Dorina Komani: Talenti
shqiptar i Norvegjisë

Dorina Komani: Talenti <br />shqiptar i Norvegjisë
Rruga e Dorina Komanit (ne foto) në muzikën pianistike ka nisur mes pasionit dhe surprizave. Gjatë rrëmujës dhe kaosit politik të '97-ës në Shqipëri, familja e Dorinës detyrohet të iki në Itali. Dorina ishte vetëm 8 vjeçe. Me një anije të xhaxhait të saj ajo, motra dhe prindërit përfunduan në një shtëpi pleqsh. Thotë se italianët u dhanë një hyrje të bukur në përdorim. Mbetëm të kënaqur. Dorinën e dërguan në shkollë. Sapo nisi studimet në violinë, mësuesja befasohet: "O Zot, sa e talentuar!". Talenti i Dorinës bëhet shkaku i organizimit të një edicioni për emisionin "I Fatti Vostri" tek RAI DUE që drejtohej nga Massimo Gileti. Gjatë qëndrimit në Romë mediat interesoheshin për vogëlushen që vinte nga Shqipëria. Me humorin që e karakterizon Dorina thotë se "familja ime po llastohej" falë tingujve të pianos. Ajo ka qenë fëmijë çapkën. "Edhe tani jam e hedhur", thotë me sytë plot gaz, ndërsa kur e sheh përtej në piano shfaqet me tjetër imazh. Ka hijeshi dhe klas në lojë. Ndërsa bëhet gati për koncertin, i mban krahët e mbuluar me një triko të hollë. Sapo ndahet nga kamera e një emisioni televiziv, ajo më tregon edhe një sekret profesional. "Nuk duhen zbuluar krahët e një pianisteje në një koncert", thotë duke qeshur dhe ne njohim shenjën e parë të karakterit të saj: absolutisht e çiltër. "Pse?" "PO të vëresh me vëmendje, kur luhet në piano dallohet sforcimi i muskujve. Kjo nuk shkon me muzikën". Vetë Dorina Komani është e zonja të vërë në dukje vetëm tinguj delikat e harmonik, ku as një e mijta e tyre nuk shkon dëm. Është ekspresive në lojë, skrupuloze, por jo e ftohtë. Dorina duket sikur bisedon me tingujt. Karakteri i një vajze dikur çapkëne i përsosur me durimin e talentin, mbrëmë gjatë koncertit transmetoi faktorin gjenetik të shpirtit të saj muzikor. Ky bashkim i muzikës me karakterin e saj e bën Dorinën më të preferuarën mes dhjetëra pianisteve të tjera në botë. Nga mënyra sesi luan nuk mundesh ta vëresh dot kurrë tek gishtat, por je duke besuar se ajo i lëviz tastierat e pianos me frymën e saj, si të ishte një fllad deti.

Shumë herë pianistet kanë një profil më klasik. Ju Dorina dukeni ndryshe, shpërthyese si karakter?
-Jam natyrë që kur jam në lëvizje mendoj se nuk ka gjë më të bukur. Nuk mendoj ndonjëherë nëse duhet të qetësohem ose të di të pushoj. Ky është fondamenti i karakterit tim: gjithmonë në vrapim.

Cili ishte motivi që iu çoi me studime në Oslo?
-Fill mbas vitit të katërt të liceut shkova në Olso të Norvegjisë për studime. Vija megjithatë shumë shpesh në Shqipëri. Nuk i shkëputa lidhjet. Takoja profesoreshën time të pianos Anita Tartarin, e cila është shefe e Katedrës në Akademi. Mbeta e lidhur me Shqipërinë, edhe pse nuk studiova këtu. Direkt pas liceut shkova të studioj në Akademinë e Muzikës në Oslo të Norvegjisë.

Si u ndjetë atje?
-Çdo gjë në fillimet e saj është e veçantë. Çdo gjë e re të tërheq por edhe të bën konfuze dhe kjo të sjell vështirësitë e para. Unë isha përballë aq shumë gjërave të reja dhe duhet të gjeja kohën për çfarë synoja të studioja dhe të ulesha në piano me orë të tëra. Viti i parë ishte shumë i vështirë.

