Drejt civilizimit shkohet edhe me pahir

Drejt civilizimit shkohet edhe me pahir

Foto ilustruese

Prej kohësh ka ndodhur në shumë vende që pragu i ndryshimeve të thella të ballafaqohet me trazira shqetësuese dhe përpjekje për të paralizuar shtetin. Nga kjo dukuri e përgjithshme nuk bën përjashtim Shqipëria. Madje, aktualisht vihet re një kurbë më e lartë edhe se sa te fqinjët e saj, kur këtu një pakicë politike braktis Parlamentin në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë, me synimin për të përmbysur shumicës qeverisëse jo me votën popullore, por me qëndrime dhe veprime që mund të vlerësohen (pa e tepruar aspak) si tentativa për grusht shteti.

Kjo paligjshmëri komplekse për të mos njohur as rrugët institucionale, opozitën e ka lënë pa mbështetjen edhe të asaj pjesë të elektoratit të vet të dikurshëm. Ajo nuk është në gjëndje të demonstrojë as tubime masive të zhurmshme, pa le pastaj që të paraqesë qetësisht dhe qartësisht propozime të vlefshme për zhvillime më të efektshme të vendit. Në këto kushte, e vetmja alternativë që i ka mbetur asaj është t’i fryjë me tërë bulçitë një stuhie shpifjesh, që provohet me serialet në vijim ‘Babale’, ‘Nuhu’ etj., me shpresën e vakët të përçarjes së popullit dhe largimit të vëmendjes së tij nga interesi për reformat integruese. Sepse vetëm në këtë mënyrë beson se mund t’i afrohet marrjes së pushtetit, për të sabotuar sidomos ngitjen e organeve të reja drejtuese të sistemit të drejtësisë dhe për të shpëtuar kështu nga hetimi apo ndëshkimi i strukturave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kësaj stuhie të pashembullt, që arrin aq sa të transferohet edhe deri te kancelaritë e shteteve të tjera, si edhe në Parlamentin Evropian, mazhoranca qeverisëse duket se po përpiqet t’i vërë fre edhe nëpërmjet forcimit të politikës ndëshkimore.

Kur para pak ditësh Kryeministri Edi Rama postoi te statusi i tij në rrjetet sociale një plan të mazhorancës për hartimin e një paketë ligjore ‘Anti – Shpifje’, domosdoshmërinë e së cilës e justifikoi edhe me faktin se Shpifja dënohet me burg në 25 Shtete Anëtare të BE, ndërsa këtu do të vazhdojë të dënohet me gjobë, nga fronti opozitar u lëshuan piskama therrëse. Madje një nga emisarët e koalicionit të pakicës shqeu sytë dhe gojën: “Shpifja u dënokërka me burg? Ju kam thënë që është idiot!”. Nejse, meqë fyerjet midis nesh edhe publikisht nuk dëgjohen rrallë, le të mos humbim kohë dhe të hyjmë drejt e në temë...  

Përse është kodifikuar Shpifja si vepër penale? 
Ndryshe nga Fyerja, që mund të ndëshkohet kur dashja për të ofenduar tjetrin bëhet me vetëdije dhe prandaj cilohet zakonisht si vepër e dëmshme, për veprën penale të Shpifjes kërkohet që dashja e qëllimshme (në gjuhë juridike: dashje direkte e shkallës së parë) të karakterizojë sjelljen e individit, i cili sajon fakte të paqëna apo që pikërisht se është në dijeni të pavërtetësisë së informacionit, qëllimisht i përhap ato. Në raste të tilla, që përmbajnë në vetvete elementin subjektiv apo koefiçientin psikologjik, pra qëllimin, ligjvënësit përdorin shprehjen: “cënon nderin e tjetrit”. Çka do të thotë se për të bërë Shpifjen është e mjaftueshme që sjellja e dikujt të jetë e aftë të vërë në rrezik nderin e tjetrit apo të cënojë dinjitetin e tij personal. Prandaj, doktrina juridike e kualifikon atë më së shumti si vepër penale të rrezikshme.

