TIRANE - Komisioni i Ligjeve miraton në parim draftin e INSTAT “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9180, datë 5.2.2004 “Për statistikat zyrtare”. Pr/ligji u miratua në parim vetëm me votat e mazhorancës ndërsa nis diskutimi nen për nen.

Shqyrtimi i këtyre ndryshimeve kaloi përmes debatit mes palëve, ku çështja e emërimit dhe mandati i titullarit të INSTAT shkaktoi më shumë debate.

Ligji i propozuar nga qeveria parashikon që titullari i INSTAT të emërohet nga kryeministri për një periudhë pesëvjeçare, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Ky ndryshim u mbështet vetëm nga deputetët e shumicës, ndërsa opozita e kundërshtoi këtë variant, duke këmbëngulur që INSTAT-i të jetë një institucion që të varet nga Kuvendi dhe jo nga Kryeministri.

Në komision drafti u mbrojt nga përfaqësuesi i INSTAT, Gjergji Mano.

I pyetur nga deputeti socialist Bashkim Fino nëse ka ardhur koha që INSTAT të varet nga Kuvendi, Mano u përgjigj: “INSTAT s'mund të shprehet më shumë se kaq. Instituti i Statistikave varet nga Këshilli i Ministrave”

Deputeti tjetër socialist Pandeli Majko u shpreh se “INSTAT është institucioni i falsifikimit”. Përfaqësuesi i INSTAT tha se është krejtësisht i pavarur dhe si i tillë do të vijojë të jetë, pavarësisht ndryshimeve në ligj. Sipas tyre, këto ndryshime dhe shtesa në ligj janë të kërkuara nga partnerët ndërkombëtarë.

Ligji aktual "Për statistikat zyrtare", i miratuar në vitin 2004, tashmë do të pësojë disa shtesa dhe ndryshime. Në një draft me 16 nene propozohen një sërë ndryshimesh, duke filluar që nga emërtesa e kreut të INSTAT, që nuk do të jetë më "Drejtor i Përgjithshëm", por "Titullar i INSTAT-it".
Ligji i ri parashikon që për të siguruar besueshmërinë e publikut në statistikat zyrtare, INSTAT-i dhe agjencitë statistikore duhet të udhëhiqen nga parimet e Kodit të Praktikës së Statistikave Europiane.
Organizimi dhe zbatimi i programit duhet të udhëhiqet nga disa parime si cilësia statistikore, rëndësia, saktësia, koha, përpikmëria, krahasueshmëria e të dhënave, etj.Në ligjin e ri INSTAT-i përkufizohet si "prodhuesi kryesor i statistikave zyrtare në Republikën e Shqipërisë dhe institucioni përgjegjës për koordinimin e funksionimin e Sistemit Kombëtar Statistikor"
Një pikë e rëndësishme e ligjit është struktura organizative e INSTAT-it, e cila miratohet me urdhër të Kryeministrit, pas propozimit të Këshillit të Statistikave.
Titullari i INSTAT-it emërohet nga Kryeministri, pas kryerjes së një procedure publike rekrutimi nga Këshilli i Statistikave. Mënyra e kryerjes së kësaj procedure, afatet e njoftimit dhe kriteret për vlerësimin e kandidatëve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, sanksionohet në projektligjin e paraqitur për miratim në Kuvend nga qeveria

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)