Ermal Beqiraj është arrestuar në Francë. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Posaçme kishte lëshuar ndaj tij masën e arrestit me burg për dosjen e AKSHI-t.
Arrestimi i Beqirit ka ndodhur të shtunën pasdite, në një mënyrë dhe rrethana të çuditshme. Sipas mediave franceze ai ka qenë duke pilotuar një avion të vogël, i cili ra në sy duke “fluturuar mbi termocentralin bërthamor Penly në Seine-Maritime. Ndërsa fluturonte në një lartësi prej 3,700 këmbësh (afërsisht 1,200 metrash), piloti papritmas uli hundën e avionit në 3,500 këmbë, një lartësi nën limitin ligjor për fluturim mbi vende të ndjeshme”.
Situata ka alarmuar autoritetet franceze. “Forcat Ajrore dhe Hapësinore Franceze dërguan një avion për të shoqëruar aeroplanin mashtrues në Aeroportin Albert në rajonin e Somme. Duke pritur pilotin në pistë, ai u arrestua menjëherë dhe u mor në paraburgim”.
Një tjetër element i pazakontë ka rënë në sytë e autoriteteve franceze pas arrestimit të Beqirit. “Gjatë një kontrolli trupor, oficerët e zbatimit të ligjit gjetën tre AirTag të fshehura në rrobat e tij. Këta gjurmues të vegjël GPS, të prodhuar nga Apple, lejojnë identifikimin dhe gjurmimin e kujtdo që mban një të tillë”. Sipas mediave franceze “ky detaj, po e çon hetimin drejt teorisë se piloti mund të ketë vepruar nën presion nga dikush që porositi fluturimin”.
Edhe përgjigjet që Beqiri ka dhënë para autoriteteve nuk kanë qenë aspak bindëse. Sipas mediave franceze, “ai kishte pretenduar se kishte bërë një gabim me lartësinë e tij dhe u tha hetuesve se ishte "në telefon me nënën e tij" gjatë fluturimit mbi termocentralin bërthamor”.
Edhe vetë itinerari dhe plani i fluturimit të Beqirit “ka nxitur shqetësime. Duke u nisur nga qyteti i vogël i Albert, piloti fluturoi në veri drejt Calais përpara se të kalonte Brittany dhe në fund të kalonte mbi termocentralin bërthamor Penly”.
Beqiri mund dhe t’ia kishte hedhur paq, nëse gjatë verifikimeve për emrin e tij, nuk do të kishte dalë në dritë fakti që është në kërkim nga autoritetet shqiptare. Sipas mediave franceze, atij “iu dha një dënim me kusht dhe një gjobë prej 7,000 eurosh për fluturim të paligjshëm mbi termocentral. Ai u dorëzua më pas në Zyrën Qendrore për Luftimin e Krimit të Organizuar (OCLCO) dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri”.
Beqiraj zotëron kompaninë “Soft & Solution” dhe akuzohet se përfitoi tenderë mbi 1.1 milion euro pas kërcënimeve që krahu i djathtë i Ergys Agasit, i bëri një shoqërie të përfshirë në një nga garat e shumta.
Hetimet e SPAK të nisura për çështjen e AKSHI-t, zbuluan edhe një jaht luksoz në pronësi të biznesmenit. Bëhet fjalë për një jaht të markës Predator 50 Skyfall, vlera e të cilit në treg shkon gati 1 mln euro.
Sipas SPAK, biznesmeni Beqiri e ka vendosur këtë jaht në pronësi të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions", por prokurorët e posaçëm dyshojnë se jahti është blerë nga biznesmeni Beqiraj. Në dosjen e SPAK, Tamizi rezulton se është personi që rekrutonte edhe stafin për kompaninë e Beqirit dhe më pas i transferonte tek kompania e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur po ashtu në kërkim.
Gjithashtu atij i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare të tij e subjekteve. Mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese dhe automjete.
Beqiraj dyshohet për veprat penale “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Më vonë i është shtuar dhe akuza e korrupsionit.
Truall me vendndodhje “Hoxha Tasim”, Tiranë;
Ndërtesa dhe truall nr. 5/3;
Truall dhe ndërtesë nr. 38/36, Rolling Hills Tiranë
Apartament në Golem, Kavajë;
Mjet lundrues Yacht “Skyfall”;
Subjekti “S.S” sh.p.k.;
Subjekti “H” sh.p.k.;
Njësi shërbimi në rrugën “Çerçiz Topulli”;
Automjete dhe motomjete sipas regjistrave;
Të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe subjekteve
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente









