SPAK njoftim zyrtar për arrestimin e Ilir Beqajt, zbardh skemën e abuzimit! U paguan 2 fatura, 500 mijë euro për një konferencë turizmi! Fshehu pasurinë

Tirane- Ish ministri i Shëndetësisë dhe ish drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) Ilir Beqaj është arrestuar sot pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së.

 Në njoftimin zyrtar të SPAK për arrestimin e Beqajt thuhet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se ka kryer procedura prokurimi fiktive në bashkëpunim me Ermal Kurtulaj, i cili është i arrestuar së bashku me Alfred Nikollaj ndërkohë 2 po hetohen në masë arrest shtëpie dhe 2 detyrim me paraqitje. 

Duke zbardhur skemën e abuzimit, SPAK evidenton se për 8 shërbime prokurimi për organizimin e konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri” si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 procedura ka qenë tërësisht fiktive dhe fituesi ka qenë i paracaktuar.

Në dosje evidentohet për konferencën 'Festa' mbajtur në datat 03-05 Prill 2023 që ishte kontraktuar shoqëria që administrohet nga i dyshuari Gazment Haxhia, dhe drejtori Administrativ, Alfred Nikolli ishin paguar dy fatura. Fatura e parë, 125.000,00 Euro nga agjencia që drejtonte Ilir Beqaj, dhe fatura e dytë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me vlerë 38.509.550 lekë, (konvertuar në 380 mijë euro). Pra në total dy faturat kapin gati vlerën 500 mijë euro. Ndërkohë i vetmi shërbim i ofruar për eventin nga kjo shoqëri tregtare, informon SPAK, ishte organizimi i darkës, në një vlerë prej 4.1 milionë lekë të reja në restorant Gzona, pronar defakto i të cilit ishte Ilir Beqaj.  

Lidhur me këtë dosje GJKKO ka firmosur 7 urdhërarreste. Konkretisht janë arrestuar sot ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj bashkëpunëtori i tij Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikollaj. Ndërkohë do të hetohen në një masë sigurie më të butë Gazmend Haxhia, Elton Marini, Bledar Leka, Bjona Zijaj. Beqaj akuzohet për korrupsion, mashtrim, fshehje pasurie e shkelje të barazisë në tendera.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.190, të vitit 2023. Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim me strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Në analizë të provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se:

1. Personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me personin nën hetim Ermal Kurtulaj, i emëruar nga vetë personi nën hetim Ilir Beqaj në datën 26.05.2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC,  përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat “PRAG” të përcaktuara në “Rregullat e Zbatimit të Rregullores Financiare”, të aplikueshme për të gjitha kontratat e ndihmës së jashtme të BE-së të financuara nga Buxheti i Përgjithshëm i BE-së dhe Fondi i 10-të Evropian i Zhvillimit (EDF) dhe të detyrueshme për t’u zbatuar sipas nenit 5 gërma “c” të ligjit nr. 37/2015 “Për Ratifikimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Komisioni Evropian për Rregullat e Zbatimit të Mbështetjes Financiare Të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II)”.

Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.

Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që i’u janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës.

Në lidhje me këto kontrata shërbimi është konstatuar:

Së pari: Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas  çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “L…… International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim Gazmebnt Haxhia dhe Drejtor Ekzekutiv personin nën hetim Alfred Nikollaj

I vetmi shërbimi i ofruar në kuadër të këtij eventi nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës, e cila është organizuar nga shoqëria tregtare “A….. F….. and H….. Lab” sh.p.k, njohur si restorant “Gzona” në një vlerë prej 4.189.000 lekë.

Së dyti: Personat nën hetim i kanë kryer vetë shërbimet (me shpenzime shumë herë më të ulta) duke i prokuruar më pas tek persona të tjerë juridikë “N. S. Int” sh.p.k me Ortak e Administrator personin nën hetim Elton Marini dhe personin nën hetim Bjona Zijaj  për qëllime të përfitimit material;

Së treti: Shoqëritë tregtare të kontraktuara për organizim të eventeve kanë dhënë përfitim të parregullt në formën e blerjeve të shërbimeve tek restoranti “Gzona”, apo të kryera në formën e pagesave nëpërmjet personave fizik të tjerë, me qëllim përvetësimin fundor nga personat nën hetim Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj.

