Sipas tij, prania vendimmarrëse e ekspertëve të huaj në procesin e vettingut, cenon sovranitetin e Shqipërisë. Basha tha se edhe vetë kushtetutat e vendeve të tyre, ndalojnë rolin ekzekutiv në një vend tjetër.
"Gjithmonë kemi shprehur 3 gjëra. Moskapjen, sovranitetin dhe të drejtat e njeriut. Pra, mundësia për tu ankuar. Por, vazhdojmë të kemi kapje nëse shkelim sovranitetin me funksione ekzekutive të ndërkombëtarëve. Jemi investuar shumë deri tani te rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias për moskapjen. Komisioni i Venecias e ka detyruese moskapjen. Edhe vetë ndërkombëtarëve nuk ua lejojnë kushtetutat e vendeve të tyre rolin ekzekutiv dhe vendimmarrës në një vend tjetër. S'mund t'i japësh pushtet vendimmarrës dikujt që nuk jep llogari para qytetarëve shqiptarë", u shpreh Basha.
Ai tha se në propozimin e ri, PD ka inkorporuar 95% të draftit hibrid të propozuar nga SHBA dhe BE, pak ditë më parë. Basha përsëriti se ndërkombëtarët duhet të kenë rol monitorues dhe jo vendimmarrës në procesin e vettingut.
"Në këtë propozim inkorporojmë 95% të propozimit hibrid me të cilin kemi biseduar dhe me znj.Nuland. Shprehëm shqetësimin tonë për mosreflektimin e vërejtjeve të Komisionit të Venecias për rolin e misionit ndërkombëtar të monitorimit. Jo sepse PD ka mosbesim ndaj faktorit ndërkombëtar. PD dhe unë personalisht kemi thënë se nuk do të ketë votë të opozitës nëse nuk do të ketë mision ndërkombëtar të monitorimit. Por jo kompetenca kushtetuese. Të njëjtin qëndrim e ndava dhe me znj.Nuland. Nëse diçka nuk shkon mirë, ku mund ta drejtojë gishtin qytetari shqiptar te kryeministri i Finlandës? Apo te kryeministri i Suedisë? Projekti i reformës në drejtësi mund të përplaset me interesin e Edi Ramës", u shpreh Basha.
I pyetur për reagimin e ashpër të ambasadorit amerikan, Donald Lu, i cili tha se është i zhgënjyer me përgjigjen e z.Basha, kreu i PD theksoi se "ndonjëherë marrim vlerësimin e pamerituar, por asnjëherë nuk e marrim personalisht".
"Ambasadori amerikan ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Unë do të vazhdoj të jap kontributin tim sepse besoj fort tek një Shqipëri euroatlantike. Ne do të vazhdojmë të flasim hapur edhe kur biem dakord e kur nuk biem. Çështja për Gjykatën Kushtetuese negociatat le të vazhdojnë, ne jemi të hapur për këtë çështje. Jemi të hapur për mendime të tjera. Ndaj vlerësimin e ambasadorit amerikan për detajimin e kritereve për vettingun. Japim dhe do të japim kontributin tonë. Ndonjëherë marrim vlerësimin e pamerituar, por asnjëherë nuk e marrim personalisht", tha Basha.
Pyetje: Z.Basha, ambasadori amerikan është shprehur i zhgënjyer nga ju…
Basha: Ambasadori amerikan ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ne jemi në kushtet e një aleance strategjike për të cilat unë kam dhënë në të kaluarën, sot, e do vazhdoj të jap edhe nesër në detyrën time të ardhshme kontributin tim. Sepse besoj fort në një Shqipëri euroatlantike dhe në një Shqipëri pro-amerikane. Miqtë flasin hapur me njëri tjetrin, edhe kur bien dakord dhe kur nuk bien dakord. Dhe do të vazhdojmë të flasim hapur.
Pyetje: Mos është në kundërshtim me rekomandimin 61 të Komisionit të Venecias apo me ambasadorin?
Basha: Çështja e Gjykatës Kushtetuese është një çështje që meriton debat. Askush nuk ka thënë që propozimi ynë është i shkruar mbi gur. Negociatat le të vazhdojnë. Ne jemi të hapur për këtë çështje. Ekspertët tanë besojnë se përfshirja e Gjykatës Kushtetuese është në përputhje me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Por jemi të hapur për mendime të tjera dhe mirëpres vazhdimin e negociatave. Sikundër, dua të ndaj me ju edhe vlerësimin e ambasadorin Amerikan për aspekte të veçanta të propozimit tonë, në veçanti të detajimit të kritereve për Vetingun. Pra ky është një proces negociatash. Mos jetoni me drama. Ne japim dhe do të japim kontributin tonë. Nganjëherë marrim vlerësimin e merituar, nganjëherë marrim vlerësimin e pamerituar por asnjëherë nuk e marrim personalisht. Falemnderit.
Deklarata e plotë e Bashës pas mbledhjes së grupit parlamentar