Në këtë kuptim, legjislacioni penal i plot shteteve evropiane, për shembull i atij gjerman, në nenin 188 e përcakton Shpifjen krim, kur një politikani i sillen nga kryerja e kësaj vepre penale vështirësi thelbësore për zhvillimin e veprimtarisë së tij publike. Prandaj vuuajtja e dënimit për këdo që sajon dhe përhap qëllimisht, nëpërmjet një deklarate publike dhe me anë të medias, të dhëna të rreme ndaj një personi të tillë me reputacion shoqëror, parashikohet nga 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Ndërkohë që vetëm lëshimi i një deklaratë, të cilën përgojuesi i saj e di se është false, por e përdor për të dëmtuar reputacionin e personit apo për të rrezikuar besueshmërinë e tij, dënimi varjon nga gjobë deri në 2 vjet burg. Në këto nivele dënimi parashikon edhe legjislacioni austriak, mbrapa të cilit nuk mbetet përgjithësisht as kodifikimi në Itali, në Spanjë etj.   

Kështu, për një vepër penale të rrezikshme është kuptuar nga mjaft ekspertë penalistë edhe përmbajtja e nenit 120 të Kodit tonë Penal, përderisa për realizimin apo kryerjen e Shpifjes, më shpesh ndaj personave publik, e mjaftueshme është vënia në rrezik e të mirës juridike të mbrojtur nga dispozita. Një rrezik ky që është nënvleftësuar pothuajse tërësisht për vite të tëra nga klasa politike apo liderët e saj që mbanin pushtetin mbas vitit ’90, duke u lënë dorë të lirë për të vendosur të korruptuarve të sistemit të drejtësisë, të përgatitur si të tillë drejtpërdrejt prej tyre, deri sa Shpifja tani ka marrë dhenë. Ky konstatim po, nuk është Shpifje! Sikurse... 

E drejta e informimit s’është e pakushtëzuar
Është e vërtetë që ajo, si edhe liria e shprehjes garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (nenet 22 dhe 23) dhe po ashtu nga Konventa Evropiane e të Drejtave Themelore të Njeriut (neni 10). Mirëpo ato hasin në limite, pra në interesa të tjera, gjithashtu të garantuara nga Kushtetuta dhe KEDNJ, midis të cilave spikat (sigurisht, pas të drejtës së jetës) ajo e nderit, e kuptuar së bashku me atë të reputacionit apo dinjitetit. Madje, kur të gjitha të drejtat themelore u nënshtrohen disa kufizimeve, që në një shoqëri demokratike përbëjnë masa të nevojshme, termi ‘dinjitet’ nuk e ka humbur aspak vlerën si vlerë absolute e çdo qënieje humane, që nga përcaktimi i tij prej Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Sepse sipas saj: ”të gjitha qëniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta nga pikëpamja e dinjitetit dhe e të drejtave”.

Dhe, në qoftë se kjo Deklaratë, në natyrën e një akti rekomandues ka mbetur e paratifikueshme prej Shteteve Anëtare të Kombeve të Bashkuara, nuk mund të injorohet rregulli ligjor që del nga përmbajtja e Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, i cili është nga dokumentet e para të ratifikuara prej Shqipërisë që në nisje të instalimit këtu të sistemit pluralist. Konkretisht, në Preambulën dhe në dispozita materiale të tij theksohet si rregull ligjor, se: “...të drejtat rezultojnë prej dinjitetit të njeriut”.

Kështu pra, edhe liria e shprehjes, e drejta për të informuar dhe ajo për t’u informuar nuk mund të sakrifikojnë bazën e tyre: respektimin e dinjitetit imanent të çdo qënieje njerëzore, nga jeta e të cilëve nuk përjashtohen as njerëzit e thjeshtë, as funksionarët shtetërorë dhe as politikanët. Prandaj, liria e shprehjes dhe të drejtat për informim, që të konsiderohen të ligjshme duhet domosdoshmisht t’u përgjigjen disa kritereve. Për shembull, faktet e treguara dhe të publikuara në shtypin e shkruar apo në media të ndryshme të kenë interes publik; të paraqiten korrekstësisht, duke evituar agresionin ndaj reputacionit të të tjerëve; të përputhen me faktet e ndodhura sipas parimit të së vërtetës. Nga këto kritere mund të lexohet më mirë dhe të kuptohet më qartë edhe jurisprudenca e ngjeshur e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut me seli në Strasburg, që flet mbi detyrimet pozitive të Shtetit për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe të drejtat e informimit, në kontekst të marrëdhënieve me nenin 10 të Konventës.