Së katërti: Në rastet kur projektet e monituara nga SASPAC-u kanë prokuruar shërbime nën vlerën 2.500 euro, ku sipas rregullave “PRAG” realizohen vetëm me pranim fature, duke rezultuar vetë, si blerës direkt të shërbimeve me objekt shërbim kateringu ata kanë kryer veprime për fshehjen e përfituesit direkt.  Ata e kanë faturuar këtë shërbim tek persona fizik të tjerë me të njëjtin objekt veprimtarie, në një kohë që shërbimi është ofruar nga restorant “Gzona. Këto veprime janë kryer me qëllim fshehjen e lidhjes së personave nën hetim Ilir Beqaj e Ermal Kurtulaj me restorantin “Gzona”.

2. Personi nën hetim I. B. dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “Gzona” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim Ilir Beqaj, i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un.

Personi nën hetim Ilir Beqaj dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110  lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet personit nën hetim Ermal Kurtulaj, i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore.

Personi nën hetim Ilir Beqaj ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim Ermal Kurtulaj.

Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore si dhe administrimit të provave Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masave të sigurimit personal në ngarkim të personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime në kuadër të këtij procedimi.

Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024 ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për tre persona nën hetim; masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për dy persona nën hetim; si dhe masën e sigurimit së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, për dy persona të tjerë nën hetim, të  dyshuar për kryerje të veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publikë”, parashikuar nga neni  245 i Kodit Penal, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni  257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrimi” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

Nga ana e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani gjashtë masa sigurimi personal për personat nën hetim, ndërkohë që po kryhen veprime për ekzekutimin e masës për personin tjetër nën hetim.

Gjatë hetimeve janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe në njërën nga zyrat e shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47. 000 euro dhe 700.000 lekë, aparate telefoni me interes për  hetimin etj.

Hetimet vazhdojnë në lidhje me grumbullimin dhe sigurimin e provave për persona të tjerë të përfshirë në këto veprime, si dhe për fakte të tjera penale të lidhura me kontrollet e ushtruara në datën 28 dhjetor të vitit 2023.

7 urdherarrestet e firmosura, 6 u ekzekutuan
Arrest ne burg

1- Ilir Beqaj - drejtori i SASPAC 
2- Ermal Kurtulaj -   koordinator i projektit EUSAIR 
3- Alfred Nikollaj - Drejtor ekzekutiv i firmes 
Arrest në shtëpi:
4- Gazmend Haxhia - Biznesmen - Nuk është ekzekutuar vendimi
5- Elton Marini - Menaxher futbollistesh  - 
Detyrim paraqitje:
6- Bledar Leka
7- Bjona Zijaj - konsulente financiare 

Pjese nga dosja e abuzimeve në SASPAC - zbardhur nga vendimi i GJKKO-se per kontrollin e baneses, dhjetor 2023

Lidhjet e Beqajt me Kurtulajn! Nga projekti me fondet e BE, fatura fiktive drejt bizneseve! Paratë e EUSAIR shkonin te ‘Gzona

Hetimet kanë nisur në shtator 2023, ndërsa procedimi ishte regjistruar në emër të Ermal Kurtulajt, koordinator i një projekti me fondet e BE-së, ndërkohë që dyshohet se i përfshirë është edhe Ilir Beqaj, ish drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) i cili dyshohet për veprat e korrupsionit pasiv të funksionarëve publikë dhe fshehje apo deklarim i rremë i pasurisë është edhe Ilir Beqaj, i cili për gati dy vite drejtoi SASPAC.

