Shorti elektronik ka përzgjedhur gjyqtaren Irena Gjoka, e cila do të shqyrtojë në themel çështjen për ish-zv/Kryeministrin Arben Ahmetaj, e njohur si dosja “Buka”.

Në seancë paraprake, çështja u shqyrtua nga Erjon Çela, i cili vendosi kalimin e dosjes për gjykim.

Ish-zv/Kryeministri ndodhet në arrati që prej muajit korrik të vitit 2023 dhe po strehohet në Zvicër. Ndaj tij, SPAK ka ngritur akuzën “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, nën dyshimin se i ka shkaktuar shtetit shqiptar dëm në vlerën e 7 miliardë lekëve.

Prokuroria e Posaçme ka ndarë çështjen për biznesmenin Lirim Fezollari dhe për disa persona të tjërë, përfaqësues të Ministrisë së Financave, dhe ka sjellë në gjyq vetëm ish-zëvëndës Kryeministrin Arben Ahmetaj.

Sipas hetimeve, biznesmeni dyshohet se ka përfituar nga privatizimi në kohën kur Arben Ahmetaj ishte ministër i Financave. Ka dyshime se Ahmetaj dhe Fezollari, kishin marrëdhënie përtej komunikimit institucional, nga e cila ka arritur të privatizojë aksionet e shoqërisë “Buka Sh.a.

Ndërsa për inceneratorin, Ahmetaj akuzohet për pastrim parash dhe fshehje pasurie. Hetimet per këtë dosje pritet të mbyllen në datë 23 shtator.