Dorëzimi i pasurive, 11 gabimet
që largojnë gjyqtarët nga detyra 

Dorëzimi i pasurive, 11 gabimet<br />që largojnë gjyqtarët nga detyra 
Pasaktësisë dhe gabimet më modeste, në plotësimin e deklaratës së pasurisë, do t’u kushtojnë prokurorëve dhe gjyqtarëve përjashtimin nga sistemi i drejtësisë. Një ditë pas udhëzimit për mënyrën dhe afatet e deklarimit të pasurive, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive u kërkon njerëzve të drejtësisë të zbatojnë me përpikëri modalitetet për plotësimin e deklaratës.

Kushti i parë ndëshkues është mosplotësimi i saktë dhe me vërtetësi i deklaratës së pasurisë, çka mund të passjellë shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, sipas ligjit të Vetingut. Përpos humbjes së funksionit, gjyqtarët dhe prokurorët që mashtrojnë me deklaratën e pasurisë ngarkohen edhe me përgjegjësi penale.

Po ashtu, subjektet paralajmërohen që të nënshkruajnë të gjitha faqet e deklaratës, në të kundërt deklarata do të kthehet dhe do të konsiderohet e padorëzuar në Inspektoratin e Lartë.

Gjithashtu, të gjithë subjektet e rivlerësimit dhe personat e lidhur (bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja dhe fëmijët në moshë madhore dhe çdo person të përmendur në certifikatën familjare), të cilët bëhen subjekte të këtij ligji dhe plotësojnë deklaratën e pasurisë, nuk mund të mbajnë dhe të deklarojnë gjendje në Cash jashtë sistemit bankar mbi shumën 1,5 (një presje pesë) milion lekë.

Depozitimi në institucionet bankare i gjendjeve Cash mbi vlerën 1,5 (një presje pesë) milion lekë, është i detyrueshëm përpara dorëzimit të deklaratës së interesave privatë në ILDKPKI.

Personi i lidhur me subjektin
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kujton edhe një herë rregullat për plotësimin e deklaratës nga personat e lidhur me gjyqtarët dhe prokurorët. “Personi i lidhur me subjektin e rivlerësimit, (bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmijët në moshë madhore dhe çdo person të përmendur në certifikatën familjare), i cili mbart detyrimin për deklarim të pasurisë në Inspektoratin e Lartë, plotëson formularin përkatës nga faqja 9-13 e këtij dokumenti.

Në çdo rast, personi i lidhur, është i detyruar të plotësojë faqen e parë të deklaratës, AUTORIZIMI ku deklaron nëse ka ose jo pasuri të regjistruara në emrin e tij. Formulari i plotë do të plotësohet vetëm në rastet kur personi i lidhur ka pasuri të regjistruar veçmas”, sqaron ILDKP.

Afati
Dokumenti zyrtar “Deklaratë e pasurisë” duhet të plotësohet nga subjekti i rivlerësimit, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Deklarimi përfshin pasurinë e subjektit të rivlerësimit dhe të familjes së tij (bashkëshortit/es dhe fëmijëve në moshë madhore dhe çdo person të përmendur në certifikatën familjare), bashkëjetuesit/es, burimet e krijimit dhe detyrimet financiare të subjektit, përfshirë interesat privatë që i ka në pronësi ose në përdorim.

Rregulla të tjera  
Kur pasuria e pjesëtarëve të familjes, bashkëjetuesit/es është e ndarë dhe e regjistruar si e tillë në organet e administratës shtetërore ose gjyqësore, deklarimi paraqitet veçmas nga çdo anëtar i familjes, bashkëjetuesit/es me pasuri të regjistruar në emër të vet dhe i bashkëlidhet deklaratës së personit që ka detyrimin për deklarim. Deklarata e Pasurisë plotësohet në mënyrë elektronike, por në çdo rast nënshkruhet me shkrim. Subjekti i rivlerësimit nuk legjitimohet të nënshkruajë deklaratën e pasurisë të personave të lidhur.

