Hetimet e SPAK kanë zbuluar se për verërat e shtrenjta të gjetura në kantinën që kishte në vilën e tij në mjediset e “Equos Resort” Ergys Agasi nuk rezulton të ketë paguar as edhe një qindarkë. Edhe ato kanë qenë një formë pagese shpërblimi që kompanitë Soft & Solution shpk e Ermal Beqirit; Fastech shpk e Andis Papës, First shpk e Gëzim Hoxhës dhe shoqëritë e tjera të lidhura me to, kishin kryer për tenderat që kishin fituar nga AKSHI, shpjegohet në vendimin e Gjykatës për sekuestrimin e pasurive të Agasit dhe drejtuesve të këtyre kompanive, të cilin Report Tv e disponon. Sipas hetimit, dyshohet se bëhet fjalë për një vlerë prej mbi 950 mijë euro.
Një faturë e gjetur mbi disa arka druri me shishe vere e shampanje në garazhin e vilës tjetër të Agasit në Qerret të Durrësit, ka çuar hetuesit në zbulimin e furnizuesit të pijeve të shtrenjta, të cilat vinin në Shqipëri, të paktën në këtë rast, me postën e shpejtë dhe të kushtueshme DHL. Fatura ishte në emrin e shoqërisë "Fast & Fresh'", në pronësi të shtetasit Andis Papës, pronar edhe i Fastech shpk, kompani e cila fitonte tendera te AKSHI.
Vetëm për periudhën Tetor 2024 - Nëntor 2025, "Fast & Fresh” kishte importuar pije në vlerën totale 1.130.265 Euro dhe për periudhën Nëntor 2024 - Dhjetor 2025 ky subjekt ka faturuar blerje ndaj “Fastech” shpk dhe "Soft & Solution" shpk shumën prej 94.423.883 lekë (ose mbi 950 mijë euro me kursin aktual).
Kjo rrethanë, sipas hetuesve, përputhet dhe me kontrollin e ushtruar në ambientet e "Equos Resort”, konkretisht në banesën e të hetuarit Ergys Agasi, gjatë kontrollit të së cilës, në ambientin e poshtëm të vilës, u konstatua një numër i lartë pijesh alkoolike (verë e kuqe), të cilat janë të ngjashme me ato të evidentuara nga këqyrja e praktikave doganore për llogari të subjektit "Fast & Fresh", në pronësi të shtetasit Andis Papa.
Në të vërtetë afro 600 shishet verëra të shtrenjta që u gjetën në vilën e Agasit, u zhdukën pa lënë gjurmë, pasi prokurorët ia lanë për detyrë Doganës që të bllokonte mallin i cili ishte pa pullë fiskale.
SPAK thotë se dyshimet që këto produkte janë paguar dhe porositur për llogari të të hetuarit Ergys Agasi, janë konfirmuar dhe nga shpjegimet e të hetuarit Andis Papa, sipas të cilit verërat e shtrenjta të importuara nga kompania e tij “kryesisht kanë qenë porosi të shtetases Arjola Kormani”. (administratore e Soft&Solution, në pronësi të Ermal Beqirit)
Papa i ka treguar hetuesve se “porositë i bënte direkt ajo por, në emrin e shoqërisë Fast & Fresh. Pagesat për këto produkte, bëheshin në këtë formë, pra ajo bënte porosinë, mua më vinte fatura nga shitësi dhe unë bëja pagesën me bankë nëpërmjet Union Bank. Më pas, Arjola i paguante verërat në varësi të likuiditetit, kishte dhe raste që lekët vinin nga shoqëria Soft & Solution, paraprakisht, me bankë dhe më pas kaluam në pagesa kesh. Kur nuk kishte mundësi, ajo sillte dhe lekët kesh, në formën e paradhënies. Dua gjithashtu të sqaroj se shoqërisë Soft & Solution nuk i kemi shitur verëra me fitim, por gjithnjë me vlerën që i bleja, ky fakt edhe për shkak të bashkëpunimit dhe njohjes me Ermal Beqirin”.
Lajmi kryesor:
Dosja 'AKSHI'/ 11 mln euro dhe verëra të shtrenjta, shpërblime për Ergys Agasin! Për të, Ermal Beqirin e 6 të tjerë, shtohet dhe akuza e korrupsionit











