Përplasjet e Adriatik Lapajt të “Shqipëria Bëhet” dhe simpatizantëve me policinë, që vijojnë të qëndrojnë poshtë zyrës së Kryeministrisë prej javësh tashmë, në formë proteste, vijuan edhe mbrëmjen e së dielës. Shkak këtë herë u bë rrethimi në trotuar me kartonë e karrige ku qëndrojnë ditën dhe natën.

Pamjet tregojnë një numër i konsiderueshëm efektivësh policie që afrohen dhe prishin kartonët e vendosur për mbrojtje nga i ftohti dhe marrin sendet e tjera duke i ngarkuar në një mjet për t'i larguar. Në një moment, teksa kryeministri Rama lë godinën, të grumbulluarit njëzëri thirrën “Edi Rama o hajdut”. Njëri prej aktivistëve u shoqërua në polici dhe nga kjo ndërhyrje e bluve, Lapaj e mbështetës të tij e zhvendosët tubimin e tyre përpara Komisariatit nr.1.

Adriatik Lapaj, i vetëm më 8 dhjetor të vitit të shkuar, vendosi të qëndronte pa lëvizur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, poshtë zyrës së kryeministrit, e më pas iu bashkuan mbështetës të partisë së tij si dhe aktivistë. Policia nuk i ka lejuar të vendosin çadra dhe sende të tjera, me pretekstin e bllokimit të lëvizjes së njerëzve në trotuar.