TIRANE- Ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami, zyrtarë të Drejtorisë së Prokurimit Publik dhe Drejtorisë Juridike të kësaj ministrie, janë dërguar për ndjekje penale në Prokurorinë e Përgjithshme. Mes të kallëzuarve është dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse Shkëlqim Berisha, njeri i afërm i ish-kryeministrit Berisha.

Materiali voluminoz është përpiluar nga një grup ekspertësh të Ministrisë së Mbrojtjes dhe se tashmë i është dorëzuar për hetime të mëtejshme zyrës së njësisë hetimore Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Gazeta “Shqiptarja.com” zbulon se bëhet fjalë për rreth 7 ish-zyrtarë të ministrisë së Mbrojtjes, që kanë shkelur ligjin në rastet e shitjeve të pronave të ushtrisë, shitjen e 3 nëndetseve dhe 4 anijeve siluruese, përdorimin e rezervave të naftës së ushtrisë për makinat e PD, gjatë fushatës elektorale, si dhe keqmenaxhimi i fondeve publike, lidhur me spotet televizive për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Bëhet fjalë për anëtarë dhe kryetarë të komisioneve tenderuese, që pritet të hetohen si dhe vetë ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami, zyrtar ky që është përfolur shumë për afera korruptive në ushtri, gjatë kohës kur PS ishte në opozitë. Materiali kallëzues është referuar për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazinë në tendera dhe ankande publike”.

Rasti i spoteve TV
Rast tjetër flagrant lidhet dhe me shumat financiare që janë shpenzuar për spotet publicitare në televizione për Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Bëhet fjalë për një shumë 1.2 milion euro që është shpenzuar në këtë drejtim, duke përdorur argumentit e futjes së ushtrisë shqiptare në aleancën e madhe të NATO-s. Të gjitha spotet janë kryer duke pasqyruar arritjen e ushtrisë shqiptare, përfshirë këtu dhe futjen e saj në NATO. Duke përdorur emrin e kësaj organizate politiko-ushtarake, zyratë të ministrisë së Mbrojtjes kanë abuzuar me fondet e spoteve televizive, ku në shumicën e rasteve, këto spote u janë dhënë për transmetim televizoneve qeveritare.

Rasti i nëndetëseve
Një shkelje tepër e rëndë është konsideruar nga zyrtarët aktualë të ministrisë së Mbrojtjes, shitja për skrap e 3 nëndetësve të bazës së “Pashalimanit”, 4 anijeve siluruese në ”Bisht-Pallë” si dhe dy depove me silurë dhe mina detare. Sipas këllëzimit të ministrisë, për kthimin në skrap të flotës detare, ish-ministri me një urdhër të tij, ka ngritur një grup pune me ekspertë ekonomikë, juristë dhe një specialist detar, ku kanë bërë verifikimin në teren të paisjeve motorike detare dhe dy depove që përmanin municione të tipit silurë dhe mina detare. Ky grup personash ka përcaktuar vlerën e shitjes për 1 kg hekur të mjeteve lundruese, ku sipas kallëzimit të ministrisë në këtë rast është përdorur një shitje me dy çmime të ndryshme, pasi vlera e një kilogram hekuri mbi ujë është blerë me 34 lekë, ndërsa skrapi nën ujë, 18 lekë për kg, duke argumentuar këtë çmim me faktin se pjesa e hekurit që kishte qëndruar nën ujë, ishte konsumuar nga ndryshku.

Nafta e ushtrisë
Shkelje e rëndë konsiderohet nga ministria e Mbrojtjes dhe abuzimi me rezervat e naftës të ushtrisë, ku një pjesë e madhe e kësaj sasie, është vënë në dispozicion të Partisë Demokratike, gjatë fushatës elektorale 2013. Dalja e naftës nga depozitat e ushtrisë, ka vënë në rrezik në disa raste sigurinë kombëtare të vendit, pasi ushtria, dhe më konkretisht Flota Detare, nuk ka kryer operacione të posaçme, për shkak të mungesës së naftës. Për këtë rast, ministria e Mbrojtjes bën përgjegjës ish-ministrin Imami, duke e kallëzuar atë për “Shpërdorim detyre”.

Rastet objekt hetimi
Shitja e 4 siluruesve “Bisht-Pallë”
Shitja e 3 nëndetëseve “Pashaliman”
Shitja e silurve dhe minave detare
Shitja e avionëve luftarak “Mig”
Shitja e helikopterëve ushtarakë
Shitja e motorëve të avionëve
Shitja e trojeve të reparteve
Përdorimi i naftës në fushatën e PD
Shpërdorim fondesh spotet e ushtrisë

Shkrimi u publikua sot (10.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)