Më datë 29 dhjetor 2023, me urdhër të SPAK u ushtrua kontroll në banesën e Ilir Beqajt. Beqaj dhe Kurtulaj, sipas vendimit që Shqiptarja.com kishte siguruar për urdhrin e kontrollit të banesave në dhjetor 2023, akuzohen se lëshonin faturave fiktive nga SASPAC për kompani të ndryshme, për përfitues fundor pikërisht këta ta fundit.

Tetë episodet që SPAK përmend vetëm për Kurtulajn lidhen me pagesa që shkojnë gjithsej disa dhjetëra mijëra euro, ku veçohen një faturë 35.200 euro me “Nine Servicec INT” më 8 gusht, apo dy të tjera me nga rreth 1.7 mln lekë të reja më 20 nëntor po nga kjo kompani. Gjithashtu ‘Nine Services’ ka lëshuar edhe disa fatura të tjera. Fatura fiktive sipas SPAK janë lëshuar edhe nga shoqata si ‘Good Health’ dhe FIAA.

SPAK thotë se Ermal Kurtulaj kishte njohje të hershme me Beqajn, që në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë Intech+.

Për këtë organi i akuzës kishte dhe përgjime telefonike dhe ambientale dhe fatura tatimore.

Më datë 16 gusht 2023 drejt projektit EUSAIR është lëshuar një faturë tatimore për ‘Landëays International’ me vlerë 149. 809 euro. Në të njëjtën ditë restoranti ‘Gzona’ në Tiranë ka lëshuar drejt ‘Landëays International’ një faturë shërbim kateringu me vlerë rreth 40 mijë euro.

Kjo faturë rezulton të jetë lëshuar disa minuta më para se të lëshohet fatura tjetër e EUSAIR, duke lindur dyshimi se ka qenë kusht që i ka paraprirë lëshimit të faturës, duke u krijuar dyshimi i arsyeshëm se paraprakisht palët kanë biseduar me njëra-tjetrën dhe shumë përbën përfitim materiale, korrupsion që shoqëruar tregtare  Landëays International’ ka paguar ndaj Gzonës thuhet në dosje.

Prokuroria e Posaccme dyshon se Restoranti Gzona është përdorur që biznese të cilat merrnin para nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian dhe që menaxhohet nga SASPAC, kthenin në formën e ryshfetit një pjesë të parave.

SPAK thotë se Kurtulaj dhe Beqaj kishin lidhje me restorantin Gzona. Ky restorant me emrin në QKB ‘Albanian food and hospitality’ ishte krijuar nga bashkëshortja e Beqajt dhe që në fund i ishte shitur Eduard Currajt i cili rezulton edhe pronar i kompanive ‘Curri Group’, ‘Curri SHPK’, ‘Delta Holding’, që nga ana e saj ka në pronësi kompani si ‘Delta Pharma’, Avicena apo farmacitë ‘Ditë e Natë’.

Nga përgjimet e SPAK dyshon se administratori de fakto i restorant “Gzona” ishte pikërisht Ermal Kurtulaj, vartësi i Ilir Beqajt në SASPAC. 

SPAK jep në dosje biseda që sipas tyre bëhet mes Ilir Beqajt që përdor telefonin e shoferit të tij dhe Ermal Kurtulaj.

SPAK ka paraqitur si provë të lidhjeve të Ilir Beqajt me ‘Delta Holding’ dhe ‘Delta Pharma’  faktin që Eduard Curraj është pronar 100% i Restorant ‘Gzona’ por thotë se edhe ky restorant ka bërë shitje në drejtim të kompanive ‘Delta Pharma’ me vlerë 105 milionë lekë të vjetra.

Një takim mes Ermal Kurtulajt dhe pronarit tjetër të kompanive ‘Delta Holding’, Dorian Sadiku në Restorant Gzona është përmendur, një takim që sipas SPAK është bërë për të bilancet e fundit të vitit. Për makinën e Dorian Sadikut SPAK thotë se është përdorur nga Beqajt në disa udhëtime jashtë vendit në vitit 2022.

S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Rama shkon në Vlorë, nesër hapet tuneli i Llogarasë

Rama shkon në Vlorë, nesër hapet tuneli i Llogarasë