Drafti, ku ndahen PS - LSI
PD për reformën në drejtësi

Drafti, ku ndahen PS - LSI<br />PD për reformën në drejtësi
TIRANE- Tre do të jenë draftet mbi të cilat do të nisë punën Komisioni i Venecias, përpara se të përgatisë komentin përfundimtar për reformën në sistemin e drejtësisë. Drafti i ekspertëve, opinioni i opozitës dhe propozimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët u diskutuan dje në komisionin ad hoc, ndryshojnë nga njëri-tjetri dhe jo pa qëllim arritja e konsensusit ka qenë një proces i pamundur.

Dy partitë e mëdha, PD dhe PS janë gjithnjë e më larg gjetjes së kompromisit për formulën e votimit të anëtarëve të institucioneve kushtetuese, ndërsa LSI nga ana tjetër, është e mendimit se më i rëndësishëm sesa numrat, është konsensusi në të cilin duhet të përfshihet edhe opozita. Debat ka shkaktuar edhe çështja e mandatit të Prokurorit në detyrë, ku palët interpretojnë në mënyrë të ndryshme komentin e Venecias.

Por për këtë pikë, duket se ka një dakordësi mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të mos ndërprerë mandatin e Kryeprokurorit, Adriatik Llalla, ndryshe nga propozimi i ekspertëve të nivelit të lartë që parashikon procedurën e zgjedhjes së një prokurori të ri brenda 2 muajve nga ngritja e Këshillit të Prokurorisë. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese, është një tjetër pikë që përplas mazhorancën PS-LSI.

Ndonëse ekspertët e nivelit të lartë propozojnë që 9 anëtarët e Kushtetueses emërohen 3 nga Presidenti, tre nga Kuvendi dhe tre anëtarë nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Lartë Administrative, në amendamentet e ekspertëve të LSI thuhet se trupa e Kushtetueses duhet të emërohet e gjitha nga Presidenti i Republikës. LSI ka vërejtje edhe për rolin e Ministrit të Drejtësisë. Drafti i ekspertëve të nivelit të lartë, sipas LSI, rrezikon të krijojë një ministri drejtësie paralele.

LSI propozon që funksioni i inspektimit, kur i hiqet KLD-së, siç parashikon dokumenti i ekspertëve të nivelit të lartë, t’i mbetet Ministrit të Drejtësisë. Ekspertët e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë vërejtje edhe për numrin e lartë të institucioneve që krijohen nga paketa e ndryshimeve Kushtetuese, ndërsa gjithashtu ata propozojnë edhe një reduktim të ndërhyrjeve në nenet e Kushtetutës, pasi drafti i ekspertëve të nivelit të lartë parashikon prekjen e ligjit themeltar të shtetit në plot 57 nene të tij. 
 

Gjykata Kushtetuese

Ekspertët e nivelit të lartë: Kushtetuesja përbëhet nga 9 anëtarë, tre prej të cilëve emërohen nga Presidenti, tre nga Kuvendi dhe tre anëtarë nga Gjykatës së Lartë dhe Gjykata e Lartë Administrative. Gjykata Kushtetuese nuk mund të shpallë antikushtetues një ligj të miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës, përveç kur shkelet procedura.

Ekspertët e LSI: Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarët. E gjithë trupa zgjidhet nga Presidenti, me propozim konsensual të grupeve parlamentare.
Ekspertët e PD: Drafti i ekspertëve nuk respekton komentin e Komisionit të Venecias mbi heqjen e mundësisë së Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar në ligj rishikues në Kushtetutë.
 
Prokurori

Ekspertët e nivelit të lartë: Prokurori i Përgjithshëm emërohet brenda 2 muajve pas konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por jo më vonë se data e përfundimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë. Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë deri në emërimin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm sipas këtij ligji, me përjashtim të rastit kur mandati i Prokurorit të Përgjithshëm ndërpritet sipas parashikimeve të nenit 179/b.

Ekspertët e LSI: Mbështesim mendimin e Komisionit të Venecias se mandati i institucioneve duhet të ndërpritet vetëm në ato raste kur institucioni, pas amendamenteve kushtetuese, nuk ekziston më.
Ekspertët e PD: Drafti nuk respekton komentin e Komisionit të Venecias mbi mungesën e nevojës së ndërprerjes së mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm.    
 
Formula e Votimit
Ekspertët e nivelit të lartë: Funksionarët e sistemit të drejtësisë zgjidhen me shumicë të cilësuar prej 3/5 të Kuvendit.

Ekspertët e LSI: Sugjerimi i Venecias nuk lidhet detyrimisht me shumicën e cilësuar, por me përfshirjen e opozitës në procesin e emërimit dhe në një vendimmarrje konsensuale.
Ekspertët e PD: Zgjedhja me 3/5 e votave të anëtarëve të Kuvendit, rrezikon çimentimin e kapjes politike të sistemit.  
 
Presidenti

Ekspertët e nivelit të lartë: Emëron anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës së Lartë Administrative, me propozim të KLGJ. Ka të drejtë t’i kthejë propozimet vetëm një herë.
Ekspertët e LSI: Duhet vetëm një Gjykatë e Lartë dhe jo një gjykatë e posaçme e lartë administrative. Këshilli i drejtësisë, në varësi të Presidentit.
Ekspertët e PD: Drafti deformon komentin e Venecias për rolin e Presidentit në emërimin e gjyqtarëve.
 

Opozita kontradiktore për referendumin e reformës në drejtësi
Basha: Të zhvillohen edhe zgjedhjet, Ristani: S’e lejon Kushtetuta
 
Ndonëse i pari që shprehu dakordësinë e referendumit për reformën në drejtësi ishte kryeministri Edi Rama, të njëjtin qëndrim do të ndante edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, por me ndryshimin që të zhvillohen edhe zgjedhjet e parakohshme. “Referendumi është vërtet një mundësi e shkëlqyer.

Referendumi e ka emrin zgjedhje të parakohshme, shansi që qytetarët të cilët me kohë e kanë grisur kontratën me Edi Ramën, të japin gjykimin e tyre përfundimtar për qeverisjen e tij të dështuar, të korruptuar dhe kriminale”, u shpreh Basha, duke akuzuar kreun e qeverisë se ka për qëllim të kapë sistemin e drejtësisë, duke shpërfillur Komisionin e Venecias dhe opinionin e gjerë ndërkombëtar për reformë konsensuale në sistemin e drejtësisë. Por, 2 orë më vonë nga deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike, deputeti i kësaj force politike dhe njëherazi anëtar i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Arben Ristani, deklaroi se referendumi është i pamundur.

Gjatë debateve në mbledhjen e parë të komisionit ad hoc që prej miratimit të draftit nga ekspertët e nivelit të lartë, Ristani shpjegoi se ligji aktual i referendumeve nuk mundëson zhvillimin e tyre. “Me ligjin aktual nuk mund të bëhet referendum për reformën në drejtësi. Nëse keni ndërmend të ndryshoni ligjin për referendumet atëherë po, por me këtë ligj ekzistues nuk mund të shkoni sepse ligji kërkon 1/3 e listës zgjedhore, pra 1.3 milionë, që të jetë pro dhe pjesëmarrjen e dyfishit të tyre në votime, pra 2.6 milionë votues. Ju e dini që kjo është e pamundur sepse në Shqipëri numri i votuesve pjesëmarrës është 1 milionë e gjysmë”, deklaroi Ristani.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)     

 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë