përbërëse, anekset A dhe B, si dhe në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.99, datë 18.2.2005, “Për miratimin e Katalogut Shqiptar të Mbetjeve”, (në vijim “Katalogu i Mbetjeve”), ndërsa termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
 
a) “Dorëzues”, krijuesi i mbetjeve të rrezikshme, grumbulluesi, agjenti ose tregtari.
b) “Marrësi”, personi pritës i mbetjeve të rrezikshme i cili i merr në dorëzim mbetjet e rrezikshme nga transportuesi.
c) “Transportuesi”, subjekti, i cili transferon mbetjen e rrezikshme nga dorëzuesi tek marrësi në dorëzim.
 
4. Dorëzimi i mbetjeve të rrezikshme nga një person tek një person tjetër bëhet pas plotësimit të dokumentit të dorëzimit, sipas shtojcave 1 dhe 2, bashkëlidhur këtij vendimi. 
 
5. Dorëzuesi, transportuesi dhe marrësi i mbetjeve të rrezikshme janë persona, fizikë ose juridikë, të pajisur me lejen e mjedisit sipas fushës III.1, të shtojcës së ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, dhe me licencën III.2.B, të fushës III, të vendimit nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga/apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”.
 
6. Kur transporti i mbetjeve të rrezikshme kryhet nga transportues të licencuar për të tretë ose me qira, ai është i mbështetur mbi kontratën e transportit midis palëve, në të cilën përcaktohet detyrimisht personi përgjegjës për garantimin e mbërritjes në destinacion të mbetjeve të rrezikshme brenda afateve të përcaktuara në pikën 11, të këtij vendimi. Kur transporti i mbetjeve të rrezikshme kryhet me mjetet e vetë dorëzuesit apo të marrësit, kontrata mbi transportin nuk është e nevojshme.
 
7. Përpara largimit të mbetjes/mbetjeve të rrezikshme nga vendi ku gjenerohet/gjenerohen, dorëzuesi i saj/tyre plotëson dokumentin e dorëzimit në aq kopje sa janë personat që e nënshkruajnë atë.
 
8. Dokumenti i dorëzimit plotësohet dhe nënshkruhet nga dorëzuesi, transportuesi dhe marrësi i mbetjeve të rrezikshme.
 
9. Dorëzuesi, për çdo transfertë, u dërgon nga një kopje të dokumenteve të dorëzimit, të plotësuar dhe të nënshkruar nga palët, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave. 
 
10. Dorëzuesi plotëson të dhënat që kërkohen në pjesët “A”, “B” dhe “D”, të dokumentit të dorëzimit; transportuesi plotëson të dhënat që kërkohen në pjesën “C”, të këtij dokumenti, dhe marrësi plotëson ato që kërkohen në pjesën “E”, të dokumentit të dorëzimit. 
 
11. Transportuesi dorëzon mbetjet e rrezikshme tek marrësi brenda 72 orëve nga data e nisjes, sipas përcaktimit në pjesën “C/13”, të dokumentit të dorëzimit. 
 
12. Në rast se transportuesi është në pamundësi të respektimit të këtij afati, për shkaqe teknike të automjetit ose për shkaqe shëndetësore të drejtuesit të mjetit, ai njofton menjëherë dërguesin dhe marrësin e mbetjeve të rrezikshme në numrat e telefonit apo me mënyrat e komunikimit të parashikuara sipas shtojcës 1, bashkëlidhur, dhe merr masat për sigurimin e një transporti alternativ, në përmbushje të afatit kohor të përcaktuar në pikën 11, të këtij vendimi.
 
13. Marrësi në dorëzim, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së mbetjeve të rrezikshme, i dërgon dorëzuesit konfirmimin me shkrim për marrjen e mbetjeve dhe dokumentin e dorëzimit në dy kopje, të plotësuar dhe të nënshkruar nga personat e përcaktuar në pikën 8, të këtij vendimi.
 
14. Komunikimi ndërmjet personave që angazhohen në procesin e dorëzimit të mbetjeve të rrezikshme bëhet në formë shkresore ose në formë elektronike. Dokumenti i dorëzimit është i vlefshëm në formë elektronike vetëm nëse është plotësuar dhe nënshkruar nga personat e përcaktuar në pikën 8, të këtij vendimi.
 
15. Marrësi, në rastin kur refuzon të marrë në dorëzim, plotësisht apo pjesërisht, ngarkesën me mbetje të rrezikshme, informon me shkrim dërguesin për arsyet e refuzimit dhe plotëson pjesën “E/3”, të dokumentit të dorëzimit, duke specifikuar llojin e mbetjes së rrezikshme, kodin sipas Katalogut të Mbetjeve, sasinë dhe formën fizike të mbetjes/mbetjeve të rrezikshme që refuzohet, sipas specifikimeve të dhëna në pjesët “B/3” dhe “B/4”, të dokumentit të dorëzimit.
 
16. Transportuesi, në rastet kur marrësi refuzon plotësisht apo pjesërisht marrjen në dorëzim të ngarkesës, i kthen mbetjet e rrezikshme tek dorëzuesi brenda 72 orëve nga dita e refuzimit.
 
17. Dokumenti i dorëzimit të mbetjeve të rrezikshme shoqëron çdo dorëzim të këtyre mbetjeve deri në destinacionin përfundimtar dhe të dhënat regjistrohen në Regjistrin e Transfertave Individuale, që krijohet për këtë qëllim.
 
18. Agjencia Kombëtare e Mjedisit krijon Regjistrin Kombëtar të Transfertave të Mbetjeve të Rrezikshme.
 
19. Mënyra e administrimit dhe formati i Regjistrit të Transfertave Individuale dhe ai i Regjistrit Kombëtar të Transfertave miratohen me urdhër të ministrit.
 
20. Dokumenti i dorëzimit përmban kodin unik, i cili përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë e kodit unik miratohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, pas paraqitjes së kërkesës me shkrim nga dorëzuesi. Kërkesa shoqërohet me kopje të ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.
 
21. Agjencia Kombëtare e Mjedisit miraton pjesën e parë të kodit unik brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës.
 
22. Pjesa e parë e kodit unik është individuale dhe e papërsëritshme për çdo subjekt që transferon mbetje të rrezikshme. Pjesa e dytë e kodit unik vendoset nga vetë dorëzuesi dhe ndryshon për çdo transfertë. 
 
23. Përcaktimi i kodit unik bëhet sipas metodologjisë në shtojcën 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
 
24. Agjencia Kombëtare e Mjedisit krijon një bazë të dhënash për kodet unike, si pjesë të Regjistrit Kombëtar të Transfertave të Mbetjeve të Rrezikshme. 
 
25. Mospërmbushja e detyrimeve të përcaktuara në këtë vendim përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas përcaktimeve të nenit 62, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.
 
26. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria dhe opozita të bëjnë pakt për kërkesat e BE, jo pazar për lista apo amnisti penale

Spahiu: Qeveria dhe opozita të bëjnë pakt për kërkesat e BE, jo pazar për lista apo amnisti penale