Dossier/ Rifillimi i marrëdhënieve të
 Napoleonit me Ali Pashë Tepelenën

Dossier/ Rifillimi i marrëdhënieve të<br /> Napoleonit me Ali Pashë Tepelenën
Auguste Boppe ishte Këshilltar i Ambasadës Franceze në Stamboll  në kohën që shkroi librin  kushtuar marrëdhënieve të Napoleon Bonapartit me Shqipërinë specifikisht me Ali Pashë Tepelenën me titull në origjinal “L'Albanie et Napoléon (1797-1814) “.

Libri i përkthyer në gjuhën shqipe, gjendet i daktilografuar në fondin personal të Ali Pashë Tepelenës në AQSH. Prej këtij daktiloshkrimi kemi zgjedhur disa prej pjesëve më interesante të librit për tia sjellë lexuesit tanë. Në pjesën e parë që botohet sot përshkruhet rifillimi i lidhjes së marëdhënieve diplomatike midis Francës Republikane të asaj kohe që drejtohej nga napoleon Bonaparti si Konsulli i Parë dhe Ali Pashë Tepelenës.  

Auguste Boppe  ka qenë edhe  Ministër Fuqiplotë në Beograd dhe Pekin, si dhe Konsulli i Francës në Jérusalem. Ai ësstë nderuar me titullin “Chevalier i Legjionit të Nderit” me  14 Korrik1899, ai u ngrit në rangun e Oficerit  të Legjionit të Nderit me  17 shkurt 1913.
 
Pjesa e pare...
 
Pouqueville-i dërgohet konsull në Janinë (f. 37-48)
Influenca franceze pati një humbje të madhe në Orient gjatë ekspeditës së Egjiptit. Në të gjithë Levantin kolonitë tona të lulëzuara deri diku kishin humbur; anglezët kishin zënë vendin e francezëve që u dërguan në burgun e Kostandinopojës ose në kështjellat e Detit të Zi. Qysh nga paqja e Amiens ishin krijuar regata të rregullta me Turqinë. Bonaparti kërkonte të rifitonte vendet e humbura, dhe vërejtja e tij u kthye përsëri drejt tokave të Orientit, i cili vajtonte çinteresimin e tij për ato që pati për disa vjet. Armatat tona po na afronin shpejt duke vënë Dalmacinë nën sundimin tonë. Traktati i Petersburgut na detyronte që të interesoheshin për sa ngjiste në jug të Adriatikut. Ishujt jonianë dhe krahinat që janë afër tyre po merrnin një rëndësi për neve; duhej të vërenim intrigat e Anglisë, anijet e së cilës nuk pushonin së lëvizuri në këto ujëra, ose aksioni i Rusisë ku vepronte i plotfuqishëm mbi republikën e ishujve. Lëvizjet e kryengritësve servienë, ngjarjet dhe gjestet e pashallarëve thuajse të pavarur të Bosnjës dhe të Shqipërisë nuk mund të na linin të ishim indiferentë nga reperkusionet që kërcënonin Dalmacinë.

Kishte ardhur koha e domosdoshme për të njohur mirë “këto vende që ishin në flakë”. Për të lehtësuar këtë detyrë të shtatmadhorisë së armatës së Dalmacisë disa posta mbikëqyrëse u krijua në Traënik të Bosnjës, në Shkodër të Shqipërisë dhe në Janinë.

     Pashai i Janinës ishte bërë një lloj sovrani i vogël, mbi të cilin duhej shpresuar. Qysh më parë Romieu, komisar i marrëdhënieve të jashtme pranë republikës së ishujve, kishte menduar që të dërgonte në Janinë një agjent zyrtar dhe kishte propozuar për këtë detyrë një njeri prej Qefalonie, kapitenin Loverdo. Mendimi i tij nuk u pranua nga Bonaparti që, megjithatë, në vitin 1801 e kuptoi nevojën për të pasur një agjent në Janinë, dhe për një moment mendoi të dërgonte Charbonnel-in. Në vitin 1804, Romieu u kthye në propozimin e tij të parë; dërgoi në Paris kandidatin e tij, dhe ia propozoi me insistim qeverisë: Nikolas Loverdo ishte “miku i tij intim”, kishte besim të madh te ky, ky kishte shërbyer dymbëdhjetë vjet në ushtrinë franceze me gradën e kapitenit; “me një talent të shquar në armën e tij dhe me një njohuri të madhe në literaturë, histori, statikë dhe shkenca pozitive; ai fliste greqishten dhe italishten; njihte në mënyrë të veçantë rrethin e Ali Pashës; karakterin e tij personal dhe zakonet e banorëve të Levantit”.

