Report Tv siguron dosjen e goditjes së call center-ave që kishin mashtruar me mijëra qytetarë evropianë në Tiranë, në hetimet që zgjatën 2 vite dhe u finalizuan me 10 arrestime.

Informacioni i parë mbi call center-at në Tiranë, u dorëzua nga autoritetet austriake më 25 nëntor të 2024-ës mbi dyshimin e mashtrimit të qytetarëve austriakë në vlera marramendëse, më shumë se 30 milionë euro përgjatë 1 viti (2023-2024).

Të dëmtuarit hynin në këto platforma mashtruese përmes një reklame të rreme të një personazhi të famshëm. Operatorët mashtrues, të cilët hiqeshin sit ë ishin “këshilltarë financiarë”, nëpërmjet programit “any desk” kanë kryer komandim nga distanca në kompjuterët e të dëmtuarve. Adresat ID, “maskoheshin” duke përdorur VPN, por partnerët austriakë arritën të identifikonin 2 IPD shqiptare. 

Nga komunikimet zyrtare të Prokurorisë së Tiranës me shoqëri të internetit në Shqipëri, u zbuluan përdoruesit fundorë të këtyre IP-ve, që kanë qenë funksionale të paktën prej nëntorit të vitit 2023. Kjo do të thotë, se këto call center mashtrues, të goditura në një aksion të hënën në mbrëmje, kanë funksionuar minimalisht prej 3 vitesh në kryeqytet. 

Në dosjen të cilën Report Tv e siguron, thuhet se i pari që u zbulua ishte Eduard Dalla, 48 vjeç, i arrestuar. Numri i tij i telefonit ishte në një kontratë internet të lidhur me një shoqëri në Tiranë. Kontrata ishte lidhur nga punonjëset e marketingut në rrugë, dhe emri në kontratë ishte Jose Santos, për të cilin grupi hetimor zbuloi se ishte fiktiv, për të humbur gjurmët. Por elementi që i çoi tek 48-vjeçari, ishte pikërisht numri i tij i celularit.

Nga përgjimet e kryera, rezultoi se Eduard Dalla, kërkonte të lidhte të tjera kontrata interneti, të paktën 7 të tilla donte të kishte në emër të kompanisë së tij, “Sonet shpk”, ose Sonet Solution, edhe këto kompani fiktive, pasi interneti përfundonte në ambientet ku ushtrohej aktiviteti i calll center.

Sipas hetimeve të përbashkëta me austriakët, dyshohet se Eduard Dalla, shërben si ndërmjetës midis call center dhe ofruesve të ndryshëm të shërbimit të internetit, për të vështirësuar identifikimin e tyre nëpërmjet IP.

Ndërkohë, 10 të arrestuarit do të dalin sot para Gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë. Në caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg”, gjykata thotë se merr në konsideratë edhe rrezikshmërinë shoqërore të të dyshuarve, Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami dhe Xhoni Hitaj, e cila referuar rolit kryesor që dyshohet se kanë në organizimin e kësaj veprimtarie të paligjshme, krijimin, rekrutimin, ndarjen e roleve. etj, vlerësohet si rrezikshmëri e lartë shoqërore dhe krijon dyshimin që ata të kenë rrezik të largohen apo t’i shmangen hetimit.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:02
Dosja e Call center/ Dy administratorët në kërkim, adresa fiktive në QKB për të humbur gjurmët! U zbuluan me 'IMSI Catcher'

1776176038_callcenter.jpg

Xhoni Hitaj 31 vjeç dhe Marsel Lami 29 vjeç, të dy në kërkim, me masë arresti me burg dhënë nga Gjykata e Tiranës, dyshohet se janë administratorët e call centerve mashtrues që autoritetet goditën së fundi në Tiranë.

Hitaj, rezulton të ketë qenë i arrestuar më parë për “vrasje me dashje”, të mbetur në tentativë.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Tiranës, të cilën Report Tv e siguron, Xhoni Hitaj, administronte 2 call center-a mashtrues të goditur të hënën (13 prill 2026) nga prokuroria, policia dhe partnerët austriakë. Atë pranë qendrës së Tiranës, në hyrje të rrugës së Kavajës, “Upstream creative”, Në këtë ambient, dyshohet se ndodhej dhe zyra e të konsideruarit bosi i këtij rrjeti, Granit Pepnika, i cili nuk është kapur. Po ashtu, Hitaj është dhe administratori i call center që u zbulua pranë Kopshtit Zoologjik, “Magnolia Group”. MQ QKB ne emër të tij ka edhe subjekte të tjera. Por hetuesit dyshojnë se janë fiktive.

