TIRANË- Biznesmeni Ergys Agasi qëndroi deri në mesnatë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku agjentët e BKH-së, menjëherë pas arrestimit bënë ekzekutimin e masës arrest me burg. Agasi u kap për llogari të SPAK pas 8 muajsh arrati, i akuzuar për abuzimet me tenderët e AKSHI-t, ndërsa udhëtonte nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit. Pasi iu komunikua masa e arrestit, biznesmeni u transferua në ambientet e Bllokut të Sigurisë, aty ku do të qëndrojë derisa të dalë para GJKKO-së për vlerësimin e masës. Avokati i tij mbrojtës, Maksim Haxhia tha se seanca në Gjykatën e Posaçme pritet të zhvillohet të shtunën, ndërsa pretendon se nuk ka marrë ende në duar dosjen.
“Ne duam dosjen, sepse është e turpshme që edhe pas kaq kohësh që e kemi kërkuar, kjo nuk ka ndodhur. Na është mohuar një e drejtë. Pa dosjen nuk ngremë dot pretendimet”, tha ai për mediat.
Operacioni u zhvillua pasditen e 26 gushtit nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me SPAK-un, të cilët e kishin pikasur mjetin “Audi” me të cilin udhëtonte Agasi që në qytetin e Elbasanit. Report Tv ka siguruar edhe foto nga momenti i operacionit, ku dallohet se makina me të cilën lëvizte Agasi është rrethuar nga forcat Operacionale dhe Shqiponjat të cilat e prangosën biznesmenin bashkë me ish-policin e shpallur në kërkim Uljan Shpatarakun.
Mjeti me të cilin udhëtonte Agasi është ndjekur për të paktën 40 kilometra, drejt Peqinit, Rrogozhinës dhe Durrësit, ku u arrestua në zonën e Plepave. Ishte ish-polici Shpatarku që e drejtonte "Audi-n Rs6" me vlerë rreth 100 mijë euro, i cili është sekuestruar ndërsa brenda në makinë u gjetën edhe 4 mijë euro.
Shpataraku ishte i shpallur në kërkim pasi disa javë më parë kërcënoi me jetë punonjësit e një hoteli në Dhërmi. Shpataraku ka qenë Zv.drejtor i Policisë së Elbasanit. Edhe pse Proda e transferoi pranë vetes kur u vu bë krye të policisë së shtetit, besohet se kishte ende ndikim në hije në drejtimin e bluve të Elbasanit. Gjë që lidhet edhe me pretendimet publike e politike mbi influencën e Ergys Agasit në Elbasan.
Përpos episodit në Dhërmi, Shpataraku akuzohet edhe për përkrahje të autorit të krimit, ndërsa agjentët e BKH-së ushtruan edhe kontrolle në banesën e tij te Liqeni i Thatë në Tiranë.

Foto kur policia rrethon makinën e Ergys Agasit
Ndaj Agasit, Gjykata e Posacme kishte caktuar masën ‘arrest në burg’ në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-T, si i dyshuar në krye të një grupi kriminal që përmes konkurrencës së pandershme, presioneve dhe ndikimit paracaktonte tenderat në këtë institucion.
Sipas hetimeve, mbi 1.05 miliardë lekë dhe mbi 470 mijë euro, janë paguar nga disa kompani, në llogaritë e kompanisë ‘EA Solution’ të Ergys Agasit, përfshirë dhe gati 1 milion euro verëra të shtrenjta. Pagesat janë bërë formalisht për shërbime të ndryshme, por siç rezultoi nga hetimet, ato ishin në të vërtetë shpërblim i dhënë për fitimin e tenderëve të AKSHI-t, falë lidhjeve të ngushta që Agasi kishte, sipas SPAK, me drejtoreshën e këtij institucioni Mirlinda Karçanaj, dorëhequr pas marrjes së saj si e pandehur.
Agasi akuzohet për të paktën 7 vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.
Bashkë me të në kërkim ishte shpallur edhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili u arrestua një muaj më parë në Francë teksa fluturonte me avion privat mbi një central bërthamor dhe që ndodhet në paraburgim në proces ekstradimi drejt vendit tonë. Në hetim për dosjen e AKSHI-t, në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndodhet ish drejtuesja e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Gazetari i Report Tv, Sokol Dema ka siguruar foto nga momenti kur prangoset ish-polici kërkim, Ulian Shpataraku. Ky i fundit ishte shpallur në kërkim pasi kishte kërcënuar me jetë stafin e një hoteli në Dhërmi se nuk i kishte pëlqyer shërbimit. Por, pas arrestimit në makinë me Ergys Agasin, që kërkohej nga SPAK, ish-policit i shtohet edhe një tjetër akuzë. Ai akuzohet për përkrahje të autorit të krimit. Shpataraku ka qenë duke drejtuar mjetin tip Audi Rs6, me vlerë rreth 100 mijë euro, në momentin kur janë ndaluar në Operacionalja dhe Shqiponjat në zonën e Plepave në Durrës. Atu u ndoqën për gati 40 km që nga Elbasani.
Avokati Maks Haxhia ka takuar Ergys Agasin vetëm disa orë pasi u transferua te Blloku i Sigurisë. Pas takimit Haxhia tha në një prononcim për mediat se ata kanë kërkuar dosjen, por sipas tij deri tani nuk kanë marrë asgjë.
"Ky është një takim i parë dhe përgatitemi për procesin që është në ditët e afërta lidhur me kushtet e arrestimit. Ne duam dosjen, sepse është e turpshme që edhe pas kaq kohësh që e kemi kërkuar, kjo nuk ka ndodhur Na është mohuar një e drejtë. Pa dosjen nuk ngremë dot pretendimet. Agasi pretendon se është jashtë çdo ngarkesë juridike pasi nuk ka prekur financat publike pasi nuk ka mbajtur funksione të autoriteteve që menaxhojnë financat publike, as lidhur me tenderat", tha Haxhia.
Teksa u pyet nëse Ergys Agasi është i pafajshëm, përse nuk është dorëzuar më herët, avokati tha se në vendit tonë fillimisht të fusin në burg dhe më pas të nisin me akuzat.
“Problemi është që në Shqipëri të fusin në burg, pastaj nisin me akuzat. E di atë historinë, ta presin këmbën e pastaj ta numërojnë që nëse ke apo jo dy këmbë. Duhet të jetë e kundërta, duhet të bëjnë hetime, të gjejnë prova dhe më pas të kërkohet masë e përshtatshme”, u shpreh avokati Haxhia, teksa shtoi se seanca për masën e sigurisë mund të mbahet pasnesër.
Agasi u arrestua një ditë më parë në zonën e Plepave, Durrës pas tetë muajsh në arrati.
-
O Avokat Haxhia, mbete duke mbrojtur te korruptuarit, po me ato ben leke, normal se je oportunist. Bravo te qofte. Po nese Agasi eshte, apo i duket vetja i pafajshem, pse nuk iu dorezua Spakut dhe te perballej me provat qe ata kane dhe me mbrojtjen qe ti ke?
Përgjigju











Komente
Komento