Qoftë si agjent sekret në Janinë, qoftë si komisar ose nënkomisar i marrëdhënieve të jashtme në Prevezë ose në Artë, asnjë njeri tjetër më mirë se ai nuk mundte, sipas Romieu, që të mbante qeverinë “në korrent mbi të gjitha veprimet dhe parashikimet e rusëve në Shqipërinë e Poshtme, të gjitha këto duke eksituar frikën e Ali Pashës kundër kësaj ndërhyrjeje të politikës ruse në vendet e tij, duke i treguar atij rreziqet që e kërcënonin atë dhe nga ana tjetër duke i vënë në dukje mjetet që ai ka që t’i përdorë për të rezistuar”. (Letër e Romieu për Ministrinë e Marrëdhënieve të Jashtme, 27 korrik 1804).

Por cilado që të ishin cilësitë e tij, qefalonioti Loverdo, Napoloni nuk e shikonte të përshtatshëm për parashikimet e tij. Qeveria franceze e kishte parë ndërprerjen e marrëdhënieve me Pashain në një mënyrë shumë brutale, prandaj nuk ishte e përshtatshme për dinjitetin e saj që të rifillonin këto me anën e një agjenti zyrtar ose pa autoritet. Në rast se ata kishin vendosur që të harronin tradhtinë e Ali Pashës, humbjen e ushtarëve që ranë heroikisht në Nikopolis dhe trajtimet barbare që iu imponuan fatkëqijve që mbetën të gjallë në këtë luftë të paharrueshme, nuk duhej ta bënin veçse me ndonjë farë mënyre që të imponoheshin në Janinë. Agjenti që do të dërgohej pranë Pashait duhej të kishte qenë trashëgimtari i një të shkuare aq të dhimbshme që të mos gënjehej në të ardhmen, dhe për t’i dhënë këtij të dërguari rëndësinë e duhur, duhej që qeverinë ta përfaqësonte një francez që Aliu e kishte njohur dhe i kishte çmuar shërbimet e tij. Bessières u zgjodh për këtë rol.

... Tani misioni që do të fillonte marrëdhëniet zyrtare me Ali Pashën ishte vendosur, mjaft tani që Pashai të pranonte që të kishte pranë tij një agjent francez dhe pastaj menjëherë do të shkonte në Janinë, i ngarkuar me detyrën “konsull i Perandorit”. Por për ta bindur më kollaj pashain që të pranonte një gjë të tillë, u pa e arsyeshme të dërgohej një njeri që të kishte njohuri mjekësore, se në këtë mënyrë do të konsiderohej në fillim sikur të ishte dërguar si një doktor në shërbim të Pashait se sa si një agjent politik që ishte i ngarkuar të mbikëqyrte dhe të vërente çdo gjë. Një mik i Bessièr-it, që ishte shoku i tij i vjetër në Komisionin e Shkencave dhe të Arteve të Egjiptit, François Pouqueville, ishte i përshtatshëm për të përmbushur këto kushte. Në këtë kohë sapo kishte publikuar, me titullin “Voyage en Morée, à Constantinopol, en Albanie et dans plusieurs autres parties de l’Empire Ottoman pendant les années 1789, 1799, 1800 et 1801”, ku tregon të gjitha aventurat e tij gjatë kohës që u kap rob në Tripolitza dhe në të shtatë kullat dhe ato të shokëve të tij të tjerë gjatë udhëtimit në anijen “Madone di Montenegro”...

Por nuk ishte e lehtë që Pouqueville ta pranonte këtë mision kaq të rëndë që po i besonte Perandori. Ai e dinte fare mirë se sa rreziqe do të kalonte në Orient. Ai hezitonte për të hyrë në aventura të reja dhe të linte karrierën shkencore; gjithashtu edhe ministri i njihte fare mirë rreziqet e këtij misioni, prandaj e këshilloi që të kishte shumë kujdes.

Më në fund Pouqueville u nis nga Parisi më 21 tetor 1805, dhe duke u bashkuar me Bèssier në Milano dhe të dy së bashku, të shoqëruar nga një korrier që u kishte dërguar Ali Pasha, u nisën nga Raguza më 22 janar 1806 dhe më 1 shkurt zbarkuan në Porto-Panormo, pas një udhëtimi mjaft të rrezikshëm, gjë për të cilën ishin detyruar të ndalonin disa ditë në ishullin e vogël jo mikpritës të Sazanit, përkundrejt Vlorës.

