Këshilli Bashkiak i Vlorës do të mblidhet në datë 22 shtator (ditë e hënë), në orën 10:00, për të diskutuar në lidhje me dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë, Ermal Dredha, dhe caktimin në krye të institucionit të 1 prej 3 nënkryetarëve.

Këta të fundit janë Elis Halili, Irena Toshkallari dhe Klea Lalo.

Data e Këshillit Bashkiak të Vlorës u caktua në mbledhjen e sotme të kryesisë së këshillit bashkiak.

Me shumë gjasa, nënkryetari që do të caktohet i komanduar në krye të Bashkisë së Vlorës është Elis Halili.

Kujtojmë se Halili u emërua në detyrë nga vetë Ermal Dredha, përpara se ky i fundit të firmoste dorëheqjen.

Ermal Dredha dha dorëheqjen nga detyra e kryebashkiakut të Vlorës më datë 10 shtator. Përpara dorëheqjes, ai emëroi nënkryetar Elis Halilin.

Halili vjen nga sektori privat, i punësuar në një kompani, dhe ndiqte projektet në qytetin e Vlorës. 

Ndërkohë, Ermal Dredha, i cili drejtonte Vlorën prej muajit korrik 2023, në letrën e dorëheqjes e argumentoi dorëzimin e detyrës si një akt reflektimi dhe përgjegjësie, dhe se po largohet me dinjitet për “t’i hapur rrugë energjive dhe ideve të reja”.