Edhe Marsel Lami, në periudha të ndryshme nga vitit 2023 deri në 2025-ën, rezulton të ketë qenë administrator i disa call center-ave të regjistruar në QKB me emra të ndryshëm. Këto adresa sipas hetuesve, janë fiktive, për të humbur gjurmët, pasi në të vërtetë, siç rezultuan nga kërkimet në teren, aktiviteti zhvillohej në vende të tjera nga ato të deklaruara.

Ndërkohë, i arrestuari tjetër, Xhoel Mekolli, sipas dosjes, rezulton të ketë punuar në periudha të gjata në këto call center, gati 3 vjet.

Hetuesit zbuluan disa operatorë që dyshohej se punonin në call center, të cilët u vunë në përgjimë telefonik, por edhe me pajisjen gjurmuese të vendndodhjes IMSI Catcher, me qëllim lokalizimin e adresave të sakta ku dyshohet se ushtrohej veprimtaria e call centerave. Kjo vështirësi e hetuesve për t’i gjetur zyrat ishte pikërisht prej adresave të gabuara me të cilat subjektet regjistroheshin në QKB.

Nga rezultatet e këtij vëzhgimi punonjëset u panë të shkojnë në call centerin te Rruga e Kavajës, dhe atë pranë Kopshtit Zoologjik.

Ora 11:43
Dosja e call center/ Austriakja e mashtruar zbuloi dyshen kryesore që përfituan 8 mln dollarë nga kriptot, Hoxha dhe Agastra

1776332281_callcenter.jpg

Në dosjen të cilën Report Tv e siguron të call center-ave mashtrues në Tiranë, sipas grupit të përbashkët hetimor të Prokurorisë së kryeqytetit me partnerët austriakë, përfituesit fundorë të kriptovalutave që u vidheshin qytetarëve europianë, janë dyshja Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra, të dy të arrestuar.

Mateo Hoxha, 24 vjeç, sipas prokurorisë, kishte përfituar 3.2 milionë dollar, ndërsa Agastra, 23-vjeçar, kishte përfituar 4.8 milionë dollar.

“Të dy gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa Kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera Kripto”, thuhet në dosje. Një veprim ky për të humbur gjurmët.

Tedi Agastra, është hetuar më parë nga Prokuroria e Tiranës, në 2024-ën, në një cështje ku u lëshuan 19 urdhër arreste për veprat penale të "Ushtrimi pa licence të veprimtarive financiare" dhe "Fshehja e të ardhurave”

Në dosje thuhet se është dokumentuar në hetimin e mëparshëm se, Tedi Agastra në bashkëpunim me babain e tij, i cili ka zyrën e këmbimit valutor "Alba Forex" në rrugën "Abdyl Frashëri, këmbenin kriptovaluta, në para. Në këtë zyrë të këmbimit valutor, nga muaji dhjetor i vitit 2024, punon edhe Mateo Hoxha (i arrestuar në operacionin e së hënës (13 prill 2026).

Babai i 24-vjeçarit, Arbëror Agastra është nën masën e sigurimit personal "Arrest në shtëpi", për cështjen e mëparshme të 2024-ës.  Në këtë grup ka qenë i dyshuar edhe kryefinancieri e televizionit të familjes Berisha, “Syri Tv”, Evis Sopi, i cili gjithashtu kishte një Exchange që dyshohej se e përdorte për të këmbyer kriptomonedhat në para cash.

Teksa prokuroria e Tiranës kishte nisur hetimet prej 2024-ës për call center-at mashtrues, në janar të vitit 2025, austriakët njoftojnë se të tjerë qytetarë atje kanë bërë kallëzime të reja për mashtrim nëpërmjet telefonit nga këshilltarë të supozuar financiarë që i ftonin të bënin investime në platformën "imctrading"

Transaksionet janë kryer në data të ndryshme. Por një qytetare austriake e dëmtuar, ka kërkuar informacione në një kompani shkëmbimi kriptomonedhash, nga ku ka marrë përgjigje se transaksionet e saj lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me dy shqiptarët, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra.