
Në dosjen e SPAK për tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, tregohen me detaje edhe të gjitha kriteret që nuk ka plotësuar bashkimi i kompanive turke Intecar dhe Asl, ndonëse fituan tenderin me vlerë 170 mln euro pa TVSH. Janë 6 kritere që turqit nuk i plotësuan, nënvizon SPAK, duke evidentuar në dosje se janë bashkimi i dy kompanive u shpall fitues në kundërshtim me kriteret e vendosura në dokumentet standarde të tenderit.
Dhe kjo sipas SPAK, ka ndodhur në sajë “të veprimeve të kundërligjshme të Belinda Balluku, nën cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, veprime këto, në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020 "Për Prokurimin Publik" dhe VKM nr. 285, datë 19.05.2021 "Për miratimin e rregullave të prokurimit publik".
Shqiptarja.com publikon kriteret e shkelura nga turqit që evidentohen në dosjen e SPAK.
1-Mungesa e dokumentit për urdhrat përmbarimorë
Fituesit nuk kanë paraqitur dokumentin që vërteton se kapitalet dhe asetet e tyre nuk janë objekt i ndonjë urdhri përmbarimi, siç kërkohej në kriterin 2.1, germa “a”. Sipas SPAK, kjo përbën shkelje direkte të rregullave për “Kriteret e veçanta të kualifikimit”.
2-Dokumentet e papërkthyera dhe të pacertifikuara
Dokumentet e paraqitura nga turqit lidhur me sigurimet shoqërore të punonjësve ishin vetëm në turqisht dhe nuk ishin përkthyer apo certifikuar në gjuhën shqipe, në kundërshtim me kriterin 2.1, germa “a”. Tenderi kërkonte që çdo dokument në gjuhë tjetër përveç anglishtes apo shqipes të shoqërohej me përkthim të certifikuar në shqip, gjë që nuk është bërë.
3-Mungesa e përvojës së kërkuar në ndërtim urash
Bashkimi i operatorëve turq nuk ka provuar përvojë të mëparshme në ndërtimin e një ure me gjatësi minimale 120 metra, siç kërkohej në kriterin 2.3 për “Kapacitetin Teknik”.
“Rezulton se nuk është demonstruar që operatori ekonomik "Asl Insaat Taakhut Ve San. Tic. Ltd. Sti", të ketë përvojën e suksesshme në ndërtimin e 1 (një) ure me gjatësi prej të paktën 120 m, siç kërkohet në kriterin 2.3 "Kapaciteti Teknik".
Në dokumentet standarde të tenderit, në pikën 2.3 "Kapaciteti Teknik", parashikohet se operatori ekonomik duhet të demonstrojë: "Përvojën e suksesshme si kontraktor ose partner në një sipërmarrje të përbashkët, bashkim shoqërish apo shoqate (JVCA) lidhur me ekzekutimin e të paktën 1 (një) kontrate për ndërtim urash në rrugë, të një natyre dhe kompleksiteti të krahasueshëm me kontratën aktuale, brenda 5 (pese)viteve të fundit, përpara afatit të dorëzimit të ofertës, kontratë që përfshijnë minimalisht ndërtimin e 1 (një) ure me gjatësi prej të paktën 120 m".
Sa më sipër, rezulton se kualifikimi i operatorit ekonomik, "Bashkimi i Operatorëve ekonomikë "Intekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti & Asl Insaat Taahhut Ve San. Tic. Ltd. Sti", është bërë në kundërshtim me pikën 2.3 "Kapaciteti teknik", Kriteret e Veçanta të Kualifikimit, të Dokumentave Standarde të Tenderit”, thuhet në dosjen e SPAK.
Shkelja me certifikatat
Të dy kompanitë turke, Intekar dhe ASL Insaat, dorëzuan certifikata ISO që nuk janë lëshuar nga Organi i Akredituar i Vlerësimit të Konformitetit, nga Organi Kombëtar i Akreditimit ose nga një Organ Ndërkombëtar i Akreditimit, i njohur nga Republika e Shqipërisë.
SPAK thekson në dosje se “në dokumentet standarde të tenderit, në pikën 2.3 "Kapaciteti Teknik", gërma "b" parashikohet që operatori ekonomik duhet të:
b) Konfirmojë se pajtohet me të gjitha kërkesat e standardet ndërkombëtare. Certifikatat e tij duhet të lëshohen nga Organi i Akredituar Vlerësimit të Konformitetit, nga Organi Kombëtar Akreditimit ose nga një Organ Ndërkombëtar i Akreditimit, i njohur nga Republika e Shqiperise. Ai duhet të certifikohet të paktën për standardet e mëposhtme:
ISO 9001:2015-Sistemet e Menaxhimit të Cilësisë;
ISO 14001:2015-Sistemet e Menaxhimit Mjedisor,
-OHSAS 18001-2007 ose ISO 45001 - Menaxhimi i Shëndetit dhe Sigurisë në Punë,
- ISO 39001-2012-Sistemet e Menaxhimit të Sigurisë së Trafikut Rrugor (STRR)
Sa më sipër rezulton se kualifikimi i operatorit ekonomik, "Bashkimi i Operatorëve ekonomike "Intekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti & Asl Insaat Taahhut Ve San. Tic. Ltd. Sti.", është bërë nga Komisioni i Vlerësimit të Oferatve, në kundërshtim me pikën 2.3 "Kapaciteti teknik", germa "b". Kriteret e Veçanta të Kualifikimit, të Dokumentave Standarde të Tenderit."
5- Mungesa e kontratave të punës për 250 punonjës
Asnjë nga dy operatorët nuk dorëzoi kontrata individuale pune për 250 punonjës, siç parashikohej në kritere. Ata paraqitën vetëm lista sigurimesh shoqërore dhe e CV.
6-Mungesa e dokumenteve për makineritë dhe pajisjet
Operatorët nuk dorëzuan dokumentacionin shoqërues të makinerive të nevojshme për ekzekutimin e kontratës.
Lajmi kryesor:
DOSJA/ Tuneli i Llogarasë, provat e SPAK për Ballukun: Ministrja mbikëqyri çdo hap në të dy garat, 'anuloni urgjent' tenderin e parë, në të dytin paracaktoi turqit












