Megjithëse lajmi që shkrimtari Ismail Kadare ka paditur dy ditë më parë në Gjykatën e Tiranës zonjën Nexhmije Hoxha për dorëzimin e dorëshkrimit origjinal të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, Teuta Hoxha shprehet se nuk ka asnjë ftesë zyrtare për gjyqin e pritshëm sipas burimeve mediatike. Zonja Teuta, nusja e Ilirit, djalit të Enver Hoxhës, e cila jeton pranë së vjehrrës, zonjës Nexhmije Hoxha, pohon konkretisht se “Ne nuk kemi
pasur asnjë telefonatë nga Gjykata e Tiranës, asnjë trokitje në derë, as një letër thirrje”. Gjatë komunikimit të gazetës me zonjën Teuta Hoxha ajo rrëfen sesi është mësuar prej saj padia e Kadaresë nga mediat.
Kështu ajo këmbëngul se ky është “një rast i çuditshëm” se askush nuk “na ka çuar në familje” ndonjë thirrje për gjyqin. Pra, padia e shumëpërfolur ku shkrimtari Ismail Kdare në rolin e paditësit pretendon se dorëshkrimi origjinal i këtij libri mbahet në mënyrë të paligjshme nga e veja e diktatorit, megjithëse është bërë publik nga burimet zyrtare pranë Gjykatës së Tiranës, nuk i është komunikuar zonjës Nexhmije Hoxha.
Teuta Hoxha pohon se këtë padi vetë zonja Nexhmije Hoxha e ka marrrë vesh nga mediat, dhe nu ka si të flas para se “të mësoj se çfarë është shkruar nga paditësi Ismail Kadare”.
Zonja Hoxha çfarë mund të na thoni më tepër për padinë e ngritur nga Kadareja ndaj zonjës Nexhmije Hoxha?
Unë jam njohur me me akt-padinë nga faqet e shtypit. Vetëm nëpërmjet tyre kemi mësuar që Ismail Kadare ka bërë një padi në gjykatë. Pra, nuk jemi informuar as prej tij, as prej ndonjë burimi tjetër. Ndaj unë nuk mund të jap intervista me gjithë respektin që kam për gazetarët para se të jemi njohur zyrtarisht me përmbajtjen padisë. Pasi të mësojmë këtë përmbajtje dhe pretendimet e Kadaresë, ne sigurisht që do mbajmë qëndrimin tonë për këtë ngjarje.
Megjithatë, Kadareja e ka deklaruar më media thelbin e padisë, t’i kthehet dorëshkrimi, cilat kanë qenë bisedat paraprake për këtë çështje mes zonjës Hoxha dhe autorit?
As Kadareja personalisht vetë nuk na e ka komunikuar asnjëherë kërkesën e tij, nuk ia komunikuar anjërit prej nesh në familje.
Po ju vetë, çfarë qëndrimi mbani ndaj kësaj ndodhie me dorëshkrimin, cili është mendimi juaj?
Unë nuk mund të flas për këtë, derisa vetë zonja Nexhmije Hoxha ka folur vetë për këtë çështje të njohur kohë më parë. Nuk më takon mua.
Mediat e kanë detyrë të pasqyrojnë qëndrimin e të gjitha palëve në një çështje. Mund të na krijoni ju vetë mundësinë e një bisede për t’u sqaruar me zonjën Nexhmije Hoxha?
Ju thashë se zonja Nexhmije Hoxha do të flasë kur të jetë njohur me padinë. Unë ju siguroj se tek ne, në shtëpinë tonë nuk ka ardhur asnjë lloj padie zyrtare. Mua nuk më lejohet të flas më tepër sesi kanë rrjedhur ngjarjet me dorëshkrimin. Nuk më takon të flasë për këtë çështje, por zonja Nexhmije Hoxha do të flasë vetë kur të mësoj edhe tekstin e padisë. Kjo është një situatë absurde. Unë lexova në një gazetë se na ishte caktuar edhe data 14 gusht 2012 si datë gjyqi. Por ne nuk jemi njoftuar kurrsesi as për ndonjë datë as për subjektin e padisë. Nga gjykata e Tiranës nuk na është komunikuar asgjë. Nuk kemi si të flasim në emër të diçkaje të panjohur zyrtarisht nga pala jonë.
(r.d/shqiptarja.com)
Shkrimin e plotë u botua sot në Shqiptarja.com (varianti i printuar)