Megjithatë ju ishit mësuar me suksese…
-Sukseset e para në Olso nisën me opinionet që dëgjoja. Të thoshin ua sa bukur që luajti dhe suksesi tjetër erdhi duke ardhur në koncertin më shumë veta dhe pastaj erdhën aq shumë veta sa unë duhet të merrja salla më të mëdha për koncertet e radhës. Pastaj nisi: një koncert atje, një këtu. Tani që thuhen duket sikur një vit i tërë kalon në një fjali, por s'ka qenë kështu për gjërat që përjetoja, emocione, punë, etj.

Ndërkohë kishit fituar disa kupa dhe trofe gjatë liceut artistik në Shqipëri?
-Po faktikisht kam marrë trofe gjatë kohës që studioja në Liceun Artistik në Tiranë. Aty m'u hapën dyert drejt Norvegjisë. Por çfarëdo dyersh që m'u hapën në Olso me koncerte dhe audicione, me shpërblimet që më jepen në të gjitha drejtimet, unë i kujtoj me mall trofetë që kam marr në Shqipëri. Në përgjithësi kanë qenë rezultat i një pune shumë të madhe, e ajo punë sot më hap çdo rrugë. Nuk harroj as mësueset e mia të përkushtuara Anika Gjikorecin dhe Anita Tartarin. Trofetë i fitova në konkurset pianistike ndërkombëtare në TIranë, ku më dhanë shumë çmime të para. Gjatë periudhës së liceut unë vijoja Master-klas me pianistë të shquar europianë, organizuar nga shoqata "Epta Albania" Association, me presidente Takuina Adamin, vajzën e të madhes Jorgjie Truja. Takuina më shoqëron në çdo sukses. Është me mua edhe sot.

Cili ka qenë vlerësimi më i fundit për interpretimin tuaj në piano?
Javën e fundit kisha provimin për mbylljen e Universitetit dhe një profesor danez që kur e dëgjuam në piano na ka lënë pa mend dhe pa fjalë, më drejtohet mua e më thotë: "Ka shumë pianistë të mirë, por ti nuk je vetëm pianiste. Ti më bën të këndoj, më bën të qaj, më bën të qesh. Ti mua më jep gjithçka që unë mund të them për artin. Në momentin që ti ulesh në piano, ajo je ti. Pas koncerteve zakonisht më thonë përshtypje të rralla. Unë i dëgjoj me vëmendje këto reagime ose fjalë, por nuk kjo gjë nuk ma jep dot qetësinë para nisjes së koncerteve. Jam shumë nervoze dhe gati më vjen për të vjell nga emocionet. Pas kësaj, kur gjithçka mbaron çlirohem. Them e bëra gjënë e duhur.

Po sot në Tiranë, si ndiheni?
-Si kudo. E pres me më shumë emocion dhe shqetësim sesa në Olso. Kam kuptuar se Shqipëri është një mund i madh për çdo gjë që mund të bësh. Por nuk e kam nga kjo. Kam frikë se mos jam larguar nga tradita, a do të më pëlqejnë si më parë, a do të më pranojnë me gjithë këto ndryshime të mëdha që kam bërë gjatë studimeve, koncerteve, çfarë do mendojnë për mua, çfarë presim. Megjithëse në datën 1 qershor kam koncert në Norvegji në një kishë, dhe nesër iki nuk mendoj gjë tjetër veç natës së sotme në Tiranë.

Në një kishë?
-Unë këtë punë kam. Koncerte jap në gjithë Olson, kudo që jam e ftuar. Është një kishë e madhe. Atje do të këndoj arie që nga Moxarti deri te Verdi. Pastaj do të nisem dy javë për turne në Veri të Norvegjisë në festivalet ku jam ftuar. Kam edhe provimet që do t'i shkruaj gjatë turneut.

Për koncertet e pafundme që jepni, merrni shpërblime emocionale apo edhe materiale?
-Të dyja. Kjo është gjëja me pozitive me Norvegjinë, sepse në çdo gjë, kudo që të luash paguhesh. Tani e them me kokën e lart që jam e pavarur (qesh). Kjo gjë prindërve të mi sikur nuk iu pëlqen, por ata janë mësuar tashmë edhe me surprizat e mia.
(Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Ushtria Izraelite godet objektivat e Hezbollahut në të gjithë Liban! E akuzon se fshihet pas sulmit me raketë në Lartësitë e Golanit 

Lufta/ Ushtria Izraelite godet objektivat e Hezbollahut në të gjithë Liban! E akuzon se fshihet pas sulmit me raketë në Lartësitë e Golanit