TIRANE - Dosja e Ilir Xhakjes në Gjykatën e Durrësit, mbi të cilën u përfundua analiza nga inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është konstatuar me parregullsi. Ilir Xhakja është i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj, i cili humbi jetën më 13 shtator në Katund të Sukthit.

Më 21 shtator nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë u njoftua se përfundoi analiza e dosjes “Xhakja” si dhe faza e konkluzioneve të inspektorëve mbi këtë dosje. Ndërkaq, sot, pas diskutimit të fundit në KLD, u konstatua se dosja e Ilir Xhakjes ka pasur parregullsi në Gjykatën e Durrësit nga ku dhe është dhënë vendimi nga gjyqtari Neritan Tabaku, i cili ka dhënë vendimin për lirimin e tij. Por parregullsitë konkludojnë edhe për gjyqtarë të tjerë të Gjykatës së Durrësit mbi dosjen "Xhakja".

Në një deklaratë zyrtare KLD thotë se janë konstatuar parregullsi, të cilat në përputhje me nenin 32 të Ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, përbëjnë shkak për procedim disiplinor të gjyqtarëve. Për këtë arsye, Zëvendëskryetari i përcolli sot Ministrit të Drejtësisë, dokumentacionin përkatës dhe relacionin, për vazhdimin e procedurave ligjore, lidhur me procedimin disiplinor.

Inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pak ditë pas arrestimit të Ilir Xhakjes për vrasjen e kryekomisar Tahiraj, filluan aksionin kontrollues në Gjykatën e Durrësit dhe sekuestruan të gjitha dosjet penale të 38 vjeçarit.

Xhakja ishte me precedentë të shumtë penale, dhe dyshimet e inspektorëve u ngritën mbi vendimet e gjykatës së Durrësit për lirimin e tij mbi këto vepra. Vetëm pak kohë pas lirimit, Ilir Xhakja, i njohur ndryshe si i forti i Durrësit, realizoi vrasjen e radhës, atë të kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj, i cili humbi jetën në krye të detyrës.

Redaksia Online


(Gre.M/Shqiptarja.com)