Mundësit e Kukësit, qytet që e ka traditë këtë sport, tani do të ketë një palestër shumë më dinjitoze. Këtë të premte është inauguruar palestra e re që ndodhet pranë stadiumit ‘Kukës Arena’ dhe që pritet t’i japë një tjetër hov këtij sporti në qytetin verilindor dhe më gjerë.

I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishte presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, i cili fillimisht falenderoi të gjithë ata që kontribuan në ndërtimin dhe pajisjen e palestrës, ndërsa theksoi rëndësinë që ka për qytetin dhe vetë mundjen shqiptare. Ai u shpreh se për Kukësin kjo është një ditë e veçantë, pasi po vihet në funksion një palestër model, moderne dhe me standarde bashkëkohore, e cila konsiderohet si më e madhja në Shqipëri për sportin e mundjes.

Gjatë ceremonisë Federata Shqiptare e Mundjes ndau edhe pllaka mirënjohjeje për figura që kanë dhënë kontribut të çmuar ndër vite. Me një vlerësim të veçantë u nderua Enklajd Malo, sponsor i tapeteve të palestrës, ndërsa një pllakë mirënjohjeje iu akordua edhe ish-trajnerit dhe mundësit të ndjerë Xhelal Domi, për kontributin dhe gjurmën që ka lënë në historinë e mundjes kuksiane. Vlerësimi iu dorëzua vëllait të tij, Abaz Domi, nga presidenti i federatës.

Palestra e mundjes në Kukës do të jetë qendra kryesore ku do të stërvitet ekipi i qytetit. Ajo pritet të shërbejë gjithashtu si një vatër e rëndësishme për zbulimin dhe formimin e talenteve të reja, duke e kthyer Kukësin në një nga pikat më të rëndësishme të mundjes shqiptare. Ky investim shihet si një tjetër hap drejt fuqizimit të infrastrukturës sportive në qytet dhe një mundësi më shumë që të rinjtë e zonës të orientohen drejt sportit dhe jetesës së shëndetshme.

Mundja është sporti i parë që i ka sjellë Shqipërisë medalje olimpike, ndërsa vetëm pak ditë më parë Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev fituan medalje të argjendta në kampionatin evropian të zhvilluar në Tiranë.