Dosjet, opozita largohet nga 'Ligjet'
Veliaj: PD e pa interes për hapjen!

Dosjet, opozita largohet nga 'Ligjet'<br />Veliaj: PD e pa interes për hapjen!
TIRANE -  Komisioni i Ligjeve ka nisur sot shqyrtimin e dy drafteve të projektligjit “Për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit”, i pari i propozuar nga qeveria dhe tjetri nga shoqëria civile, me mbështetjen e dy deputetëve të opozitës, Mesila Doda (PD) dhe Shpëtim Idrizi (PDIU). Mbledhja ka nisur me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, lidhur me aktualitetin politk dhe akuzat e deputetit Tom Doshi.

Në akuzat e saj opozita ka kërkuar edhe një herë dorëheqjen e kryeparlmentarit Meta, ndërsa pas replikave, deputetët e PD kanë braktisur mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Largimi i opozitës sipas deputetit Ulsi Manja vjen për shkak se ata janë të alarmuar nga hapja e dosjeve.

“Prita që opozita të angazhohet në procesin e dekriminalizimit. Ata janë të alarmuar nga frika që ka Sali Berisha nga ligji i dosjeve.” tha Manja

Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj i cili theksoi në fjalën e tij se varianti i sjellë për miratim nga qeveria është hartuar sipas ekspertizës dhe përvojës më të mirë, asaj gjermane, ndërsa vuri në dukje se qeveria nuk ka asnjë lloj kompleksi për t’u përballur qartazi dhe prerë me këtë temë të rëndë. Veliaj shtoi se për hartimin e nismës në fjalë është konsultuar e gjithë jurispudenca e Gjykatës Kushtetuese, opinioni i Komisionit të Venecias, si dhe drafti i është çuar paraprakisht për vlerësim edhe organizatave të huaja që veprojnë në Shqipëri.

“Bëhet fjalë për çështjen më komplekse të dy dekadave. Asnjë i persekutuar apo komunist nuk e di se cfarë Shërbimi Sekret kurdisi ndaj tyre. Për këtë arsye ne kemi marrë eksperiencën gjermane që është më e mira. Ky nuk është një ligj lustracioni, nuk është një model hakmarrje, nuk është një model dënimesh kolektive, spastrimesh apo gjëra të kësaj natyre”, deklaroi Veliaj. 

Ai komentoi edhe nismën e ardhur nga dy deputetët Idrizi dhe Doda duke e cilësuar atë si antikushtetuese. Sipas Ministrit Veliaj edhe largimi i opozitës sot nga mbledhja e komisionit, tregon se Partia Demokratike nuk është e interesuar për hapjen e dosjeve.

“Alternativa tjetër që na është ofruar nga opozita na është dukur një alternativë me dashje antikushtetuese. Mënyra më e sigurt për të sabotuar një ligj të tillë është ta mbushësh me elementë antikushtetues që mos ta kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese, të dhunojë çdo vendim tjetër të kësaj gjykate dhe opinionin e Komisionit të Venecias dhe të dalësh në publik si populist, për të thënë që kjo është kauza morale e së djathtës. Në të vërtetë, ndodh ajo që ndodhi sot, e djathta braktis mbledhjen, s’është fare e interesuar as për ish-të përndjekurit, as për këstet dhe as për ligjin e dosjeve”, tha ministri Veliaj. Fjala e Ministrit të Mirëqenies Sociale Erion Veliaj

Ndërkaq, në fillimin e mbledhjes së komisionit, jashtë ambienteve të Kuvendit, një përfaqësi e Shoqërisë Civile me në krye deputeten Doda, paralajmëruan se nëse nuk caktohet një datë tjetër për të qenë edhe ata pjesë e diskutimit, atëherë do të ndëmarrin një referendum.

Por në mbledhje, kreu i komisionit Fatmir Xhafaj bëri të ditur se javën që vjen, do të jenë në seancë deputetët Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda.

Ora 10:40 Shoqëria Civile: Deputetët konflikt interesi me nismën tonë për hapjen e dosjeve
Shoqëria Civile është shprehur kundër nismës së qeverisë për ligjin e hapjes së dosjeve të regjimit komunist. Deklarata është bërë nga një përfaqësi e Shoqërisë Civile në hyrje të Kuvendit, në kohën kur në Komisionin e Ligjeve po diskutohen dy nismat ligjore të paraqitura për hapjen e dosjeve të ish-regjimit komunist.

Sipas tyre, arsyeja se pse ata nuk janë pjesë e mbledhjes, vjen për shkak se disa prej deputetëve të Parlamentit kanë konflikt interesin me nismën e Shoqërisë civile, ndërsa paralajmëruan edhe një referendum.

"Ajo që po shikohet dhe vërehet është një tentativë për të na mbyllur gojën. Kalendari ku është futur ligji është për ta zbehur debatin publik. Ne i kemi të gjitha opsionet, nëse sot nuk lihet datë tjetër që të marrim pjesë në diskutim, do të dalim me një referendum. Ne do të vazhdojmë betejën tonë. Në Komisionin e Ligjeve ka persona që kanë konflikte interesi me ligjin e lustracionit që kemi paraqitur ne. Perceptimi im është se ka nga të dyja palët aty." tha Elsa Ballauri

“Mund të ngremë një peticion dhe mendojmë se duhet të jetë një ccështje shumë e rëndësishme dhe të largohet nga politika. Kjo pasi politika është bërë pjesë, pa qenë përgjegjëse e kësaj procedure dhe kësaj rruge. Ne kemi shtruar një sërë gjërash, dhe mendojmë se nuk ka asgjë të keqe. Edhe ligji nëse bëhet bazuar mbi një luftë mes shqiptarësh do të dështojë, por nëse bashkëpunojmë, me dëshirën për ta bërë vendin të denjë.” u shpreh përfaqësia e Shoqërisë Civile

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron

'Mosbindja civile' e PD-së, më pak protestues se u paralajmëruan, kur mbërritën në PD firuan fare! Shikoni pamjet me dron