TIRANE - Gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes, rreth orës 03:00 deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi publikoi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook një video sipas të cilit pretendohet se është grupi që ka organizuar atentatin e mundshëm ndaj tij, 6 muaj më parë.
 
Video është filmuar në lokalin “Viva” në zonën e ish-bllokut, ku Doshi thotë se mblidheshin personat që ishin urdhëruar për të organizuar eliminimin fizik të tij.
 
Por mëngjesin e kësaj të enjteje, rreth orës 10:00, kjo video është fshirë nga profili zyrtar i Doshit, ndërsa redaksia e Shqiptarja.com e risjell për publikun. Në Facebook-un e Tom Doshit kanë mbetur të publikuara vetëm disa foto të shkëputura nga video e fshirë.
 
Në videon e shkurtër prej 1 minute shfaqet Eugen Beci, prokurori i cili deri dje ishte në Krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, por që u transferua në postin e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit. Po ashtu në tavolinë me të është Agim Rama, kunati i ish-kryeministrit Berisha dhe Fatjon Skënderi, i cili sipas deklaratave të Doshit, është personi që ka ndërmjetësuar me Durim Bamin, i ndaluari i policisë që pretendohet nga deputeti Doshi se është vrasësi me pagesë që do e ekzekutonte.
 
eugen beci

eugen beci

Deputeti i përjashtuar nga PS nuk sqaron se cilët janë personat në fjalë, por Shqiptarja.com konstaton se janë pikërisht: Eugen Beci, Agim Rama dhe Fatjon Skënderi.
 
 “Ky është organi i akuzës në Shqipëri!!”, shkruan Doshi në Facebook si diçiturë të fotove të publikuara.
 
Në deklaratën e parë publike që ministri i Punëve të Brendshme dha mbi akuzat e Doshit, Tahiri tha se nuk ka asnjë provë që të tregojë se ka pasur një plan për vrasjen e Doshit. Kjo sipas ministrit është zbuluar nga hetimet e policisë.
 
“Bazuar në qasjet, provat dhe faktet e disponuara deri sot, askush nga personazhet e përfshirë në rrëfimin e tij të derisotëm nuk ka organizuar një vrasje të Tom Doshit, por theksoj se për këtë çështje ka hetime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit, të cilat pritet shumë shpejt çdo dyshim të hedhur në publik. Kush dhe pse e ka sajuar këtë farsë mbetet një çështje tjetër.”
 
Ministri Tahiri doli dje në një konferencë rreth 30 minuta ku solli të gjithë kronologjinë e ngjarjeve dhe të rrëfimeve që vetë deputeti Tom Doshi i kishte treguar. Pavarësisht hetimeve të policisë të nisura gjashtë muaj më parë, menjëherë pasi u njoh me pretendimet e Doshit, ministri Tahiri tha se tashmë janë hetimet e nisura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda të cilat do të nxjerrin në pah të vërtetën.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)