"Doshi", Berisha si Frroku: S'ju
them asgjë nga çfarë dëshmova

them asgjë nga çfarë dëshmova">
TIRANE - Për herë të parë gjatë karrierës së tij politike prej më shumë se dy dekadash, ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit në organin e akuzës ku dha dëshminë e tij në lidhje me pretendimet e bëra publike nga Tom Doshi se kryeparlamentari Meta ka paguar për ekzekutimin e tij gjashtë muaj më parë. Përreth 50 minuta përballë kreut të Krimeve të Rënda Adnan Xholi dhe prokurorit Blerim Tominaj, deputeti demokrat u përgjigj për deklaratën që dha nga Kuvendi kur tha se e dinte tre muaj më parë për atentatin e mundshëm. Ndërsa hetimi për çështjen është i hapur për të zbuluar nëse realisht ka pasur një plan për atentat, Berisha tha me bindje se skenari i vrasjes së deputetit Doshi dhe atij demokrat Mhill Fufi është për qëllime politike.

Megjithatë Berisha nuk bëri publike asnjë fjalë për çfarë kish deklaruar në organin e akuzës, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si deputeti Mark Frroku në dëshminë e të premtes, se nuk do të dekonspirojë hetimin. “Thelbi i dëshmisë nuk dekonspirohet në mënyrë absolute nga unë. Merrni çfarë kam deklaruar para se të vij në prokurori. Tani që erdha këtu nuk ju deklaroj asnjë gjë”, tha Berisha. 

Po ashtu, Berisha la pa përgjigje edhe faktin se përse nuk e kishte denoncuar atentatin e mundshëm tre muaj më parë, kur ai mësoi për të. Pa përgjigje mbeti edhe pyetja e gazetarëve se kush është personi që e ka sinjalizuar për planin e pretenduar për eliminimin fizik të Doshit. 

Ish-kryeministri Berisha shprehu rezerva për hetimin, duke thënë se puna e prokurorëve do të jetë e vështirë në kushtet kur sipas tij, ka presionin e kryeministrit, kryeparlamentarit dhe ministrit të Brendshëm. “Nuk paragjykoj përpjekjet, por nga ana tjetër edhe gurë po të ishin prokurorët, me një presion të tmerrshëm, me një manipulim të paimagjinueshëm duke pasur në bllok, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, ministrin e Brendshëm, atyre u vështirësohet puna në shkallë ekstreme”, u shpreh Berisha. 

Ish-kreu i ekzekutivit shqiptar tha se protesta e opozitës më 12 mars do të jetë pikërisht për të kërkuar dorëheqjen e kreut të Kuvendit Ilir Meta. “Ndaj dhe sovrani vjen këtu me 12 mars në protestën më të fuqishme të shqiptarëve për të mbështetur dhe hapur rrugën drejtësisë. Ilir Meta ka një alternativë, të japë dorëheqjen, të mos ulet para prokurorëve si zoti kryetar, por si një njeri i akuzuar”, - tha ish-lideri i Partisë Demokratike.

Deklarata e plote e Sali Berishes menjehere pas perfundimit te deshmise ne Prokurorine e Krimeve te Renda
“Prokuroria e Krimeve të Rënda më çoi dy ditë më parë thirrjen për tu paraqitur si person që ka dijeni për ngjarjen në hetimin e akuzës më të rëndë të 23 viteve të fundit skenarit të vrasjes së dy deputetëve për qëllime të mirëfillta politike pavarësisht nga pretekstet në mënyrë që të shpëtohet Rama nga kundërshtari politik që u krijua brenda partisë së tij dhe meta t’i japë një goditje opozitës për qëllime personale. E prita ftesën me kënaqësi në kuptimin që të mund të kontribuoj sadopak në rrëfimet e mia për këtë çështje, natyrisht ato çka thash aty përbëjnë sekret deri në momentin që prokuroria t’i nxjerrë nga klasifikimi, por nuk është aspak sekret dhe është tronditëse fakti që këtë skenar ogurzi kreu i qeverisë, kreu i parlamentit, ministri i Brendshëm, e mbajti për 6 muaj njëlloj si në shpellën e mafies, e mbajti jashtë ligjit, si një çështje midis tyre dhe nuk e dorëzoi para ligjit dhe për ligjin. Jo vetëm nuk e dorëzoi por në 6 muaj kupola e përfshirë në këtë krim ndërmori veprime që të rrënojë dhe të bllokojë me çdo kusht hetimin.

