Dosja/ Emrat e 94 fermerëve të Korçës që u është faturuar krom, pas Xhevdet Hysenit, në skenë ish-kreu i dhomës së tregtisë turko-shqiptare i dënuar për punësim të paligjshëm

Dosja/ Emrat e 94 fermerëve të Korçës që u është faturuar krom, pas Xhevdet Hysenit, në skenë ish-kreu i dhomës së tregtisë turko-shqiptare i dënuar për punësim të paligjshëm

Xhevdet Hyseni dhe biznesmeni turk Fethi Kaya

Kjo është lista me emrat e 94 fermerëve të duhanit në Korçë, të cilëve u është faturuar sikur kanë shitur krom, në kuadër të një skeme abuzimi me fatura fiktive, rimbursimi me TVSH dhe aktiviteteve të tjera të dyshuara të paligjshme. Lista është një e një dosje që biznesmeni i duhanit Gazmir Sardi ka referuar në Prokurorinë e Durrësit në vitin 2015, i cili pretendon se në emrin e tij dhe të kompanisë së tij është kryer një aktivitet kriminal ekonomik me kosto miliona euro, përmes hapjes së kompanive fantazmë, faturimeve fiktive, falsifikimeve, vlerësime dhe zhvlerësime abuzive, evazion fiskal, pastrim parash etj.

Sardi pretendon se i kishte besuar aktivitetin e kompanisë “SARDI” shpk, me nipt: J91321501L, ekonomistit Xhevdet Hysenit (personi në foto). Sipas tij, Xhevdet Hyseni mbante vulën e kompanisë, përpilonte bilancet vjetore dhe kryente veprime në tatime në mirëbesim. Gazmir Sardi pretendon Xhevdet Hyseni ka kryer prapa krahëve dhe duke keqpërdorur besimin tij, një aktiviteti të gjatë abuziv, në bashkëpunim me persona të tjerë, ku dyshohet se janë përfshirë edhe segmente të tatimeve. Lista me emrat e 94 fermerëve të duhanit, të cilëve u është faturuar sikur kanë shitur krom, është vetëm një nga elementët e dosjes. 

Në dosje emri i biznesmenit turk i dënuar për evazion fiskal  

Në dosjen që qëndron në Prokurorinë e Durrësit, rezulton edhe emri i kompanisë “Tur-Alb-Krom”, një subjekt që ushtron aktivitet minerar në Zonën D në Bulqizë dhe që ka qenë objekt masash ndëshkuese nga Ministria e Energjisë për shkak të mangësive dhe shkeljeve gjatë aktivitetit minerar.

Kompania “Tur-Alb-Krom”, me objekt shfrytëzimin e vendburimeve të mineraleve, është themeluar në qershor të vitit 2008, nga shtetasi turk Fethi Kaya. Ky i fundit ka qenë President i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqiptare-Turke deri në vitin 2020. 

Fethi Kaya shfrytëzon miniera në Kalimash dhe  Bulqizë. Sipas burimeve, turku është dënuar për punësim të paligjshëm, ndërsa çështja aktualisht është në Apel. 

Kapitali fillestar i kompanisë “Tur-Alb-Krom” ishte 100 mijë lekë, por befas, kapitali, në 2013, u rrit në rreth 1.6 milionë USD, ndonëse gjatë kësaj periudhe, referuar historikut të kompanisë, nuk kemi bilance dhe shtim asetesh, por vetëm shtim vendndodhjesh. Në një rast, si vendndodhje e kompanisë në Bulqizë, shënohet një rimorkio me targë DR 7159 D. Aktualisht kapitali i kompanisë është 4.5 milionë USD.

Po si figuron kompania e turkut Fethi Kaya në dosjen që biznesmeni i dëmtuar Gazmir Sardi ka referuar në prokurori?

Gazmir Sardi dyshon për një bashkëpunim mes pronarit të kompanisë së kromit Fethi Kaya dhe Xhevdet Hysenit, duke u faturuar kromin fermerëve të duhanit, në mënyrë të paligjshme dhe për qëllime fitime me rimbursimin e TVSH.