Në fortinën e vogël që mbante Aliu në Panormo për të kontrolluar banorët e Chiméras, një oficer po i priste të dërguarit e Perandorit qysh prej njëzet e nëntë ditëve, u shtrua një drekë madhështore për nder të mysafirëve, natyrisht sipas kushteve të vendit dhe sipas zakonit...

Duke udhëtuar gjatë bregdetit, udhëtarët ishin përpara një pamjeje që ishte për Pouqueville-in si një paralajmërim i mjerimeve që do të asistonte në Shqipëri. Kur arritën në Delvinë panë se në tregun e saj kishte rënë një zjarr i madh, zjarr që ishte vënë nga ushtarët e Aliut për të plaçkitur. Afër Delvinaqit u ndaluan në Mushari, çiflig ku kishte edhe një shtëpi klimaterike të Pashait.

Aliu kishte dalë përpara tyre disa orë jashtë Janinës për t’i pritur, afër manastirit të Shënt-Elisë, në qoshkun e tij të ri të Dzidza; qysh se mori lajmin e arritjes së tyre, megjithëse ishte shumë vonë, dërgoi i thirri menjëherë dhe i priti në shtëpinë e tij. Qiriri i ndezur e ndriste shumë keq sallën e audiencës, ku ishte ngritur në këmbë, qëndrim që nuk i përshtatej, se për arsye që ishte me një trup të vogël, nuk duhej të ishte impozant, siç dukej kur ishte i hipur mbi kalë ose kur rrinte në qoshen e divanit. Pas një nderimi, përqafoi Bessieres dhe pastaj u ul mbi sofanë e tij pa e vënë re konsullin e Perandorit. Pouqueville e njihte fare mirë protokollin e Orientit. Këtu panë dhe shokun e tyre të fatkeqësive Marko Guerinin, që kishte ndërruar fenë dhe kishte marrë emrin Mehmet Efendi, sekretari i favorizuar dhe ministër i Punëve të Jashtme të vezirit në Janinë. Këta të tre njerëzit, Pouqueville, Bessiere dhe Guerini që së bashku kishin kaluar një seri aventurash qysh se ishin njohur në armatën e Egjiptit, tani gjendeshin të bashkuar përpara Pashait, që ca kohë më përpara ishin të burgosurit e tij.

Ky takim i papritur i bëri që të kujtonin të kaluarat e tyre, gjë që e kuptoi edhe ai vetë, prandaj menjëherë Pashai filloi bisedimin me disa pyetje të njëpasnjëshme, gjë që nuk është e zakonshme te turqit. Pouqueville në këtë kohë po vinte re “ndriçimin e syve të tij”, dëgjonte “bisedimet e tij që në dukje nuk tregonin gjë, por që ishin mbushur me një finesë keqësije”. Pashai “i agjituar; qeshte, fliste; asnjë fjalë e tij nuk ishte pa një kuptim” dhe Pouqueville, duke shkuar atë natë për në manastirin e Shënt-Elisë, ku i kishte përgatitur një odë, i dukej sikur kishte para tij akoma shikimin e Aliut; mendonte me keqardhje jetën që do të bënte pranë këtij shqiptari dhelpër, dhe që kishte pasur një deziluzion të madh që nuk kishte gjetur tek ai “jo një Thésée, jo një Pirro as edhe një ushtar plak që të ishte i mbuluar me plagë”.
 
Përshkrimi i Ali Pashës, jeta dhe rrethi i tij (f. 48-60)
Qysh të nesërmen u bë një takim tjetër. Aliu me të zbardhur dita thirri menjëherë mysafirët. Një turmë njerëzish po shtyheshin te porta e sallës së audiencës. Ruajtësit, të armatosur me shkopinj të mëdhenj i hapën rrugën Bessiere-it dhe konsullit të Perandorit për të hyrë në sallë. “Aliu po afronte të gjashtëdhjetë vjetër dhe trupi i tij nuk ishte më i lartë se pesë këmbë dhe tre gishta. Fizionomia e tij, shkëndija e syve të tij që ishin të vegjël dhe blu, i jepnin atij një maskë të tmerrshme të dinakërisë bashkuar me keqësinë”. Kishte duar shumë të bukura, gishtat e tij ishin të ngarkuar me unaza të çmueshme, trazonin kutinë e tij të cigareve që ishte e veshur me brilante, që kishte ardhur nga Franca ose nga Anglia, ose lëvizte tespihet e tij prej nëntëdhjetë perlash të mëdha të Orientit që ia kishte grabitur, më 1804, një tregtari. Koburet e tij dhe thika që mbante me vete ishin të mbuluara me diamante. Thjeshtësia e mënyrës së mbajtjes së leshrave të tij ishte në kundërshtim me madhështinë e petkave që vishte; nuk mbante sarëk veçse dy herë në vit, në dy Bajramet, dhe vetëm kur shkonte në xhami, kohën tjetër mbante një feste kadifeje të qëndisur me ar.

Kur pa peshqeshet që po i sillte Bessieres nga ana e Perandorit, “fytyra e tij shkëlqeu nga gëzimi”. I mori si i pangopur, duke i mbiquajtur mysafirët e tij “fëmijët e tij, vëllezërit e tij, miqtë e tij të ngushtë” dhe bëri sikur atëherë e pa Pouqueville-in për herë të parë dhe denjoi t’i premtojë mbrojtjen e tij në përmbushjen e detyrës konsullore që i ishte ngarkuar për të kryer afër tij.

Po atë ditë Pashai së bashku me mysafirët e tij shkoi për në Janinë. i mbajti për të banuar në pallatin e tij, ku Pouqueville duhej të qëndronte i panjohur “incognito” gjer sa të vinte pëlqimi perandorak për t’u njohur zyrtarisht nga njerëz që nuk ishin të mësuar të shikonin një të huaj të banonte midis tyre.

 Aliu banonte atëherë në sarajin e tij të vjetër që dominonte liqenin; në “Kastro”, një ndërtesë e madhe e ndërtuar vetëm me dru, dhe përbënte një qytet brenda në qytet, të cilin e ndanin mure të fortifikuara. Ushtarë, me çibukun xëgojë, dhe me nga një shkop të bardhë në dorë bënin roje nëpër porta. Në oborret tërhiqnin vërejtjen kokat e varura të njerëzve që ishin therur së shpejti. Me mijëra njerëz banonin në Kastro. Ishte ndërtuar në formë katrore dhe në një qoshe të saj ishte haremi që ishte krejtësisht veçan nga banesa e Pashait dhe e njerëzve të tij. Në katin e fundit ishin stallat dhe sallat e tjera të shërbyesve.

Oborret dhe korridoret ishin mbushur me një numër të madh shërbëtorësh: kafexhinj, nga ata që jepnin pipën, limonadë-dhënës, sheqerxhinj, rrobaqepës, berberë, bufonë, muzikantë, pehlivanë, kërcimtarë, imamë, xhelatë etj. Qysh nga mëngjesi gjer në mbrëmje, të gjithë këta ishin në lëvizje.

“Këtu çohen më përpara se të bjerë dielli për të falur mëngjesin. Pastaj pipën dhe kafenë me ujë; shpeshherë Veziri hipën mbi kalë ose pret popullin. Në drekë falen përsëri dhe pastaj hanë drekën. Ora tre pasdreke, falen; pastaj ka paradë ushtarake dhe muzikë. Pastaj hyjnë në selamllëk; Pashai pret vizitat për t’u zbavitur, i çojnë sherbet, i tregojnë përrallë nga “Njëmijë e një net”, bufonët e tij e bëjnë të qeshë duke u ngërdheshur ose i këndojnë pjesë nga Kurani. Kur perëndon dielli falen, pastaj hanë darkën pas së cilës fillojnë të pinë cigare. Pas një orë e gjysmë falen për të pestën dhe të fundit herë dhe sapo mbaron kjo, shkojnë të gjithë për të fjetur.
Ky program zyrtar i Pashait për të gjithë ditën, nuk ndiqet me rigorozitet në Janinë. Kjo ndodh sepse shpeshherë Aliu ishte i okupuar, dhe mezi kishte disa orë për t’u çlodhur. Priste njerëzit e tij në çdo orë, pranonte korrierët e tij të shumtë, tregtarët, kapedanët, që nga më i vogli gjer tek më i madhi dhe nuk harronte as ngjarjet as fizionomitë e njerëzve. Duhet të kesh kujtesë të mirë kur je me atë, - shkruante Pouqueville, në një nga raportet e tij të para.

Pouqueville-it, që ishte incognito në atë kohë, i dha mundësinë që të jetonte me një lehtësi të madhe jetën e pallatit; Pashai i dha rast shpeshherë atij që të depërtonte në misteret. Shërbyesit servirnin në enë të çmuara shumë lloje gjellësh, në të cilat Aliu vinte vetëm gishtin sa për të treguar se i kish shijuar dhe atëherë ata mundnin t’i tërhiqnin. Ai hante shumë qengja të pjekur me hudhra, duke gëlltitur thuajse pa e përtypur gjysmën e një qengji që mund të meshonte nja gjashtë kilogram, vezët e ziera fort, dhe pas pilafit me kos, që ishte mbarimi i ngrënies, dhe pastaj pinte nga ujërat e burimeve të kishës së Prevezës, të cilin ai e preferonte. Pas ngrënies fillonte ahengu gjë që nuk i pëlqente aspak Pouqueville-it.

Djemtë e Pashait, Muhtari dhe Veliu, si edhe i ati i tyre, kishin një rreth familjar të cilët çdo vit mblidheshin në kështjellë. (Veli Pashai kishte, në mes të doktorëve të tjerë edhe një milanez, Velani, që kish qenë doktori i kajmekamit të Kostandinopojës, të cilin Pouqueville-i ia rekomandonte gjeneralit Donzelot me një letër, më 27 nëntor 1810). Në çdo kohë aty paraqiteshin aventurierë. Renegatët që ishin në Janinë ishin të shumtë. Cerfbeer, nga Strasburgu, i mbiquajtur Ibrahim Mansur efendiu, i cili shkroi shumë kujtime të çuditshme mbi Shqipërinë, nuk kishte arritur akoma, por Pouqueville-i kishte gjetur shumë francezë aty me anën e mulla Sulejmanit, i cili kishte qenë oficer në shërbim të Napolit; ndër këta ishin Ëatrin, oficer i armatës së Italisë, që ishte bërë mysliman më 1804; Jerome de la Lance, i cili ishte shtrënguar të ikte nga atdheu i tij për shkak të një fatkeqësie; Michel, zdrukthëtar parisien i një anijeje lufte, të cilin Pashai e kish martuar me forcë me një grua greke. Kishte edhe doktorë bashkë me këta aventurierë; pjesa më e madhe ishin italianë. Aliu kishte pak besim ndër ta; ai kishte shumë doktorë grekë dhe qysh prej shumë vitesh ai mbante, me shpenzimet e tij, në Fakultetin e Vjenës, një grek të ri nga Janina, të quajtur Lukas Via; priste që ai të mbaronte dhe të bëhej doktori i tij i veçantë. Ai kish mundur të gjente një njeri serioz, doktorin Louis Franck, që më vonë mjekoi perandoreshën Malia Luiza.

Pouqueville-i shkonte shpeshherë për të biseduar me doktorin Franck, për të ndjerë një kënaqësi pas bisedimeve që ishte i detyruar të bënte me njerëzit e Pashait dhe me ministrat e tij, si me Haxhi Shyqri efendiun, ose Omer bej Vrionin, kryekomandanti i ushtrisë së tij dhe me të tjerët.
Rreth pashait elementi grek ishte më i shumtë. Grekët e Epirit, të ishujve, të Valakisë ose të Moldavisë përziheshin me ata të Janinës dhe e bënin këtë qytet me të vërtetë një qendër kulturore helenike. Edhe në rast se Aliu dëshironte të rrethohet nga dervishë dhe astrologë, prapë se prapë ai mbronte dijetarët grekë; ai dinte të çmonte talentet e të tjerëve.

Sekretarëve të tij ndoshta iu mungonte karakteri, por me gjithë të metat e tyre, Spiro Kolovua, Kiricua, Athanas Via dhe vëllai i tij Lluka, Kosto Gramatikoja, Mantho Cekononori, dhe Sakelarios, për të mos përmendur emrat e të tjerëve, meritojnë të kujtohen në saje të rolit që kanë luajtur në oborrin e Pashait dhe për kontributin që i kanë dhënë ndjenjës kombëtare helenike; ata kanë një vend të rëndësishëm në analet e ringjalljes së Greqisë.

Në këtë rreth njerëzish Bessiere-i e la Pouqueville-in.

Kur erdhi pëlqimi perandorak nga Kostandinopoja më 4 mars 1806, pikërisht pas një muaji që ndenji në kështjellën e Aliut, Pouqueville-i iku nga Janina plot me dhurata për Princin Eugen dhe për Napoleonin e Parë; për perandorin i kishte dhënë shpatë e Khanit të madh të Krimesë, Selim Gurait. Aliu i kishte thënë: “Nuk ka mundur t’i ruaj nga rusët vendet e zotnis së saj të parë: po ia dërgoj atij që e ka ahmarë aq mirë në Austerlitz”.

Pouqueville-i u nda nga shoku i tij “me keqardhje; iu duk sikur i braktis në një vend barbar”, “kishte parandjenja të këqija, ... por ishte bërë hapi”. Ishte konsull i Perandorit dhe do të bënte detyrën.
Ad.Pe

napoleoni dokument


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

AMF mbledh sektorin financiar për festat! Kaçi: Prioritet zbatimi me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut!

AMF mbledh sektorin financiar për festat! Kaçi: Prioritet zbatimi me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut!