Serbia ka mbyllur përfundimisht marrëveshjen me kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, për ndërtimin e një kompleksi luksoz në qendër të Beogradit, në vendin ku ndodhet ish-Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë jugosllave, i bombarduar nga NATO në vitin 1999.
Ministrja serbe e Ndërtimit, Aleksandra Sofronijeviç, konfirmoi për median “Insajder” se marrëveshja për ndërprerjen e kontratës është nënshkruar këtë të hënë, më 16 nëntor, dhe se asnjëra palë nuk ka pretendime ndaj tjetrës.
“Sot u nënshkrua marrëveshja e ndërprerjes, e cila mbyll zyrtarisht procedurën e ndërprerjes së kontratës, në përputhje me vendimin e qeverisë serbe të gushtit të këtij viti. Palët kontraktuese nuk kanë asnjë pretendim ndaj njëra-tjetrës”, deklaroi Sofronijeviç.
E pyetur nëse qeveria serbe ka gjetur një investitor tjetër për këtë projekt apo nëse kompanisë së Kushner i është ofruar një truall tjetër, ministrja tha se nuk ka dijeni për një marrëveshje të tillë. Marrëveshja mes Serbisë dhe kompanisë amerikane Atlantic Incubation Partners LLC ishte nënshkruar në maj të vitit 2024. Sipas saj, kompania e lidhur me Kushner do të zotëronte 77.5% të projektit, ndërsa shteti serb 22.5%.
Qeveria serbe kishte marrë përsipër t'i hiqte kompleksit statusin e monumentit të kulturës, të shembte ndërtesat ekzistuese dhe t'ia jepte truallin investitorit amerikan falas për 99 vjet, me mundësinë e kalimit të tij në pronësi pa pagesë.
Kompleksi u projektua nga arkitekti Nikola Dobroviç dhe u ndërtua mes viteve 1957 dhe 1965.
Në vitin 1999, ndërtesa u godit gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë, operacion që synonte ndalimin e dhunës dhe spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Për shumë serbë, rrënojat e ndërtesës janë kthyer në simbol të bombardimeve të NATO-s. Për arkitektët dhe specialistët e trashëgimisë kulturore, kompleksi përfaqëson gjithashtu një vepër të rëndësishme të arkitekturës jugosllave.
Më 24 mars 2025, në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, mijëra qytetarë protestuan në Beograd kundër projektit të Kushnerit.
Protestat u zhvilluan në një periudhë kur Serbia ishte përfshirë nga një lëvizje e gjerë kundër qeverisë së Aleksandar Vuçiçit, pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona.
Kundërshtarët e projektit kërkonin që ndërtesa të ruhej si monument historik dhe jo të shndërrohej në një kompleks komercial.
Më 7 nëntor 2025, Parlamenti serb miratoi edhe një ligj të posaçëm për të lehtësuar realizimin e projektit, pavarësisht pengesave ligjore.
Më 15 dhjetor 2025, Prokuroria serbe për Krimin e Organizuar ngriti akuza ndaj ministrit të Kulturës, Nikola Selakoviç, dhe tre zyrtarëve të tjerë, për shkelje të ligjit gjatë procedurave për heqjen e mbrojtjes së kompleksit.
Po atë ditë, kompania e Kushner njoftoi tërheqjen nga projekti duke argumentuar se projektet e mëdha duhet t'i bashkojnë njerëzit dhe jo t'i përçajnë.
Në gusht 2026, qeveria serbe mori vendimin për ndërprerjen e saj, por ky vendim u bë publik vetëm në nëntor.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Listës Studentore, Estela Radonjiç Zhivkov, ka kërkuar që kompleksi të ruhet dhe të rindërtohet. Ajo ka ngritur gjithashtu pikëpyetje se përse vendimi i qeverisë për ndërprerjen e marrëveshjes, i marrë që në gusht, është bërë publik vetëm tani.
Me vendimin e sotëm kontrata është mbyllur, por fati i ndërtesës mbetet ende i pazgjidhur.









Komente
Komento