Gjatë 24 orëve të fundit janë dorëzuar në të gjithë vendin 31 armë zjarri, 8900 fishekë,10 granata si dhe municione të tjera luftarake.

Dorëzimi vullnetar i armëve është duke vijuar në të gjithë Shqipërinë.

Njëkohësisht krahas këtij procesi të dorëzimit vullnetar të armëve nga banorët në të gjithë vendin, po zhvillohen edhe takime sensibilizuese me Kryetarët e Bashkive, Administratorët e Njësive Administrative si dhe Kryetarët e lagjeve dhe të fshatrave.

Ditën e djeshme ka nisur edhe fushata tjetër ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese, ajo e trokitjes derë më derë.

Kjo fushatë ka filluar në zonën e Lunxhërisë, ku Ministri i Punëve të Brendëshme, Saimir Tahiri dhe Drejtori i Policisië së Shtetit, Haki Çako i janë bashkuar studentëve të Universitetit "Eqerem Çabej" të Gjirokastrës.

Edhe në këtë nismë, Policia nuk është e vetme, por e mbështetur nga nxënësit dhe studentët, Pushteti Vendor e mbarë komuniteti.

Policia e Shtetit falënderon të gjithë banorët që kanë dorëzuar armët dhe municionet që mbanin pa leje, si dhe të gjithë ata që janë bërë pjesë e sensibilizimit të nismës "Shqipëria pa Armë".

Edhe një herë Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që disponojnë armë pa leje, t'i dorëzojnë ato brenda afatit që përcakton amnistia.

[gallery]20918[/gallery]

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com