Sipas draftit, çdo subjekt që kërkon të eksportojë mbetje, të rrezikshme apo jo, duhet të pajiset me autorizim nga Ministria e Mjedisit, përmes një procedure të detajuar aplikimi, që përfshin dokumentacion teknik, kontrata dhe të dhëna të plota mbi destinacionin.
Një nga ndryshimet kryesore është se eksporti i mbetjeve për asgjësim ndalohet në parim, duke lejuar vetëm raste të kufizuara dhe të justifikuara kur nuk ka alternativa të tjera brenda vendit.
Drafti vendos gjithashtu një sistem të ri që kërkon njoftim paraprak dhe miratim nga autoritetet kompetente, si dhe gjurmueshmëri të plotë të mbetjeve, nga pika e origjinës deri në impiantin përfundimtar ku ato trajtohen.
Për të shmangur abuzimet, projektvendimi detyron kompanitë të vendosin garanci financiare ose sigurim, që mbulon jo vetëm transportin dhe përpunimin, por edhe kostot e mundshme në rast se dërgesa rezulton e paligjshme apo dështon.
Një tjetër element i rëndësishëm është kontrolli mbi destinacionin. Subjektet eksportuese duhet të provojnë se mbetjet do të trajtohen në mënyrë të sigurt, ndërsa impiantet pritëse do t’i nënshtrohen auditimeve të pavarura.
Për më tepër, eksporti i mbetjeve jo të rrezikshme drejt vendeve jashtë Bashkimit Evropian do të lejohet vetëm nëse këto vende janë në një listë të miratuar sipas standardeve evropiane, duke kufizuar destinacionet e mundshme.
Projektvendimi parashikon gjithashtu ndalime të qarta për raste të caktuara, si dhe mekanizma për kthimin e dërgesave që rezultojnë të paligjshme ose që nuk përfundojnë sipas planit, duke i ngarkuar kostot tek operatorët.
Në thelb, drafti synon të krijojë një sistem më të fortë kontrolli, të reduktojë trafikun e paligjshëm të mbetjeve dhe të rrisë transparencën përmes regjistrave dhe raportimit të detyrueshëm.
Ky projektvendim shihet si një hap drejt afrimit me standardet e Bashkimit Evropian në menaxhimin e mbetjeve.
Komente











