Por ku e ka zanafillën ky hetim dhe dosja që çoi në pranga gjyqtarin Miri? Bëhet fjalë për një vrasje të vitit 1997 kohë në të cilën Gentian Doda personi i liruar pak kohë më parë nga gjyqtari Miri vrau një shtetas në qytetin e Burrelit.
Doda u hetua dhe dënua për vrasjen e Gazmir Dedja mesditën e 27 tetor të vitit 1997. Për këtë vrasje Doda do të dënohet 4 vite më pas më 26 Janar 2001 me 20 vite burgim. Pesë muaj më pas Doda apelon vendimin por gjykata e apelit lë në fuqi 20 vitet e burgut duke mos pranuar ankimin e tij. Një vit më pas 2 shkurt 2002 po e njëjta gjykatë apeli i Tiranës lë në fuqi dënimin me 20 vite burg të dhënë nga shkalla e parë e gjykatës së Matit.
Nga arratia Gentian Doda troket në gjykatën e lartë aty ku sërish mbetet në fuqi i njëjti dënim për të duke mos i pranuar Rekursi. Gjithçka ndryshon ku në 2012 Gentian Doda ekstradohet nga Amerika, ku u arrestua në Kaliforni për llogari të drejtësisë shqiptare.
Më 13 korrik 2012 ora 23.25 minuta Doda ekstradohet nga agjentët amerikan duke u sjellë në Rinas me pranga dhe u vendos në burgjet shqiptare për të shlyer dënimin me 20 vite. Me anë të rekursit ai i drejtohet sërish Gjykatës së Lartë për të hequr dënimin ndaj tij, por në 2014 kjo kërkesë e Dodës nuk pranohet.
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Doda troket në Gjykatën Kushtetuese, aty ku vendoset që gjykimi ndaj tij të rihapet nga e para për shkak se ai është gjykuar në mungesë.
Më 17 Nëntor 2015 Kushtetuesja vendos pranimin e pjesshëm të padisë së Dodës dhe kalimin e çështjes sërish në Gjykatën e Lartë. Më 24 Shkurt 2016 Gjykata e Lartë dhe pse dy herë kishte vendosur mospranim rekursi e dërgon çështjen nga e para në Mat për rigjykim.
Më 20 shtator 2016 Gjykata e Matit me vendim të gjyqtarëve Alfred Gjoni, Dedë Miri dhe Ali Koleci e dënon përfundimisht Gentian Dodën me 8 vite burgim. Neni 88 paragrafi 2 thotë: Plagosja e rëndë me dashje kur ka sjallë si pasojë vdekjen e personit dënohet me burgim nga 5 deri në 15 vite burg. Bazuar në këtë nen Gjykata e rrethit Mat me relator Ali Koleci, kur mori në rigjykim dosjen e kthyer nga Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë e dënoi Gentian Dodën me 12 vite burg dhe në bazë të nenit 406 të Kodit të Procedurës penale për gjykimin e shkurtuar pasi Doda pranoi aktet e dosjes penale perfundimisht u dënua me 8 vite burgim.
Megjithatë Doda nuk u pajtua me këtë vendim dhe e apeloi atë në gjykatën e apelit Tiranë. Kjo gjykatë la në fuqi vendimin e dhënë në Gjykatën e Matit. Mësohet se dosja aktualisht ndodhet pranë gjykatës se lartë me relator gjygjtarin Edmond Islamaj.
Por sërish Doda nuk pajtohet me këtë dënim duke apeluar tetë vitet e burgut dhe në qershor 2017 ai arrin që në apelin e Tiranës me vendim të gjyqtarëve Shkëlqim Miri, Flutura Skënderi dhe Agim Bendo të marrë ndryshimin e akuzës nga vrasje në plagosje e të fitoj lirinë vetëm me kohën e paraburgimit të kaluar në qeli.
d.c./shqiptarja.com

VIDEO











