Ergys Agasi, një nga figurat kyçe të dosjes “Akshi”, pritet të dalë sot paradite (ora 09:30) për masën e sigurisë para Gjykatës së Posaçme. Në arrati prej tetë muajsh Agasi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Plepave në Durrës, në ndjekje nga policia që nga Elbasani.
Report Tv siguroi një foto nga momenti i operacionit, ku dallohej qartë makina “Audi Rs6”, me vlerë rreth 100 mijë euro, e rrethuar nga forcat “Operacionale” dhe “Shqiponja. Brenda saj u gjetën edhe 4 mijë euro cash.
Në makinë me të si shofer ndodhej edhe ish zyrtari i lartë i policisë së Elbasanit, Ulian Shpataraku, i njohur si i besuari i ish-kryepolicit, Proda. Edhe Shpataraku ishte i shpallur në kërkim pasi disa javë më parë kërcënoi me jetë punonjësit e një hoteli në jug. Ai u arrestua në flagrancë për shoqërimin e Agasit, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit.
Ndaj Agasit, Gjykata e Posacme kishte caktuar masën ‘arrest në burg’ në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-T, si i dyshuar në krye të një grupi kriminal që përmes konkurrencës së pandershme, presioneve dhe ndikimit paracaktonte tenderat në këtë institucion.
Sipas hetimeve, mbi 1.05 miliardë lekë dhe mbi 470 mijë euro, janë paguar nga disa kompani, në llogaritë e kompanisë ‘EA Solution’ të Ergys Agasit, përfshirë dhe gati 1 milion euro verëra të shtrenjta. Pagesat janë bërë formalisht për shërbime të ndryshme, por siç rezultoi nga hetimet, ato ishin në të vërtetë shpërblim i dhënë për fitimin e tenderëve të AKSHI-t, falë lidhjeve të ngushta që Agasi kishte, sipas SPAK, me drejtoreshën e këtij institucioni Mirlinda Karçanaj, dorëhequr pas marrjes së saj si e pandehur.
Agasi akuzohet për të paktën 7 vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.
Biznesmenit Ergys Agasi i janë sekuestruar në total 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompania EA Solution. Në mesin e aseteve të sekuestruara është edhe një pjesë e "Equos Resort".
Bashkë me të në kërkim ishte shpallur edhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili u arrestua një muaj më parë në Francë teksa fluturonte me avion privat mbi një central bërthamor dhe që ndodhet në paraburgim në proces ekstradimi drejt vendit tonë. Në hetim për dosjen e AKSHI-t, në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndodhet ish drejtuesja e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj.
lajm ne perditesim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento