“Sot, Edi Rama paralajmëron instalimin zyrtar të oligarkisë së tij me paketën për drejtësinë që paraqet në Komisionin e Ligjeve. Me anë të kësaj pakete, Edi Rama synon të kapë e të kontrollojë politikisht çdo institucion të pavarur në vend.
Në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, jashtë programit dhe kalendarit të punimeve, pa diskutuar me opozitën e vendit dhe aktorët e sistemit të drejtësisë, Edi Rama dhe Ilir Meta, me ngut dhe në errësirë kërkojnë të miratojnë një paketë ligjesh për Drejtësinë.
Në mënyrë të paprecedentë Rama dhe Meta kane firmosur draftimin e një pakete ligjore që instalon edhe formalisht oligarkinë Rama-Meta. Kjo pakete
* Nuk është diskutuar asnjë minutë publikisht me asnjë nga aktorët e drejtësisë;
* Nuk është diskutuar asnjë minutë me asnjë nga partnerët tanë ndërkombëtarë që asistojnë reformat në drejtësi;
* Nuk është diskutuar asnjë minutë me Komisionin e Venecias, të cilit nuk i është kërkuar vlerësim për asnjë nga këto projektligje;
* Nuk ka asnjë gjë të përbashkët me asnjë nga modelet e funksionimit të drejtësisë me vendet e BE;
* Nuk adreson asnjë shqetësim të partnerëve tanë ndërkombëtar të pasqyruar në Progres Raportet e BE dhe Raportet e organizmave të tjerë ndërkombëtar, për forcimin e pavarësisë, eficencës dhe llogaridhënies së sistemit të drejtësisë.
* Nuk zgjidh asnjë shqetësim të qytetarëve shqiptar për funksionimin efikas të sistemit të drejtësisë dhe luftën ndaj korrupsionit në gjyqësor.
* Nuk është në përputhje me Kushtetutën e vendit, me standardet dhe parimet europiane të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor”, tha Halimi.
Duke akuzuar sërish qeverinë për futje të krimit në Kuvend, deputeti demokrat tha se me këto ligje synohet “gjunjëzimi i sistemit të drejtësisë”, në mënyrë që sipas tij qeveria të mos ndëshkohet kur shkel ligjin.
“Këto ligje të Edi Ramës kanë vetëm një qëllim; gjunjëzimin e sistemit të drejtësisë, që Qeveria të jetë e qetë se nuk ndëshkohet kur shkel ligjin apo dhunon të drejtat e qytetarëve.
Edi Rama kërkon të fusë nën sqetull drejtësinë, në mënyrë që grupi i tij kriminal në çdo nivel të qeverisjes deri në parlament, të ushtrojë i qetë aktivitetin pa pasur frikë nga ligji.
Ligjet e Ramës nuk sjellin asnjë impakt pozitiv në reformimin e sistemit të drejtësisë, por vetëm kontroll politik të këtij sistemi nga qeveria, qe nga emërimi i ndihmesa te gjyqtareve nga Edi Rama dhe deri ne pezullimin automatik te gjyqtareve me urdhër politik te Edi Rames.
Kjo paketë është një këmbanë alarmi për vendin. Eshtë minimi i garancisë kushtetuese që kanë qytetarët përballë kësaj qeveria që shkel ligjin, shkel të drejtat e qytetarëve, që nuk dëgjon fjalën e askujt”, u shpreh Halimi.
Më tej deputeti demokrat i ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të ndalojnë këtë skenar, duke e cilësuar si përpjekje të mazhorancës për të kapur politikisht drejtësinë. Po kështu PD, i ka bërë thirrje edhe mazhorancës që të tërhiqet nga ky skenar.
“Partia Demokratike i bën sot thirrje sot drejtpërdrejt Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri që të ndalojë skenarin antieuropian te mazhorances per te kapur politikisht sistemin e drejtësisë, nëpërmjet ligjeve tërësisht antikushtetuese, antieuropiane dhe tërësisht të pakonsultuar me aktorët vendas dhe partnerët ndërkombëtarë.
Partia Demokratike i bën thirrje të gjithë partnerëve ndërkombëtare që asistojnë reformën në drejtësi, të jenë në krah të parimeve europiane të ndarjes dhe balancës së pushteteve, për të ndalur skenarin e revanshit politik mbi drejtësinë.
Të jenë ne krah të këtyre parimeve dhe të kontribuojnë në hartimin e një Dokumenti Strategjik të përbashkët mbi reformën në drejtësi, që i paraprinë çdo ndërhyrje ligjore të pastudiuar, dhe që të garantojë pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe luftën ndaj korrupsionit.
Dëshirojmë t’i bëjmë të qartë gjithë opinionit publik shqiptar dhe të gjithë partnerëve ndërkombëtare ashtu si dhe gjate këtij muaji, se Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet për reformimin e sistemit te drejtësisë, bazuar në dy shtylla kryesore:
Reformimin e sistemit për të luftuar korrupsionin në drejtësi, për një gjyqësor profesionist dhe te pakorruptuar por po aq te pavarur nga politika dhe pushteti ekzekutiv. Kapja politike e sistemit te drejtësisë është armiku me i madh qe i kanoset nje demokracie funksionale ne vend.
Skenari i kapjes politike dhe nënshtrimit te sistemit te drejtësisë, pa pyetur për standarde dhe askënd mbi tokë, është skenar i rrezikshëm për demokracinë dhe vendin.
Partia Demokratike është e vendosur të ndjekë të gjitha rrugët demokratike për të moslejuar që vendi të rrëshqasë drejt oligarkisë, izolimit, dhe kapjes së sistemit të drejtësisë.
Për këtë, i kërkojmë edhe njëherë publikisht mazhorancës të tërhiqet nga ky skenar ogurzi, si dhe i kërkojmë faktorit ndërkombëtar të jetë në anën e parimeve dhe standardeve europiane për një drejtësi të pavarur, të paanshme, të pakorruptuar dhe eficente”, u shpreh deputeti Halimi.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)