Serveri i kamerave të sigurisë së vilës së Ergys Agasit, në një zonë në periferi të Tiranës, rezulton të jetë zhdukur. Ndërsa një koleksion verash, me një vlerë që mund të shkojë në disa miliona euro, i gjetur në të njejtën banesë, u tret pa lënë gjurmë. Agjentët e BKH-së. të cilët ushtruan kontroll me urdhër të SPAK kishin konstatiuar se pijet ishin pa pullë fiskale. Për këtë ato njoftuan Doganën, e cila bllokoi mallin, por pa e vënë atë në ruajtje, deri në momentin kur do duhet të shkonin për të tërhequr shishet e bllokuara.

Për episodin e ndodhur pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë një urdhër arresti për Eno Agasin, kushëririn e Ergysit. Ky i fundit është po ashtu në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të një hetimi i cili përfshin tenderat e organizuar nga AKSHI.

Emri i Ergys Agasit u shfaq në listën e personave për të cilët SPAK njoftoi të martën se kishte lëshuar një urdhër arresti. Ai, së bashku me sipërmarrësin Ermal Beqiraj, dyshohet për krijimin e një grupi kriminal për manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Të dy janë ende në kërkim.

Zhdukja e serverit të kamerave të sigurisë hedh dyshime të forta. Ajo duket qartazi se është një përpjekje për të fshirë gjurmët e lëvizjeve të personave që kanë frekuentuar Ergys Agasin në banesën e tij, si dhe të mjeteve me të cilat është bërë transporti i verërave.

Sipas procedurës, për verërat e zbuluara në banesë ishte njoftuar Drejtoria e Doganave, duke qenë se malli ishte pa pullë fiskale, i futur kontrabandë. Koleksioni i verërave ishte shumë i shtrenjtë, me shishe që fillonin që nga viti 1922. Organi i akuzës ka dyshime se përmes kantinës dhe koleksionit të verërave mund të ketë edhe elementë për pastrim parash.

Doganat bënë inventarin përgjatë disa orëve dhe mësohet se përllogaritën një dëm prej afro 400 mijë eurosh, shkaktuar buxhetit të shtetit nga mospagimi i akcizës dhe detyrimeve të tjera.

Mbetet e paqartë se si Doganat nuk e vunë në ruajtje mallin, i cili mendohet të ketë një vlerë disa miliona euroshe, por e lanë në duart e Eno Agasit, kushëri i parë i Ergys Agasit, i cili më pas gjatë natës e ka hequr verën nga banesa.

Për Eno Agasin është vendosur nga Gjykata e Tiranës masë sigurie në mungesë “arrest me burg” dhe ai vijon të jetë në kërkim së bashku me kushëririn e tij.

Të enjten, Gjykata e Posaçme zhvilloi seancën për rivlerësimin e 6 masave të ekzekutuara, në kuadër të hetimeve që përfshinë AKSHI-n.

E vetmja masë që ndryshoi ishte për zv/drejtorin e Policisë së Tiranës, të dyshuar edhe ai për grup kriminal, Erion Ismailaj, të cilit iu revokua ndalimi për të dalë jashtë vendit, por pezullimi nga detyra mbetet në fuqi.

Drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karcanaj, dhe zv/drejtoresha Hava Delibashi mbeten në masë “arrest shtëpiak”. Me masë ndalim për të dalë jashtë vendit janë edhe tre administratorë të kompanive.

Agasi dhe Beqiraj, të cilët dyshohet se e kanë lënë vendin, akuzohen se përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit detyruan biznesmenin Gerond Meçe të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë ku donin të dilnin fituese kompanitë e lidhura me ta.