Përgjegjësia
“Përpos humbjes së funksionit, gjyqtarët dhe prokurorët që mashtrojnë me deklaratën e pasurisë ngarkohen edhe me përgjegjësi penale. Po ashtu, subjektet paralajmërohen që të plotësojnë të gjitha që të nënshkruajnë të gjitha faqet e deklaratës”.
 
Kushti
Të gjithë subjektet e rivlerësimit dhe personat e lidhur, të cilët bëhen subjekte të këtij ligji dhe plotësojnë deklaratën e pasurisë, nuk mund të mbajnë dhe të deklarojnë gjendje në Cash jashtë sistemit bankar mbi shumën 1,5 (një presje pesë) milion lekë.
 
Rregullat
Vërtetësia e të dhënave të deklaratës
Për çdo pasuri bashkëlidhet dokumentacioni ligjor justifikues
Afati 30 ditor për dorëzimin e deklaratës
Deklarimi i pasurive të afërmve
Deklarata plotësohet në mënyrë elektronike
Gjyqtari dhe prokurori nuk nënshkruan deklaratën e të afërmve
Nuk mund të mbahen cash më shumë 1,5 milionë lekë.
Të gjitha faqet e deklaratës duhet të nënshkruhen nga subjekti i rivlerësimit
Data e dorëzimit shënohet në faqen 1 të deklaratës
Dorëzimi i deklaratës së pasurisë duhet të bëhet vetëm nga vetë subjekti
Deklarata duhet të shoqërohet me certifikatën personale dhe familjare 
 
Kolonë
Deklarata e familjarëve të njerëzve të organeve të reja të drejtësisë
- Jam i informuar se jam një anëtar i afërt i familjes së një personi i/e cili/cila do të caktohet me detyrë në një post që duhet të ketë besimin e posaçëm të publikut. Jam i informuar dhe jam dakord që gjatë punësimit të tij/saj telefonat e mi celularë dhe adresat e mia të postës elektronike do t’i bëhen të ditura (deklarohen) Oficerit Përgjegjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Jam i informuar dhe dakord që numrat e mi të telefonit dhe adresat e mia të postës elektronike do t’i nënshtrohen vëzhgimit nga Oficeri Përgjegjës i Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku përfshihet leximi i e-maileve, mesazheve teksti dhe dëgjimi i bisedave.
 
- Jam i informuar dhe dakord për të deklaruar llogaritë e mia financiare si dhe për të deklaruar çdo llogari të re që mund të krijoj. Jam i informuar dhe jam dakord që këto llogari do të vëzhgohen nga Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave.
 
- Jam i informuar dhe dakord që nëse nuk i respektoj këto kushte, anëtari i afërt i familjes mund të përballet me masa disiplinore ndër të cilat mund të jetë ndërprerja e mandatit të tij/saj.
 
- Jam i informuar gjithashtu se informacioni i përftuar nga vëzhgimi mund të çojë në ndjekje penale, nëse ka prova për një vepër penale.
 
- Jam i informuar dhe bie dakord se këto kushte janë të rëndësishme dhe në përpjesëtim të drejtë me nevojën për të kryer hetime, ndjekje penale dhe gjykime çështjesh të rëndësishme pa u ndikuar nga ndërhyrjet korruptive.
 
- Jam i informuar dhe dakord se, nëse nuk jam më një anëtar i afërt i familjes së një personi i/e cili/cila do të caktohet me detyrë në një post që duhet të ketë besimin e posaçëm të publikut ashtu siç parashikohet nga ligji, atëherë do të jetë detyrim të informoj menjëherë Oficerin Përgjegjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave lidhur me këtë fakt si dhe të paraqes prova shkresore që vërtetojnë ndryshimin e këtij statusi. 

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Kishte krijuar kasafortë pas gardërobës për të fshehur shuma të mëdha lekësh, mjekut italian i sekuestrojnë 8 milionë euro    

Itali/ Kishte krijuar kasafortë pas gardërobës për të fshehur shuma të mëdha lekësh, mjekut italian i sekuestrojnë 8 milionë euro