Këngëtari amerikan Chris Brown është paraqitur të hënën në Gjykatën e Southwark në Londër, ku pritet të shpallet vendimi për dënimin e tij lidhur me sulmin ndaj producentit Abraham Diaw, të cilin e goditi me një shishe tequila në një klub nate në shkurt të vitit 2023.

Ylli i muzikës R&B, 37 vjeç u arrestua në maj të vitit 2025 pasi u rikthye në Britani për herë të parë që nga incidenti i ndodhur në klubin Tape në Londër. Fillimisht, atij iu mohua lirimi me kusht, duke vënë në pikëpyetje zhvillimin e turneut të tij ndërkombëtar “Breezy Bowl XX”.

Brown dhe trajneri i tij vokal, Omololu Akinlolu, 40 vjeç u deklaruan fajtorë në korrik për akuzën e përleshjes së dhunshme, pasi fillimisht kishin mohuar akuzat më të rënda për tentativë shkaktimi të dëmtimeve të rënda trupore dhe sulm që shkakton dëmtime fizike.

Për këtë vepër penale, dënimi maksimal mund të arrijë deri në tre vite burg, megjithëse gjykata mund të vendosë edhe pezullimin e tij.

Këngëtari u lirua më vonë pasi premtoi të paguante një garanci financiare prej 5 milionë paundësh, çka i mundësoi vazhdimin e turneut.

Çështja gjyqësore vjen pas një historie të gjatë polemikash që kanë shoqëruar jetën e Brown. Në vitin 2009, ai u akuzua për sulmin ndaj partneres së tij të atëhershme, këngëtares Rihanna. Fotografia e fytyrës së saj të mavijosur bëri atëherë bujë në mbarë botën.