U kryen 2 atentate ndaj doresit që do të realizonte vrasjet dhe ndaj paguesit të parave dhe sekserit të Metës në mënyrë që gojët e tyre të mbylleshin në mënyrë përfundimtare. Gjatë kësaj periudhë jo vetëm tentuan të eliminojnë 2 dëshmitarët kryesorë, por hetimin ja besuan kryetarit të PS për Tiranën mikut të ngushtë të Emiljano Shullazit, Saimir Tahirit. Tani e merrni ju me mend kur hetimi bëhet nga kryetari i PS të Tiranës dhe firmoset nga kryetari i PS për Shqipërinë, pra në këto rrethana dhe krahas kësaj u përpunua skenari tjetër, sipas të cilës fajin e ka opozita. Në këtë skenar të turpshëm Meta, kryesisht ai por edhe Edi Rama nuk lanë akuzë pa nxjerrë për opozitën. Kryehetuesi i partisë Saimir Tahiri pas 6 muajsh pasi e priti në zyrë në kundërshtim me çdo lloj rregulli etik të zyrave të ministrave, kodit e kushtetutës, Tahiri zhvilloi disa seanca në zyrën e tij me Durim Bamin, të tjerat mund t’i ketë zhvilluar gjetiu unë nuk di, por në fund Tahiri përfundoi avokat i pamposhtur i Bamit. Kjo është e faktuar që përfundoi i dashuruar me Bamin, aq shumë e bindi Bami saqë i thotë unë nuk pranoj të funksionoj si dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë, se jam dëshmitar i mbrojtur i Tahirit, se ndihet më i fuqishëm me Tahirin. Kemi të bëjmë me një bllokim për qëllime politike të hetimit për 6 muaj, përpjekje për manipulim të gjithanshëm ,presion mbi institucionin e akuzës sepse paraqitja para drejtësisë 6 muaj më vonë kur kryeministri, kryetari i kuvendit dhe ministri i Brendshëm janë në bllok, nuk ka në botë prokuror as në vendet më të zhvilluara që mund të hetojë një gjë të tillë.

Nuk mundet që një kryeministër të informohet që ka pasur një tentativë vrasje për deputetin e tij të mos kërkojë ndihmën dhe të adresojë në prokurori çështjen për ta zbardhur. Donte ta zbardhte me Tahirin e partisë, dhe në fund Tahiri tha se Bami im është i pafajshëm, kurse Rama vet tha se është një aktor”.


Keni besim te prokuroria?
Unë e thash, nuk paragjykoj përpjekjet, por nga ana tjetër edhe guri po të ishin prokurorët, me një presion të tmerrshëm, me një manipulim të paimagjinueshëm duke pasur në bllok, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, ministrin e Brendshëm, atyre u vështirësohet puna në shkallë ekstreme, ndaj dhe sovrani vjen këtu me 12 mars në protestën më të fuqishme të shqiptarëve për të mbështetur dhe hapur rrugën drejtësisë. Ilir Meta ka një alternativë, të japë dorëheqjen, të mos ulet para prokurorëve si zoti kryetar, por si një njeri i akuzuar.

Thelbi i dëshmisë?
Thelbi i dëshmisë nuk dekonspirohet në mënyrë absolute nga unë. Merrni çfarë kam deklaruar para se të vij në prokurori. Tani që erdha këtu nuk ju deklaroj asnjë gjë.
Nuk kam asnjë lidhje me personat e implikuar në këtë skenar, ishte në dorë të kryeministrit, unë jam ish-kryeministri.


Cili është personi që ju ka vënë në dijeni?
(Berisha nuk përgjigjet)

Përse nuk e denoncuat ngjarjen kur e mësuat?
(Berisha nuk përgjigjet)

Për herë të parë përballë prokurorëve, ndjesia?
Kam ardhur me kënaqësi ta them hapur. Kjo është akuza më e rëndë e 24 viteve të fundit. Dhe e konsideroj zbardhjen e saj si një kusht themelor për paqen sociale të këtij vendi. Konsideroj bllokimin e hetimit atentatin më të rëndë që i është bërë të vërtetës në këtë vend.

Si e vlerësoni deklaratët e Frrokut?
(Berisha nuk përgjigjet)


Ora 09.15 Berisha përballë prokurorit që i kërkoi dëshminë për “21 Janarin”
Kjo është hera e parë që ish-kryeministri në 25 vjet në polikë përballet me organin e akuzës. Një element i veçantë në këtë çështje është fakti se dëshmia e ish-kryeministrit do të jepet para prokurorit Blerim Tominaj, i cili i ka kërkuar edhe më herët Berishës të japë dëshmi për 21 Janarin. Zoti Berisha, i cili drejtonte qeverinë 21 janarin e vitit 2011 kur gjatë protestës së opozitës para kryeministrisë mbetën të vrarë katër demonstrues, refuzoi të dëshmonte. Blerim Tominaj është prokurori që kërkoi burg për zinxhirin komandues të Gardës së Republikës nën akzuë për vrasjen e protestuesve, por që me pak kohë në paraburgim arritën të dalin në liri.

Ora 09.09 Mbërrin ish-kryeministri Berisha në prokurori, përshëndet me dy gishta
Në orën 09.09 minuta të kësaj të hëne, në përgjigje të ftesës së organit të akuzës, deputeti demokrat mbërriti në ambientet e Prokurorisë ku e priste këshilltarja e tij për mediat, Erla Mëhilli. Me të zbritur nga makina shoqëruese, zoti Berisha është kthyer nga gazetarët duke përshëndetur me dy gishta, simbolin e demokracisë që përfaqëson Partinë Demokratike. 


  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron