Nga seanca e parë e këtij sesioni parlamentar, Meta tha se nuk do të japë dorëheqjen pasi nuk ka qenë i përfshirë në asnjë aferë korruptive. Kryetari i Kuvendit sqaroi se kontrata me Clifford Chance është firmosur nga qeveria e Sali Berishës, dhe tha se Sait Dollapi, sot ende eksponent i PD-së, është firmëtar i marrëveshjes.
"Meqenëse u ngrit një shqetësim ose u përsërit një kërkesë këtu nga deputeti z. Berisha, por dhe nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, z. Paloka lidhur me një kërkesë të bërë më parë nga Kryetari i Partisë Demokratike, z. Basha, për një shkrim të bërë në një agjenci lajmesh, e cila i referohej një kompanie të kontraktuar nga qeveria aktuale, e cila është edhe baza kryesore e të besuarit të pretendimeve, e manipulimeve dhe e spekulimeve në atë shkrim. Kam vetëm një detyrim të thjeshtë.
Së pari t’i bëj të qartë opozitës se do të vazhdoj ta respektoj kërkesën e tyre për dorëheqjen time dhe do të kenë kohë edhe dy vjet për ta kërkuar këtë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Kuvendit. Së dyti, lidhur me faktin që kjo kompani është e kontraktuar nga qeveria aktuale, për këtë arsye pretendimet e bazuara mbi raportin e saj janë të besueshme, kisha një pyetje në rast se z. Sait Dollapi është anëtar i Asamblesë së Partisë Socialiste apo i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike?! Sepse këtu përpara kam një “Engagement Letter” dhe “Fee Agreement” midis “Clifford Chance”, që është kontraktuar nga CEZ-i dhe CEZ Shpërndarja e firmosur më 1 korrik 2013. Pra, kohë kur Kryeministër ishte i nderuari, deputeti z. Sali Berisha, pra është firmosur në Mynih më 1 korrik nga Tim Schreiber për “Clifford Chance” dhe nga z. Sait Dollapi për CEZ-in. Në rast se nuk e kujtojnë këtë kompani, mund të pyesin ish-Ministrin e Financave, sepse kjo kompani ka qenë kliente e kësaj qeverie edhe për shumë kontrata të tjera me Ministrinë e Financave dhe kjo është një çështje e tyre.
Njëkohësisht dua t’ju informoj se kompania në fjalë ka bërë një sqarim në dijeninë time, që nuk përmendet emri i z. Ilir Meta. Njëkohësisht mund t’ju bëj të ditur se Shqipëria ka pasur shumë ish-Kryeministra, të cilët unë nuk dëshiroj që t’i marr nëpër gojë, sikurse një pjesë e juaja më merr nëpër gojë mua dhe më paragjykon. Dhe kjo është e drejta juaj. Përsëri e respektoj këtë gjë dhe nuk e përjashtoj që dikush apo dhe ndonjë i afërt i tij dhe të ketë përfituar nga çështje të tilla. Por e përjashtoj në mënyrë kategorike që një person i implikuar të jetë ish-Kryeministri, Ilir Meta, dhe këtë ua them me bindje të plotë.
Njëkohësisht dua t’ju them se të gjithë e dinë se kush e ka emëruar ERE-n, kush e kontrollonte ERE-n dhe nëse ka dokumente të cilat provojnë se ministra të asaj kohe apo dhe më pas kanë kërkuar që të favorizohet CEZ-i në dëm të KESH-it. Ju siguroj se përsëri nuk mund të ishte dhe nuk mund të jetë Ilir Meta. Megjithatë ju keni të drejtën tuaj. Por ua përmenda këtë çështjen e kompanisë “Clifford Chance” vetëm për një arsye, meqë i besoni kaq shumë raportit të saj. Nuk është e panjohur për ju dhe për funksionarët tuaj. Është kompani e njohur, ju mund t’i drejtoheni. Në rast se ju besoni vërtetë se ajo ka paraqitur fakte të cilat implikojnë ish-Kryeministrin Ilir Meta nuk ka asnjë arsye pse ju të mos i çoni në Prokurori dhe Prokuroria të nisë një proces shembullor për Ilir Metën për çdo ish-Kryeministër apo ish-ministër, kushdo qoftë ai apo politikan që ka qenë i përfshirë", - u shpreh Meta.
(Dokumentet e marreveshjes së CEZ me DIA të firmosura nga Sahit Dollapi)
Por Partia Demokratike ka ripërsëritur në Kuvend kërkesën për dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit. Kreu i grupit Edi Paloka tha se Meta është vendosur nën akuzë dhe duhet të dorëhiqet për t’i hapur rrugën hetimeve. Edhe Berisha i kërkoi Metës të dorëhiqet, në mënyrë që të hetohet pa imunitet.
“Dy fjalë kryetar, bashkëkryetar i kësaj maxhorance, akuza për ty ka ardhur nga një studio avokatie që ka bashkëpunuar me avokaten e shtetit për të mbrojtur interesat e kësaj qeveri. Në rast se ju faktoni në prokurori se ato fjalë ja ka thënë Sahit Dollapi, le të marrë dënimin e merituar. Por të gjitha këto meritojnë lënien e imunitetit. Sepse akuzohet një njeri që paratë i ka ndarë me ty. CEZ-i, deklaron se ke shkuar si Ministër i Jashtëm dhe jo Ministër Ekonomie dhe ke negociuar për Ismailaj. Këto janë dokumentet neutrale. Kjo çështje kërkon hetim të padiskutueshëm. Ti çfarëdo që të kesh shko thuaji në prokurori. Ti ke akuza konkrete nga përfaqësuesi i kësaj qeverie, përfaqësuesi juaj. Kjo nuk mund të kalohet. Ka firmosur Sahit Dollapi për këtë? Shko thuaje në prokurori!”, -tha Berisha.
Pak ditë më parë, agjencia e lajmeve BIRN, botoi një shkrim ku shkruante se në gjyqin që CEZ ka me kompaninë IDA të mbledhjes së borxheve, ka dalë emri i Ilir Metës, si një person që ka përfituar para për të ndihmuar lidhjen e kontratës mes IDA-s dhe CEZ.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)