“Gruaja ime, kur del për të blerë ushqime, përgjohet. Unë përgjohem. Vëllai im përgjohet prej gjashtë muajsh rresht”. Kjo ishte një ndër deklaratat më të forta të Azem Hajdarit në qershorin e vitit 1993, gjatë një seance plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku ai kërkoi nga kryesia e parlamentit marrjen e masave urgjente për ndalimin e survejimit ndaj tij nga SHIK-u. Një proces i ndaluar me ligj, por që në atë kohë nuk u mohua publikisht nga strukturat e shërbimit informativ, u kthye në shkak të një debati të ashpër politik në parlament. Në verën e vitit 1993, Azem Hajdari ishte shpallur tashmë “armik” brenda Partisë Demokratike, pasi vetëm pak muaj më herët kishte hyrë në përplasje të fortë me drejtuesit e saj në valën e përjashtimeve të një pjese të themeluesve të Partisë Demokratike.

Paralelisht me survejimin, ndaj Hajdarit po zhvillohej edhe një procedurë parlamentare për heqjen e imunitetit të deputetit. Megjithatë, ai nuk u tërhoq nga beteja politike dhe vazhdoi të denonconte publikisht presionin që, sipas tij, ushtrohej nga SHIK-u dhe strukturat e pushtetit. Në atë periudhë, Hajdari mbështetej nga figura të njohura, ish-themelues të PD-së, si Gramoz Pashko, Arben Imami, Preç Zogaj, Neritan Ceka dhe të tjerë, por në disa raste edhe nga deputetë të Partisë Socialiste, të cilët ngrinin shqetësime për përdorimin politik të shërbimeve sekrete. Komunikimet dhe debatet mes një grupi deputetësh dhe drejtuesve të SHIK-ut do të zbulonin më vonë detaje mbi një dosje të supozuar hetimore ndaj Azem Hajdarit, e koduar me emrin “Bufi”. Sipas akuzave të kohës, ndaj tij po ndiqeshin metoda survejimi të ngjashme me praktikat e ish-Sigurimit të Shtetit, çka tregonte se kultura e përgjimeve politike nuk ishte zhdukur me rënien e sistemit komunist. Rasti i Azem Hajdarit nuk mbeti i izoluar. Nga viti 1993 deri në vitin 1996, dhjetëra deputetë të opozitës apo figura të përjashtuara nga Partia Demokratike do të denonconin publikisht përgjime, ndjekje dhe presione politike. Në qendër të akuzave vendosej shpesh presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, i cili akuzohej nga kundërshtarët politikë se po përdorte SHIK-un si instrument për kontroll politik dhe goditje ndaj kritikëve brenda dhe jashtë pushtetit.

Tema sjell pjesë nga debate në seancë paralmentare në qershor 1993 për përgjimine  Azem hajdarit nga SHIK-u.

Azem Hajdari – Ka 6 muaj që përgjohem me punë operative, me 9 survejues nga mbrapa. Gruaja ime, kur del për të blerë ushqime, përgjohet, unë përgjohem, vëllai im përgjohet prej 6 muajsh rresht.

Ose lidhu me Gazideden, zoti Pjetër, ose do ta zë vetë atë. Unë jam deputet, dhe jam deputet si ti, jam një njeri që kam vënë në themelet e Shqipërisë gjakun tim dhe jetën time familjarisht, brez pas brezi. Nuk jam spekulant as si ju aty, as si shumë të tjerë. Merreni këtë shqetësim...

Adem Zyberi – Zoti Kryetar, dua të informoj Parlamentin dhe të jap sqarime për dy probleme.

Së pari, lidhur me shqetësimet që u ngritën në Kuvendin Popullor nga zoti Azem Hajdari dhe deputetë të tjerë për shkelje të ligjit nga ana e SHIK- ut, në datën 03.06.1993 unë së bashku me deputetin Llazar Lëngu morëm takim me kryetarin e këtij shërbimi, zotin Bashkim Gazidede, ku sqaruam:

1. Për problemin që ngre zoti Azem Hajdari, se para 6 muajve për të është hapur dosje dhe ndiqet në rrugë operative me emrin e koduar "Bufi", zoti Gazidede u përgjigj se nuk është e vërtetë. Për zotin Azem Hajdari është hapur ndonjë dosje. Këtë gjë ne kërkuam ta shikonim realisht nëpërmjet dokumenteve zyrtare, siç janë listat e dosjeve të hapura, por kjo gjë na u refuzua nga zoti Gazidede, me arsyetimin se nuk lejohet të njihemi me të, sepse është dokument sekret dhe se me ligj kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë në këto organe e ka vetëm Prokurori i Përgjithshëm ose persona të autorizuar prej tij. Kështu që ne nuk patëm mundësi dhe nuk pamë asnjë dokument.

2. Ndërsa për problemin tjetër që ngre zoti Azem Hajdari, se ai personalisht si deputet dhe familja e tij përgjohen e survejohen nga SHIK-u, zoti Gazidede për problemin e përgjimit e të survejimit të zotit Azem Hajdari nuk pranoi të prononcohet, por sqaroi se sipas ligjit kryerja e veprimeve nga ana e SHIK-ut në drejtim të deputetëve të Kuvendit Popullor bëhet vetëm me miratimin e Kryesisë së Kuvendit Popullor. Në këtë drejtim, theksoi ai, unë nuk kam kryer asnjë shkelje të ligjit.

