TIRANE- Gjykata e Strasburgut duket se po kërkon rrugët që të tolerojë qeverinë shqiptare, që gjendet përballë një fature të lartë financiare për t’u paguar borxhet e lëna nga qeveria e kaluar e drejtuar nga Berisha. Pamundësia financiare e qeverisë aktuale për të zbatuar vendimet e Gjykatës së Strasburgut për pronat, ka bërë që ose të ketë një shtyrje afati të pagesës ose të përballet me sanksione të forta, të papërballueshme nga qeveria e shteti shqiptar.

Duke qenë se gjatë qeverisjes së kaluar afati ishte shtyrë me 18 muaj, vendimet e pazbatuara, të trashëguara nga Berisha, tashmë janë kthyer në barrë të rëndë për qeverinë e re të majtë të kryesuar nga Rama. Teksa ka skaduar afati i vënë nga ana e Gjykatës, një delegacion me krerët e agjencive dhe të institucioneve më të larta për çështjen e pronave, kanë udhëtuar për në Strasburg një javë më parë për të diskutuar dhe negociuar lidhur me afatet e prera për zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, ku shumica janë në favor të ish-pronarëve e kundër administratës e gjykatave të shtetit shqiptar.

Më konkretisht, drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Sonila Qato, zv.ministri i Drejtësisë Idlir Peçi dhe Avokatja e Përgjithshme e Shtetit Alma Hicka, kanë zhvilluar një vizitë në Strasburg për të diskutuar në lidhje me afatet e zbatimit të vendimeve që janë shumë të rënda për buxhetin e lodhur të shtetit shqiptar. Burimet nga Strasburgu dhe nga institucionet shqiptare bëjnë me dije se nuk është kërkuar nga pala shqiptare shtyrja e afateve të pagesës së ish-pronarëve sipas vendimeve të Strasburgut, por duke qenë se afati i vënë para 18 muajsh për qeverinë Berisha është në skadencë është kërkuar nga vetë Gjykata, duke parë faturën e rëndë me të cilën është ngarkuar qeveria e re shqiptare, faturë që është lënë si “trashëgimi” nga qeverisja 8-vjeçare e Berishës e tashmë është e papërballueshme.

Parë kjo dhe në këndvështrimin e faturës së CEZ e faturës së lartë të borxheve ndaj biznesit. Burimet saktësojnë se “pala shqiptare  pritet të formulojë modalitetet e nevojshme për këtë shtyrje, të përcaktojë afatet për ta bërë publike javën e ardhshme, në rakordancë të plotë dhe me Gjykatën e Strasburgut”. Duke këmbëngulur njëherësh se në asnjë rast nuk është marrë vendim për shtyrje dhe afate.
 
Fatura financiare
Shqipëria tashmë është përballë me Gjykatën e Strasburgut dhe vendimeve të saj në favor të pronarëve shqiptarë. Pasi nga 413 padi të pronarëve shqiptarë në Strasburg vetëm për 8 prej tyre shteti duhet të dëmshpërblejë deri në qershor pronarët me shumën prej 37 milionë euro. Ndërkohë që kohë më parë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka dërguar një letër qeverisë e për dijeni Shoqatave të Pronarëve ku kërkon të gjendet zgjidhje për kërkesat e tyre.

Duke i rikujtuar qeverisë shqiptare se dhe në rastet e mëparshme, 20 pronarëve nga Shqipëria, që ankoheshin ndaj shtetit të tyre për moskthim të pronave të veta, apo moskompensim të atyre të shpronësuara gjatë viteve, Gjykata ka penalizuar shtetin shqiptar në disa milionë euro. Në ditët në vijim një delegacion nga KiE do vijë në Shqipëri për të parë zbatimin e vendimeve nga qeveria për çështjet e përfunduara.

Shkrimi u publikua sot (19.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)