TIRANË- Biznesmeni Ergys Agasi qëndroi deri në mesnatë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku agjentët e BKH-së, menjëherë pas arrestimit bënë ekzekutimin e masës arrest me burg. Agasi u kap për llogari të SPAK pas 8 muajsh arrati, i akuzuar për abuzimet me tenderët e AKSHI-t, ndërsa udhëtonte nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit. Pasi iu komunikua masa e arrestit, biznesmeni u transferua në ambientet e Bllokut të Sigurisë, aty ku do të qëndrojë derisa të dalë para GJKKO-së për vlerësimin e masës.
Operacioni u zhvillua pasditen e 26 gushtit nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me SPAK-un, të cilët e kishin pikasur mjetin “Audi” me të cilin udhëtonte Agasi që në qytetin e Elbasanit. Report Tv ka siguruar edhe foto nga momenti i operacionit, ku dallohet se makina me të cilën lëvizte Agasi është rrethuar nga forcat Operacionale të cilat e prangosën bashkë me ish-policin e shpallur në kërkim Uljan Shpatarakun, i cili drejtonte "Audi Rs6" me vlerë rreth 100 mijë euro.
Agasi është ndjekur për të paktën 40 kilometra, drejt Peqinit, Rrogozhinës dhe Durrësit, ku u arrestua në zonën e Plepave. Ndërkohë, gjatë kontrollit të mjetit janë gjetur rreth 4 mijë euro, të cilat janë sekuestruar bashkë me Audin.

Foto kur policia rrethon makinën e Ergys Agasit
Ndaj Agasit, gjykata e Posacme kishte caktuar masën ‘arrest në burg’ në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-T, si i dyshuar në krye të një grupi kriminal që përmes konkurrencës së pandershme, presioneve dhe ndikimit paracaktonte tenderat në këtë institucion.
Sipas hetimeve, mbi 1.05 miliardë lekë dhe mbi 470 mijë euro, janë paguar nga disa kompani, në llogaritë e kompanisë ‘EA Solution’ të Ergys Agasit, përfshirë dhe gati 1 milion euro verëra të shtrenjta. Pagesat janë bërë formalisht për shërbime të ndryshme, por siç rezultoi nga hetimet, ato ishin në të vërtetë shpërblim i dhënë për fitimin e tenderëve të AKSHI-t, falë lidhjeve të ngushta që Agasi kishte, sipas SPAK, me drejtoreshën e këtij institucioni Mirlinda Karçanaj, dorëhequr pas marrjes së saj si e pandehur.
Agasi akuzohet për të paktën 7 vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim....
Avokati Maks Haxhia ka takuar Ergys Agasin vetëm disa orë pasi u transferua te Blloku i Sigurisë.
"Ky është një takim i parë dhe përgatitemi për procesin që është në ditët e afërta lidhur me kushtet e arrestimit. Ne duam dosjen, sepse është e turpshme që edhe pas kaq kohësh që e kemi kërkuar, kjo nuk ka ndodhur Na është mohuar një e drejtë. Pa dosjen nuk ngremë dot pretendimet. Agasi pretendon se është jashtë çdo ngarkesë juridike pasi nuk ka prekur financat publike pasi nuk ka mbajtur funksione të autoriteteve që menaxhojnë financat publike, as lidhur me tenderat", tha Haxhia.
Teksa u pyet nëse Ergys Agasi është i pafajshëm, përse nuk është dorëzuar më herët, avokati tha se në vendit tonë fillimisht të fusin në burg dhe më pas të nisin me akuzat.
“Problemi është që në Shqipëri të fusin në burg, pastaj nisin me akuzat. E di atë historinë, ta presin këmbën e pastaj ta numërojnë që nëse ke apo jo dy këmbë. Duhet të jetë e kundërta, duhet të bëjnë hetime, të gjejnë prova dhe më pas të kërkohet masë e përshtatshme”, u shpreh avokati Haxhia, teksa shtoi se seanca për masën e sigurisë mund të mbahet pasnesër.
Agasi u arrestua një ditë më parë në zonën e Plepave, Durrës pas tetë muajsh në arrati.











Komente
Komento