Domart Konjari është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, por ky institucion nuk ka asnjë të dhënë për vendodhjen e tij. Nëpërmjet një shkrese dërguar Gjykatës së Krimeve të Rënda, Zyra e Interpol Tiranës, konfirmonte se ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, por nuk ka asnjë informacion mbi vendodhjen e Domart Konjarit, i pandehur tek Krimet e Rënda, si drejtues i grupi të trafikut të drogës në Francë.

Pas leximit të kësaj shkrese, gjyqi kundër Konjarit është shtyrë për shkak të mosgjetjes së tij. Konjari ndodhet në arrati, pasi ende nuk është ekzekutuar masa “arrest në burg”, caktuar në mungesë ndaj tij. Gjithashtu në seancën e djeshme përgjigje kishte kthyer dhe komisariati nr.4 në Tiranë, i cili konfirmonte se Konjari nuk ishte banor i zonës që ky institucion juridikisht mbulon.

Gjykata e Krimeve të Rënda i kërkon Policisë së Shtetit të rikryej kontrolle dhe të arrestojë Domart Konjarin i akuzuar nga Prokuroria për trafik ndërkombëtar droge. Në çdo seancë Konjari nuk është i pranishëm dhe se prej dhjetorit 2016 ndaj tij është në fuqi masa e sigurisë arrest me burg për llogari të hetimeve të nisura nga prokuroria shqiptare pas kërkesës së autoriteteve franceze dhe një hetim tjetër që fillimisht ka nisur në Korçë.

Konjari u arrestua vitin e shkuar për llogari të autoriteteve franceze ndërsa apeli i krimeve të rënda e liroi duke caktuar ndaj tij masën detyrim paraqitje. Sipas prokurorisë Konjari është i përfshirë në trafikun e kokainës dhe heroinës nga Amerika Latine në Europë e kryesisht në Francë. Konjari dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës në disa shtete të Europës Qendrore pasi mendohet se ka lidhje direkte me burimin e prodhimit të saj në Amerikën e Jugut.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com