Doshi, Basha: Pas akuzave
Meta të japë dorëheqjen

Doshi, Basha: Pas akuzave<br />Meta të japë dorëheqjen
Pas përjashtimit dhe akuzave të Partisë Socialiste ndaj Tom Doshit, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë në një deklaratë për media.

Basha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kreut të Kuvendit, Ilir Meta duke thënë se ai është i inkriminuar direkt i kësaj akuze.

Po ashtu Basha i ka bërë thirrje prokurorisë që të zbardhë çdo akuzë që bëhet për këtë rast.

"Akuza tronditëse kur deputeti i mazhorancës deklaron se e ka vënë në dijeni kryeministrin për planin e kreut të Kuvendit për të vrarë 2 deputetë,”- tha Basha duke iu referuar fjalës së Doshit. 

Basha tha se kjo është një çështje që u përket të gjithëve dhe se ai mbështet qëndrimet e partnerëve pasi askush nuk mund ta pranojë që të ketë në krye të Kuvendit një person të akuzuar për vrasje.

"Askush nuk mund t’i njohë Ramën edhe Metën njëri nën akuzën e organizatorit dhe tjetri nën akuzën e njeriut që hesht. Ata dhe klani i tyre janë një grusht njerëzish me pushtet por tartabiqe përpara njerëzve. Ne do t’i prijmë në largimin e tyre,”-përfundoi Basha.

Më poshtë fjala e plotë e Lulzim Bashës
 
Jam sonte në këtë komunikim jo të zakonshëm, në ditën kur të gjithë shqiptarët pa përjashtim kanë parë dhe kanë dëgjuar se deri ku shkon inkriminimi i qeverisë, i mazhorancës, i dyshes Rama-Meta. Krim, vrasje, shantazh, dhe në këtë teatër mafioz, personazhet janë Ilir Meta, Edi Rama, Saimir Tahiri, dhe deputetët e tyre deri dje më të besuarit, sot të kthyer në shënjestra.

Tronditja është evidente për çfarë dëgjuam e po dëgjojmë, për çfarë kemi mësuar e po mësojmë. Indinjata gjithashtu. Një histori me vrasës me pagesë që nuk zhvillohet në kthinat dhe bodrumet e errëta të mafias, por në  pallatet kryesore të politikës shqiptare, në kupolën e dyshes politike që qeveris Shqipërinë.
Kjo ka ndodhur, ky është realiteti. Ne kemi paralajmëruar që herët se aleanca me krimin, do të sjellë krime, asgjë tjetër.
Kryetari i Kuvendit akuzohet për vrasje. Akuzohet se ka porositur vrasjen e dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit duhet të dorëhiqet menjëherë nga detyra që ushtron dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë për tu hetuar mbi akuzën më të rëndë të bërë ndonjëherë në politikën shqiptare në këto 25 vite.

Parlamenti nuk mund të mbajë në krye të institucionit një person nën akuzë nga të zgjedhur të mazhorancës, se ka paguar për të vrarë dy deputetë.
I kërkoj Prokurorisë të nisë menjeherë hetimet për zbardhjen pa humbur kohë të akuzave të bëra publike.

Akuza bëhet edhe më tronditëse, kur deputeti i mazhorancës thotë se prej 5 muajsh ka vënë në dijeni kryeministrin e vendit për planin e kryeparlamentarit për vrasjen e dy deputetëve.

Më e pakta, kemi sot një kryeministër dëshmitar në krim. Deri ku shkon implikimi i Edi Ramës e Saimir Tahirit, personazhe kyçe në këtë histori krimi e vrasjesh?

Kjo nuk është më një cështje që u përket atyre, cështje e brendshme e dyshes Rama-Meta, e zhytur në krim dhe korrupsion, dyshe e kthyer në një barrë të padurueshme për qytetarët e vendit. Kjo kronikë e paralajmëruar, është pasojë e paktit kriminal të  denoncuar nga ne që në ditët e para të krijimit të kësaj aleance mafioze.

Për këtë arsye, kjo është një cështje që u përket të gjithë shqiptarëve. Është një çeshtje e dinjitetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Me këtë rast falenderoj dhe përshëndes qëndrimet e partnerëve tanë, SHBA dhe BE, në mbështetje të procesit të dekriminalizimit .

Asnjë shqiptar nuk mund të pranojë të ketë në krye të Kuvendit të Shqipërisë një shtetas të akuzuar për porositjen e dy vrasjeve. Nuk ka shqiptar të pranojë një kryeministër bashkëpunëtor në këtë skenar.

Asnjë qytetar i vendit, jam i bindur, nuk mund ta njohë Ilir Metën si Kryetar të Parlamentit, dhe as Edi Ramën si kryeministër, të dy nën akuzë, njëri të organizimit të vrasjes, tjetri si dëshmitari që hesht.

Çdo minutë që kalon, vetëm e përkeqëson pozicionin e kryetarit të kuvendit dhe të kryeministrit, vetëm e kthen Shqipërinë prapa, e bën me njollën më të zezë para Europës e mbarë botës.

Partia Demokratike është e vendosur që të mos e lerë Shqipërinë të mbahet peng i serialeve mafioze dhe kriminale!
Ata dhe klani i tyre i ngushtë janë një grusht njerëzish të rrezikshëm e me pushtet, por janë tartabiqë përpara popullit sovran që do ta clirojë veten nga ky tumor malinj.
Dhe ne do t’i prijmë kësaj sfide të madhe të shqiptarëve.


Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron