Dosja "Viluni", nën hetim 15
persona, mes tyre dhe PlanajPërgjimi:Porosia s’erdhi u kap rrugës,shihe në internet

Dosja persona, mes tyre dhe PlanajPërgjimi:Porosia s’erdhi u kap rrugës,shihe në internet">
Një sasi prej 840 kg drogë, e gjetur nga policia e Vlorës e braktisur në gadishullin e Karaburunit, ka shërbyer si indicie për policinë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, që të bien në gjurmët një grupi kriminal që trafikonte drogën nga Shqipëria drejt tre familjeve Italinë, në zonën e Siçilisë. Në qershor të 2017 u arrestuan Andrea Çaushi, Andi Mita, Kasëm Piluri dhe Altin Rramolli.

Këta persona janë ndaluar në vijim të operacionit policor për të shkatërruar një pjesë të celulës së trafikut të drogës, që dy vite më parë u arrestua në zonën e lagunës së “Vilunit” në Lezhë. Nga ana tjetër Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se vijon hetimet ndaj 15 personave të tjerë, që dyshohet se janë të implikuar në këtë trafik droge.

“Shqiptarja.com” mëson se pjesa më e madhe këtyre personave janë shpallur në kërkim nga prokuroria, ku mes tyre dyshohet se është dhe biznesmeni Bardhok Planaj. Lista e personave të imlikuar në trafikun e drogës vijon me shtetasit Përparim Rraja, Ilir Hajdini, Gjeto Çekaj, Gazmir Mehmetaj, Andi Mita, Detjon Mehmetaj, Denis Kurti, Gentjan Sulo, Adrian Agaraj, Sami Zeneli, Denis Mahmutaj, Çimi/Nriçim Brahimi, Shkëlzen Kallaku dhe Thoma Theodhori.

Në gjurmë të grupit pas kapjes së 840 kg drogë
Pas marrjes së informacioneve se disa persona po tentonin të trafikonin drogë, janë marrë masat dhe janë dërguar në vendin e quajtur “Gjiri i Gramës”, Karaburun, shërbimet e policisë së Seksionit Kundër Narkotikëve Vlorë, të cilët kanë gjetur një sasi lënde narkotike kannabis sativa, të ambalazhuar dhe të ndarë në 20 çanta dhe 38 thasë. Pas peshimit, lënda narkotike e sekuestruar ka rezultuar me peshë totale 840 kg. Kjo sasi droge ishte sjellë nga Sarandë në “Gjirin e Gramës” në Karaburun dhe planifikohej që nga ky vend, të transportohej drejt Greqisë dhe më pas drejt Siçilisë në Itali. Kishte informacion se disa persona kanë arritur të sigurojnë një sasi të konsiderueshme lënde narkotike dhe e mbajnë në ruajtje në pritje të kalimit me mjet lundrues në drejtim të Italisë, ku kishin krijuar prej kohësh lidhjet e veta të konsoliduara me disa shtetas italianë (porositës të lëndës narkotike), ndër të cilët Vincenzo (Enco) Catania dhe Concetto di Mauro etj.

Trafikantët gabuan në kordinatat e dhëna
Pas kapjes së drogës në Karaburun, grupi i narkotrafikut ndryshoi linjën e trafikut të drogës, duke braktisur përpjekjet për të trafikuar drogën. Personat e implikuar filluan të nxjerin drogën nga zona e Lezhës dhe më konkretisht nga laguna e Vilunin dhe “Rrana e hedhun” në Lezhë.Një ndër epsisodet që prokuroria ia ka paraqitur gjykatës në datën 15 qershor 2017 është ngjarja e datës 30 shtator 2014 dhe 1 tetor 2014 në vendin e quajtur “Rana e hedhun”, midis lagunës së Vilunit Velipojë dhe Shëngjinit. Nga aktet që ndodhen në dosje, rezulton që sasia e lëndës narkotike të grumbulluar ishte ngarkuar në skaf në Velipojë, në mbrëmjen e datës 29 shtator 2014, për t’u dërguar në Itali, te pritësit e saj, të cilët janë identifikuar si shtetas italianë.

Në datën 30 shtator 2014, rreth orës 21:00, në vendin e quajtur “Rana e hedhun”, midis lagunës së Vilunit Velipojë dhe Shëngjinit, shërbimet e policisë kufitare dhe ato të Guardia di Finanza, kanë parë të hidheshin në det nga një skaf çanta, të cilat i kanë nxjerrë nga deti. Këto çanta kishin 80 pako me mbështjellje natribani, lëndë bimore të ngjashme me lëndën narkotike cannabis sativa, me peshë 201,5 kg. Në datën 1 tetor 2014, rreth orës 12:00 në vendin e quajtur “Grykëderdhja e Bunës” në Velipojë, janë gjetur të hedhura në det edhe 15 çanta, brenda të cilave kishin 97 pako të mbështjella me natriban të mbushura me lëndë narkotike, me peshë 579 kg.  

Nga të dhënat e hetimeve provohet se kjo lëndë narkotike nuk u dërgua në territorin italian, pasi drejtuesit e skafit nuk morën koordinatat e sakta nga bashkëpunëtorët e tyre të ndodhur në territorin shqiptar, për vendin se ku do të shkarkohej ky mall. Konstatohet se personat në skaf u detyruan të hidhnin çantat në det, një pjesë e të cilave u gjetën dhe u sekuestruan nga policia (pasi ata po ndiqeshin nga forcat e policisë kufitare dhe ato të Guardia di Finanza),duke mos u bërë e mundur gjetja dhe kapja e skafit dhe e personave që ishin në të.

Sipas të dhënave është arritur të provohet plotësisht se sasia e lëndës narkotike që po trafikohej, ishte siguruar nga shtetasit (tashmë të dënuar me vendim të formës së prerë) Mikel Hoxha dhe Ervis Sulo në rrethinat Vlorë-Tepelenë, ndërsa pjesa tjetër në veri të vendit, nga Indrit Rraja së bashku me personat nga rrethinat e Krujës dhe të Shkodrës. Personat që po organizonin këtë veprimtari kriminale, janë takuar disa ditë para ngjarjes dhe kanë vendosur që trafikimi (transportimi) të kryhej me mjet lundrues, ku si shoqërues të “mallit” në skaf përveç skafistit Leonidha Dhimojanit i njohur si “Berti”, ishte shtetasi italian Concetto di Mauro i identifikuar si “Marko”, ndërsa pritësi i ngarkesës në Itali ishte i identifikuari me emrin “Enzo”, Vincenzo Catania.

Përgjimi:Porosia s’erdhi u kap rrugës,shihe në internet
Nga autoritetet policore italiane është bërë e mundur kapja në flagrancë e shtetasve italianë, të cilët ishin pjesë e grupit që bashkëpunonte me shtetasit shqiptarë në këtë veprimtari kriminale si dhe sekuestrimi i një sasie droge prej 780 kg. Nga autoritetet italiane, në prill të vitit 2014 në brigjet e Italisë është sekuestruar një sasi lënde narkotike, për të cilën dyshohej se ishte dërguar nga shtetasit (tashmë të dënuar) Mikel Hoxha, Altin Sulo etj. Fakti i kapjes së drogës në Itali, konfirmohet nga bisedat telefonike të bashkëpandehurit/tashmë të dënuar Mikel Hoxha me bashkëshorten e tij, shtetasen Juljana Mehmetaj, e cila ka mbajtur kontakte me një shtetas italian për llogari të Mikelit.

Në këto komunikime, shtetasi italian i thotë Juljanës se ajo nuk ka arritur, pasi është kapur rrugës ... se janë kapur edhe 8 veta. Në të njëjtën kohë, italiani i ka kërkuar që ta shohë në internet lajmin.Në datën 2 prill 2014, autoritetet italiane kanë sekuestruar në peshkarexhën “M. P. Gianmarco”, rreth 12 metra i gjatë, sasinë prej 2,062 kg lëndë narkotike cannabis sativa, e cila mendohet se kishte ardhur nga territori grek si dhe kanë arrestuar 8 shtetas italianë, të cilët do ta transportonin lëndën narkotike nga bregdeti në një vend të sigurt me një kamion “Fiat Iveco”.Ndërkohë një muaj pas kapjes së peshkarexhës, në 21 maj 2014, nga autoritetet italiane në Katania (Itali), është ndaluar peshkarexha e quajtur “ARIZONA” në brendësi të së cilës është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 1,5 ton këndë narkotike cannabis sativa, si dhe janë arrestuar shtetasit italianë pjesëtarë të ekuipazhit të peshkarexhës.

Mjeti lundrues s’kishte kapacitet të merrte të gjithë drogen e mbledhur
Mikel Hoxha dhe Altin Sulo në muajt e parë të vitit 2014 janë marrë me grumbullimin/gjetjen e lëndës narkotike të cilën dyshohet se e kanë magazinuar në zonën e Bregut (Himarë-Vlorë). Lënda narkotike mendohet të ishte mbi 3 tonë, është siguruar nga shtetasi që thirret “Lido” dhe një person tjetër i thirrur Çimi nga Gjirokastra, të evidentuar si posedues/sigurues të lëndës narkotike.

Pagesa për sasinë e lëndës narkotike (ose një pjesë e saj) do të realizohej duke lënë si garanci automjetin tip “Audi Q7”. Një pjesë e sasisë së kësaj lënde është trafikuar në drejtim të Italisë, në orët e para të datës 16 maj 2014, në rrugë detare dhe transportimi i saj është bërë me mjet lundrues, i cili nuk ka pasur kapacitetin për të marrë të gjithë sasinë, duke lënë pas rreth 840 kg cannabis.

Lënda narkotike është transportuar nga vendi i quajtur “Shën Vasil” në Sarandë, për në vendin e quajtur “Gjiri i Gramës” në Karaburun. Pas marrjes së këtij informacioni janë marrë masat dhe janë dërguar në vendin e quajtur “Gjiri i Gramës”, Karaburun, shërbimet e policisë të Seksionit Kundër Narkotikëve Vlorë, të cilët kanë gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa, të ambalazhuar dhe të ndarë në 20 çanta dhe 38 thasë. Pas peshimit, lënda narkotike e sekuestruar ka rezultuar me peshë totale 840 kg.
 
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mat/ I vuri zjarrin tokës, por u dogj dhe vetë! Ndërron jetë në spital i moshuari

Mat/ I vuri zjarrin tokës, por u dogj dhe vetë! Ndërron jetë në spital i moshuari