3. Kërkuam shpjegime lidhur edhe me shqetësimet që kanë ngritur këtu deputetët Gramoz Ruçi e Perikli Teta, të cilët pretendojnë se përgjohen e survejohen nga ana e SHIK-ut zoti Gazidede deklaroi se në këtë drejtim nuk ka asgjë të vërtetë, as nuk janë survejuar, as përgjuar nga ana e SHIK-ut

Azem Hajdari – Për sa i përket çështjes së Gazidedes, për të cilën ishin ngarkuar dy deputetët dhe komisioni dhe ku Gazidede nëpërmjet një mohimi pohon, zoti Zyberi shtron një pyetje: Kryesia e Kuvendit Popullor, e cila ka kompetenca për të lejuar survejimin e deputetëve nga organi i specializuar i Shërbimit Informativ, ku sipas nenit 2 të organizimit të Shërbimit Informativ, informacioni dhe gjurmimi nga ky organ bëhet për 7 figura krimi, ju, zoti Kryetar, keni dhënë leje për një gjë të tillë? Sepse dy nënkryetarët e Kuvendit Popullor kanë deklaruar se nuk kemi dhënë leje dhe Kryesia këtë leje e jep me konsensus. Veprimi i Kryetarit për ta firmosur pa miratimin e dy nënkryetarëve nuk hyn në të drejtën e tij, sepse nga gjithë legjislacioni që kemi ne në dispozicion, Kryetari nuk është Kryetar i Kuvendit Popullor, por Kryetar i Kryesisë.

Shtrohet edhe një pyetje tjetër: meqenëse ka mbaruar një proces gjyqësor ndaj personit tim si deputet, heqja e imunitetit zotit Azem Hajdari, e cila është bërë e përshpejtuar nga ana juaj, ka qenë e lidhur me këtë survejim? Sepse ai ishte një inskenim politik, të cilin e mori vesh gjithë opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar. Prandaj, zoti Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, më krijoni mundësinë me këtë rast të sqaroj veten time si deputet dhe njëkohësisht si qytetar.

Zoti Gazidede pohon se nuk ka një dosje të tillë, por nuk lëshon deklaratë me shkrim. Për verifikimin e një çështjeje të tillë komisioni ka të drejtë jo vetëm të ndërhyjë në listat e survejimit, përveçse kur përmban sekret shtetëror, kompetencë të cilën ia jep neni 9 i Dispozitave Kryesore Kushtetuese "Mbi organizimin e pushtetit shtetëror", ku flitet për kompetencat që ka Kuvendi Popullor dhe tekstualisht neni shprehet kështu: "Komisionet e përhershme të Kuvendit Popullor ndjekin aktivitetet e ministrave dhe të institucioneve që kanë në vartësi, deri në bazë, nëpërmjet verifikimit të zbatimit të akteve ligjore". Pra, është e drejta e këtij komisioni t'i marrë deklaratë me shkrim drejtorit të drejtorisë së 13-të të survejim-përgjimeve, deklaratë me shkrim drejtorit të zbulimit, drejtorit të SHIK-ut. Në rast se ata e mohojnë një gjë të tillë dhe Prokuroria nuk ka lëshuar leje, megjithëse asaj nuk i takon, dhe ju nuk e keni lejuar një gjë të tillë, në bazë të ligjit, megjithëse kompetenca është me konsensusin e ju të treve bashkë, dhe duke pasur parasysh se figurat e gjurmimit dhe të përgjimit të organit të Shërbimit Informativ Kombëtar janë 7, si përgatitja e dhunës, ndërhyrja antikushtetuese, terrori etj., dhe nuk e ka asnjë figurë krimi atë çka ndodhi me avokatin Spartak Ngjela, domethënë që është marrë me politikë, se me politikë merren të gjithë shqiptarët dhe nuk mund t'i heqësh të drejtën e profesionit se është marrë apo s'është marrë me politikë, por unë do ta kaloj çështjen në anën time, pres deklaratat e tyre me shkrim që të demonstroj atë çka kam për të demonstruar. Në rast se unë jam ndjekur në bazë të këtyre figurave krimi, në mënyrë të paligjshme dhe jo në mënyrë të ligjshme, ma tregoni, sepse unë veten time di ta mbroj, ka drejtësi dhe unë i besoj pushtetit gjyqësor.

Unë nuk kam kërkuar interpelancë, por megjithëse Kuvendi Popullor, zoti Kryetar, vendosi që këtë ta japë televizioni, ai nuk e jep një gjë të tillë, megjithëse për çështjen Serreqi ka zgjatur në një kohë të caktuar. Gjithashtu televizioni nuk na dha mundësi të dyve të mbrojmë veten. Është edhe rasti i djeshëm kur televizioni prapë se prapë nuk vihet në shërbim të vendosjes së dinjitetit të deputetit. Është i treti rast që unë shkoj në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ngre padi penale për një akuzë që bëhet, prokurori merr padinë e fillon çështjen penale dhe unë i them Prokurorisë që jeni të lejuar, pavarësisht nga imuniteti im si deputet, të bëni hetime për një gjë të tillë, televizioni përsëri nuk e jep.

Jo se më ka prishur mua punë përgjimi, por na thoni, zoti Kryetar, çfarë doni të vërtetoni? Lëvizjen studentore e kanë bërë studentët. Deri tani pluhurin e Ramiz Alisë nuk na e hoqët. Na çuat në gjyq, na u kryen gjithë ato veprime. Atëherë.../TemA