Qeveria e kryeministrit britanik Keir Starmer po përballet me një tjetër goditje, pasi drejtori i komunikimit në kryeministri, Tim Allan, dha dorëheqjen.

Largimi i Allan vjen vetëm një ditë pasi nga detyra u tërhoq edhe Morgan McSweeney, shefi i kabinetit dhe një nga këshilltarët më të afërt të kryeministrit. Dorëheqjet lidhen me krizën e krijuar pas mbështetjes për Peter Mandelson, i nominuar për ambasador të Mbretërisë së Bashkuar në Uashington, mes zbulimeve për lidhjet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein.

Në deklaratën e tij të dorëheqjes, Allan tha se kishte vendosur të largohej për t’i hapur rrugë formimit të një ekipi të ri.

“I uroj Kryeministrit dhe stafit të tij çdo sukses,” u shpreh ai.

Tim Allan ka një karrierë të gjatë në politikën britanike. Ai ka shërbyer si këshilltar i ish-kryeministrit Tony Blair nga viti 1992 deri në 1998 dhe më pas ndërtoi një nga firmat më të njohura të konsulencës për çështje publike në Mbretërinë e Bashkuar. Në shtator 2025, ai u emërua drejtor ekzekutiv i komunikimit në Downing Street.

Dorëheqjet e njëpasnjëshme po shtojnë presionin mbi kryeministrin Starmer, i cili po përpiqet të menaxhojë krizën politike të shkaktuar nga polemikat rreth emërimeve dhe lidhjeve të figurave kyçe të qeverisë me Jeffrey Epstein.