TIRANE- Qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj, në të cilin  parashikohet që të shtyhet deri më datë 30 prill të vitit 2015 afati për marrjen nën shqyrtim të dosjeve të ish-pronarëve, si edhe për të bërë kompensimin fizik të pronave. Në bazë të relacionit shoqërues të projektligjit, theksohet se ky ligj bëhet për të mbrojtur garantimin e së drejtës kushtetuese të pronësisë, për të siguruar rivendosjen e saj në rastet e heqjes në mënyrë të padrejtë, në përputhje me parimin e sigurisë juridike dhe shtetit të së drejtës, si dhe të ushtrimit të së drejtës së shpronësimit të pronës përkundrejt një shpërblimi të drejtë. Lidhur me afatet e përcaktuara nga qeveria, në relacion theksohet se gjatë viteve 2013 dhe 2014 është evidentuar një shtim i ndjeshëm i numrit të kërkesave për njohje dhe kthim prone të rivendosura në afat, bazuar në vendimet gjyqësore.

Për rrjedhojë, shqyrtimi i tyre nuk mund të përfundojë brenda afatit të parashikuar. “Në këto kushte, lind si domosdoshmëri shtyrja e afatit të përfundimit të procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave përtej datës 30.4.2014, të parashikuar në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve”, të ndryshuar, duke përcaktuar si datë të përfundimit të tij datën 30.4.2015. Në vijim të sa thamë më sipër, është parashikuar edhe ndryshimi i nenit 28, të ligjit aktual, për shtyrjen e afatit të miratimit nga Këshilli i Ministrave të fondit të pronave, pasuri të paluajtshme shtetërore, të cilat vihen në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për procesin e kompensimit fizik të pronave, deri në datën 30.4.2015”, përcaktohet në relacionin e projektligjit për pronat.

Drafti
Projektligji përcakton se shtyrja e afatit do të bëhet për shkak se është rritur ndjeshëm numri i dosjeve për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Në nenin 1 parashikohet shtyrja e afatit të trajtimit të kërkesave të paraqitura tashmë për njohje, kthim dhe kompensim të pronave, deri më 30.4.2015. Ndërsa në nenin 2 parashikohet shtyrja e afatit të krijimit dhe miratimit të fondit të pronave, pasuri të paluajtshme shtetërore, që vihen në dispozicion për kompensim fizik, deri më 30.4.2015, me qëllim përgatitjen e finalizimit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave brenda afatit të parashikuar në nenin 1 të këtij projektligji. 

Shkrimi u publikua sot (29.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)