Po kur gazetari lajthit për të vërtetën e faktit (error fact), ose kur autori i një lajmi apo artikulli i beson lehtësisht të vërtetës së prezumuar, çfarë do të ndodhte? Sigurisht, mungesa e dsshjes prej tij mund ta mbrojë nga paditja por edhe sikur kjo të ishte administruar në gjykatë, gazetari do të përjashtohej nga ndëshkimi material, sepse siç përcaktohet në Kodin tonë Penal: “...nuk ka përgjegjësi penale personi që vepron për të ushtruar një të drejtë apo përmbush detyrat e caktuara nga ligji”. Në ushtrim të një të drejte si ajo për të informuar, zë vend edhe kritika (derivat i lirisë së shprehjes) në gazeta apo në media, përpara të cilës bie poshtë kundërligjshmëria, sepse çdo gazetar ka të drejtë dhe detyrë të pasqyrojë realitein siç është, ashtu sikurse shoqëria ka të drejtë të informohet për çka ndodh rreth saj. Por nuk po zgjatemi këtu me kriteret e përmbushjes së normave të kritikës, ngaqë kjo u përgjigjet disa parametrave të ndryshëm, të cilët nuk i afrohen aspak sajimit dhe përhapjes së fake news, që janë shprehje e degradimit etik, profesional dhe politik të disa gazetarëve, që këtu i kanë të lidhura interesat ngushtësisht me pjesëmarrësit aktivë të koalicionit opozitar. Prandaj, kështu të bashkuar, këta janë të gatshëm t’u fryjnë edhe burive për... 

Një alarm fals
“Diktatura kundër lirisë së shprehjes është te porta! Ose flasim e ngrihemi sot kundër lirisë së shprehjes, ose nesër është vonë!” – kështu e ngritën zërin fundjavën e shkuar opozitarët “e devotshëm”, kur u muar vesh se mazhoranca qeverisëse po hartonte një paketë ligjore Anti – Shpifje. Të shqetësuar se kjo mund të kishte efekt frenues mbi gazetarët dhe mund t’i çonte ata drejt autocensurës, tundën e shkundën dy rekomandime nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (2014) dhe nga Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit parlamentare të zhvilluara në Shqipëri (2017), që bënin thirrje për shfuqizimin e dispozitave penale mbi shpifjen, për t’u dhënë përparësi zgjidhjeve juridike civile. Në të vërtetë një kërkesë e tillë është dëgjuar edhe nga Komisioni i Venecias që më 2002, por për vite të tëra, vetëm pas 10 vjetësh prej atëhere, këta politikanë që tani u paska hyrë frika në palcë e votuan korrektimin në Kodin Penal të Shpifjes (nga krim në kundërvajtje) pikërisht në prag të zbuarjes së forcës së tyre politike nga pushteti.

Paketa e shumëpërfolur intensivisht brenda 1 jave, ende nuk është publikuar, prandaj askush nuk ka të drejtë të japë opinione konkrete rreth përmbajtjes së dispozitave të saj, nëse ato do ta inkoropojnë Shpifjen në legjislacionin civil apo do ta rikonfirmojnë atë si vepër penale. Por ajo që është e sigurt ka të bëjë me efektet që mund të japë kjo paketë ligjore si terapi ndaj epidemisë së Shpifjes, shndërruar sidomos gjatë 5 viteve të fundit në formë endemike, e cila rrezikon që vendi ynë në mes të Evropës të rrijë ende shumë pas kohëve moderne dhe të refuzojë zhvillimet progresiste për të ardhmen e tij. Pra, kushdo që do ta përdorte Shpifjen si normë të sjelljes në shoqëri, le ta paguajë dëmin që u shkakton të tjerëve, pa çka se pastaj mund t’i shtrëngojë këpuca. Tek e fundit, drejt civilizimit shkohet edhe me pahir. Këtë e kanë provuar në kohë më të hershme më mirë dhe më shumë se sa shqiptarët e sotëm shoqëritë e zhvilluara të Perëndimit.                                                     
 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Drejtesia: 23/10/2018 15:52

    Teper i sakte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës