Reforma në Drejtësi dhe dosjet e përbashkëta të bandave kriminale të trafikut të drogës mes Italisë dhe Shqipërisë kanë çuar paraditen e sotme në Prokurorinë e Përgjithshme ambasadorin italian në vendin tonë, Alberto Cutillo.

Ky i fundit ka zhvilluar një takim të shkurtër rreth 30 minuta me Kryeprokuroren e Përgjithshme, Arta Marku, të cilës i ka shprehur gatishmërinë dhe mbështetjen totale për goditjen e grupeve kriminale, që veprojnë në vend, por edhe më gjerë.

Report Tv mësoi se kryediplomati italian diskutoi me kryeprokuroren Marku edhe për shumë dosje të tjera të përbashkëta mes shtetit italian dhe shqiptar, që përfshijnë grupet e trafikut të marijuanës dhe kokainës mes dy vendeve. 

Një tjetër temë e nxehtë e diskutuar mes dy zyrtarëve të lartë ishte dhe Reforma në Drejtësi. Report Tv mësoi se ambasadori Cutillo ka ofruar mbështetje për zbatimin e kësaj reforme mjaft të rëndësishme, që pritet të luftojë korrupsionin dhe krimin në vend. Nga ana e saj, Kryeprokurorja Marku vuri theksin te Vettingu, si një ligj shumë i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Në kronologjinë e takimeve të Kryeprokurores Marku me ambasadorët, i pari është ai me kryediplomatin e SHBA, Donald Lu, pastaj me ambasadoren e Gjermanisë, dhe i treti në radhë ka mbërritur Cutillo.

Ndërkohë, ditën e sotme pritet që kryeprokurorja të ketë një axhendë të ngjeshur, ku do të ketë një rokadë të një pjese të punonjësve të komanduar nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Lëvizjet kanë nisur prej mëngjesit, ku Arta Marku emëroi këshilltar në kabinetin e saj prokurorin Besnik Cani, ndërsa po gjatë ditës së sotme priten dhe shumë lëvizje të tjetra.

Njoftimi i Prokurorisë për takimin e ambasadorit Cutillo me kryeprokuroren Marku
Prokurori i Përgjithshëm, znj. Arta Marku dhe Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, z. Alberto Cutillo diskutuan paraditen e sotme mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Shqipëria e konsideron Italinë një partner shumë të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Në këtë kuadër, gjatë takimit, Prokurori i Përgjithshëm shprehu bindjen se Prokuroria Shqiptare dhe agjencitë ligjzbatuese italiane do të intensifikojnë koordinimin për hetime të përbashkëta dhe goditjen e grupeve kriminale që operojnë ndërmjet dy shteteve.

Prokurori i Përgjithshëm, znj. Marku, falenderoi diplomatin italian për angazhimin e tij personal dhe të vendit të tij për nxitjen dhe kontributin në hartimin e Reformës në Drejtësi. Zonja Marku theksoi rëndësinë e procesit të Vetingut në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke u shprehur se forcimi i integritetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve do të ndikojë edhe në rritjen e mëtejshme cilësore të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar.

Një tjetër temë e rëndësishme diskutimi ishte zbatimi i plotë i ligjit “Për Dekriminalizimin”. Ambasadori italian shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për realizimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të verifikimit të integritetit të zyrtarëve shqiptarë.

d.c./shqiptarja.com