LAÇ - Shembja e urës së Skurajt, i mori jetën 22-vjeçarit Liman Balloku, orëve të mbrëmjes së të martës. Ndërsa sot, drama njerëzore e kalon dhimbjen e fatkeqësisë për familjen Balloku. Ndonëse reshjet kanë pushur, është sërish kjo urë që është bërë pengesë që i riu të përcillej për banesën e fundit.

Trupi i të riut ka qëndruar për rreth 15 orë në morgun e spitalit të Laçit, ndërsa është dashur ndërhyrja e Komunës dhe qarkut të Lezhës të cilët kanë siguruar një automjet të tonazhit të rëndë për të kaluar lumin.

Banorë të zonës si dhe kreu i Komunës Milot Behar Haxhiu tregojnë ngjarjen, duke i bërë apel shtetit që të ndërhyjë në këtë zonë ku reshjet kanë sjellë dëme të mëdha.

shembet ura

Nga ana tjetër të ardhur nga larg të afërm të një prej viktimave të motit të keq, prej orësh u bllokuan pak kilometra nga shtëpia e të riut, por në pamundësi për të mbërritur aty, për shkak të dëmtimit të urës së vetme lidhëse të fshatit Vinjoll.

Shembja e urës në këtë zonë ka izoluar 4 fshatra të Komunës së Milotit, ndërsa apeli i banorëve dhe drejtuesve vendor është që të ndërhyhet sa më shpejt për ndërtimin e urës.