Edhe pse ka publikuar historinë e tij të vështirë të mësuesit në një fshat të thellë të Gramshit, Skerdilajd Murati nuk ka marrë asnjë reagim institucional. Ai tashmë ka dhënë dorëheqjen si mësues në shkollën e fshatit Gjerë. Por pas dhënjes së dorëheqjes mësuesi i ri ka zbuluar fakte të reja që kanë ndodhur me kontratën e tij gjatë këtij viti. Në fillim të 2017, Skerdilajd Murati ka nënshkruar një kontratë për zëvendësimin e një mësueseje me leje lindjeje deri në kthimin e saj në punë.

Ndërkohë që mësuesja nuk u kthye, kontrata bëhet nul nga drejtuesit e shkollës dhe Zyrës Arsimore Gramsh dhe i ofrohet një vend tjetër pune shumë më larg Poroçanit ku kishte punuar për disa muaj. Ai pranon të nënshkruajë këtë kontratë pune dhe shkon në fshatin e largët edhe pse kontrata e tij në fshatin Poroçan vazhdonte.

“Sic e dini edhe të gjithë rastin tim e bëra publik për vështirësitë që kisha në punë, unë kam dhënë dorëheqjen nga ajo punë. Unë kam në dorë një kontratë pune që më është lidhur në janar të 2017 në shkollën e mesme “Çezar Mesi” në Poroçan dhe në kontratë thuhet shumë qartë që kjo kontratë pune fillon më 19/1/2017 dhe përfundon në kthimin e mësueses Brunilda Zogu. Kjo nuk është zbatuar pasi në vendin tim nuk ka ardhur Brunilada Zogu po një mësuese tjetër.

Pas zbulimit të këtij fakti Report tv së bashku më mësuesin Skerdilajd Murati ka shkuar për të takuar Përgjegjësi i zyrës arsimore. Ai deklaron se Skerdi është zëvendësuar me një mësuese nga portali dhe se nënshkrimi i kontratës së dytë e bën nul të parën.

”Emërimet bëhen nga portali, në mungesë të portalit e kemi çuar të zëvendësojë një leje lindjeje. Në shtator nga portali sepse është emëruar një mësuese që ishte në portal ka pranuar të shkojë në Poroçan”.

Ndërkohë vetë Skerdilajdi bën të ditur veç këtij fakti për shkeljen e kontratës edhe një fakt tjetër. Sipas tij Zyra Arsimore Gramsh nuk i ka dhënë të drejtën as të zhvillimit të praktikë mësimore ndërkohë që ka informacione se janë pranuar edhe të tjerë me datat e më vonshme.

“Kjo kontratë ka vlerë juridike dhe nuk e kuptoj arsyen kush e ka anuluar, nuk më kanë kthyer askush përgjigje, as zyra juridike këtu, unë dua të drejtën time për tu punësuar, të drejtën time për të ushtruar edhe unë profesionin tim si mësues”.

Pak kohë më parë, Skerdilajd Murati denoncoi nëpërmjet medias vështirësitë që haste duke udhëtuar për 6 orë vajtje ardhje për në shkollën e fshatit Gjerë. Ndërsa dha dorëheqjen për shkak se e kishte të pamundur të shkonte çdo ditë atje, ai është në pritje të një vendi pune në kushte të pranueshme.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com