Sipas dosjes, Gazmir Sardi thotë se i ‘besuari i tij’ si ekonomist Xhevdet Hyseni, fillimisht, ka hapur në Kavajë një dyqan të tregtimit të cigareve dhe më pas një dyqan fantazme, duke e kthyer në magazine doganore. Gazmir Sardi pretendon se nga kjo magazinë, Xhevdet Hyseni ka bërë hyrje të sasive të ndryshme kromi, veprime, sipas tij, të kryera në shkelje të detyrës që kryente.

Nga ana tjetër, Xhevdet Hyseni ka ushtruar edhe detyrën e zv /drejtorit dhe Drejtorit ekonomik të Portit Detar Durrës. Nga ana tjetër, biznesmeni i kromit Fethi Kaya ka deklaruar si adresë edhe një shesh për grumbullimin e kromit në portin e Durrësit.

Prokuroria e Durrësit ka tentuar të mbyllë dosjen, pavarësisht faktit që fermerëve u është faturuar krom dhe në emrin e Gazmir Sardit është kryer një sagë veprimesh abuzive dhe me pasoja të rënda. Por, kërkesa e prokurorisë për mbylljen e dosjes, është rrëzuar nga Gjykata e Durrësit me vendim në 68/659, në 16 qershor 2020.

Përpos të tjerave, në detyrat që gjykata i lë për zbatim prokurorisë, është edhe “Në hetim duhet të pyeten dhe shtetasit Agim Demrozi, ish ortak me personin që ka bërë kallëzimin penal Gazmir Sardi si dhe shtetasi Xhevdet Balla administrator i subjektit “Orxhepa”, e administratori i subjektit “Tur-Alb-Krom” sh.p.k, me qëllim sqarimin e të gjithë pretendimeve të ankuesit Gazmir Sardi. Në varësi të veprimeve hetimore të mësipërme, Prokuroria mund të zgjerojë hetimet me veprime të tjera hetimore për të vendosur për mënyrën e përfundimit të çështjes penale të mësipërme”.

Gjykata ka kërkuar nga prokuroria që këto veprime hetimore t’i realizojë brenda gjashtë muajsh.

Historia

Në 9 nëntor të vitit 2015, në Prokurorinë e Durrësit regjistrohet një kallëzim penal i biznesmenit të mbledhjes dhe përpunimit të duhanit Gazmir Sardi kundër Xhevdet Hysenit, i cili më parë kishte ekonomist në kompaninë e Sardit “SARDI” shpk, me nipt: J91321501L. Gazmir Sardi pretendon në prokurori se Xhevdet Hyseni mbante vulën e kompanisë, përpilonte bilancet vjetore dhe kryente veprime në tatime në mirëbesim. Sardi pretendon se Xhevdet Hyseni ka kryer prapa krahëve dhe duke keqpërdorur besimin tij, një aktiviteti të gjatë abuziv, me kosto miliona euro, si hapje degësh fiktive, vlerësime dhe zhvlerësime abuzive, evazion fiskal, pastrim parash, faturime fiktive etj.

Gazmir Sardi është alarmuar dhe ka kuptuar gjithçka vetëm kur në derën e tij kanë trokitur tatimet me një faturë gjobe falimentuese.

Sipas dosjes, Gazmir Sardi ka nisur aktivitetin e biznesit të grumbullimit dhe tregimit të dunat në vitin 1993 në Korçë. Në vitin 1997, këtë aktivitet e ka zhvendosur në Durrës, ku është njohur me Xhevdet Hysenin, i cili në atë kohë mbante detyrën e shefit të financës në ish Fabrikën e Cigareve Durrës. Me kalimin e kohës, Gazmir Sardi thotë se i ka besuar Hysenin veprimet procedurale në emrin e kompanisë në raport me tatimet, bilancet, faturat etj.

Gazmir Sardi pretendon në prokurori se gjatë periudhës 2005-2010, Xhevdet Hyseni ka kryer aktivitet të paligjshëm në emrin e kompanisë, duke dëmtuar rëndë interesat e tij dhe të shtetit. Gjatë kësaj kohe, Xhevdet Hyseni ushtronte edhe detyrën e zv /drejtorit dhe Drejtorit ekonomik të Portit Detar Durrës.

Lista e fermerëve të duhanit që u faturuan sikur shitën krom
 

M.Q./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori