“Ne jemi në Republikën e Shqipërisë dhe jo në republikën e ekspertëve. Unë nuk jam nga ata politikanë që fshihem pas ekspertëve, çfarë kam e them sepse në Shqipëri sa herë duam të justifikojmë ndonjë gjë fshihemi pas ekspertëve. Ekspertët kanë punën e tyre”-tha Manjani dje. Ai shtoi se procesi ka kaluar në një tjetër fazë, atë të kompromisit politik, dhe jo më në nivele ekspertize. “Ajo që rekomandon Komisioni i Venecias është fare e qartë. Konsensus politik për të ndërtuar një reformë gjithëpërfshirëse, për të ndërtuar një Kushtetutë minimaliste, për të ndërtuar një Kushtetutë të thjeshtuar.
Kjo është ajo që thotë Komisioni i Venecias dhe për këtë mendoj se është momenti për të çelur dialogun politik. Nuk është më çështjesh ekspertësh besoj unë. Ministri nuk do jetë aty ku ka thënë Venecia nuk do jetë dhe do jetë aty ku duhet të jetë”-tha Manjani. Kompromis politik është kërkuar dhe nga eksperti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili edhe pse në tryezë ka ardhur si ekspert, nuk heziton të flasë me gjuhë politike. “Me gjithë vullnetin tonë të mirë për të ofruar bashkëpunimin teknik për të gjetur zgjidhje teknike, kam dhënë si zgjidhje në tryezën e ekspertëve që çdo hap tjetër pa tejkaluar këtë lloj ngërçi, që mund të zgjidhet vetëm mbi bazën e kompromisit politik midis aktorësh politikë, drejtuesish kryesor, do të ishte thjesht dhe vetëm një kozmetikë”,-tha ish ministri i drejtësisë, Alibeaj.
Ai shtoi se nga mazhoranca nuk ka parë vullnet për zbatimin e rekomandimeve të Venecias. “Këmbëngulja që konstatova sot përgjatë gjithë debatit për të qëndruar fort, pas këtyre formulave që kapin politikisht sistemin e drejtësisë më ka dhënë të kuptoj sinjalin që nga mazhoranca nuk ka një dëshirë për të përqafuar dhe për të qenë konform atyre urdhërimeve, udhëzimeve, orientimeve, këshillave që Komisioni i Venecias ka dhënë”,-tha Alibeaj. Për demokratët nuk është e pranueshme që ekspertët të jenë vetëm kozmetikë, por shprehën gatishmërinë për një nivel më të lartë kontributi, duke lënë të kuptohet se janë gati për kontribut në nivel politik.
“Kjo ishte pra ajo çfarë ka ndodhur sot. Pa zgjidhur këtë çështje pjesëmarrja jonë do të ishte vetëm dhe thjesht kozmetikë. Nuk jemi për kozmetikë në komisionin ekspertëve dhe jo vetëm kaq, ne kemi treguar gjatë gjithë kohës që jemi të hapur të ofrojmë kontributin tonë më të lartë në këtë komision”,-përfundoi Alibeaj.
“Rusmali jo i LSI, eksperti më i mirë”
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka sqaruar për herë të parë se pse ai zgjodhi një ish ministër e deputet demokrat për të përfaqësuar ministrinë e tij në tryezën e reformës për këtë çështje. Sipas Manjanit, Rusmali nuk është përfaqësues i partisë së ministrit, por është përzgjedhur si një nga ekspertët më të mirë në vend për çështjet kushtetuese.
“Kam propozuar dy ekspertë, janë dy konstitucionalistët më të mirë që ka vendi, ata nuk përfaqësojnë ministrin e Drejtësisë, nuk përfaqësojnë as partinë e ministrit të Drejtësisë, përfaqësojnë veten e tyre, ekspertizën e tyre janë më të mirët që kemi, jua siguroj këtë dhe besoj se e nderojnë procesin e diskutimit për reformën në drejtësi dy konstitucionalistët më të mirë që ka vendi”-tha Manjani. Ai lartësoi ekspertizën e Rusmalit, duke justifikuar praninë e tij pavarësisht aktiviteteve të mëparshme politike.
Formula e zgjedhjes së gjyqtarëve me 3/5 fut palët në ngërç
Anastasi: Anëtarët e Kushtetueses zgjidhen me formulën 3+3+3
Formula politike e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka prodhuar ngërçin e parë mes palëve politike në nivel ekspertësh në tryezën për reformën në drejtësi. Ekspertët e të dy kaheve politike kanë rënë dakord me njëri-tjetrin për buxhetin e pavarur të Gjykatës Kushtetuese; zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate me shumicë absolute nga anëtarët; mandatin e tyre dhe përbërjen me 9 gjyqtarë. Por, ata nuk kanë kompromis sa i takon formulës së përbërjes së anëtarëve, e cila parashikohet të jetë me 3 anëtarë të emëruar nga Presidenti, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga mbledhja e Gjykatës së Lartë dhe e Gjykatës së Lartë Administrative.
Është pikërisht përfshirja e Gjykatës së Lartë Administrative, që kundërshtohet nga opozita, çfarë ka bërë që për këtë pikë të vendoset në një moment të dytë. “Formula mbizotëruese është ajo që parashikon kompetenca të ndara të organeve kushtetuese, për emërimin e 1/3-tës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ajo ka mbizotëruar dhe po mbetet ende deri më tani, pra formula 3+3+3”, tha Aurela Anastasi, eksperte e nivelit të lartë. Por opozita kundërshtoi fort edhe mënyrën e votimit të gjyqtarëve të kësaj gjykate me shumicë të cilësuar prej 3/5-tave, duke e lënë edhe këtë çështje me shumë gjasa për tu zgjidhur nga politika.
“Tre të pestat është një shumicë, që kap sistemin e drejtësisë. E kap sot, e kap edhe më vonë. Pa tejkaluar këtë lloj zgjidhjeje politike, këtë lloj ngërçi, që mund të zgjidhet vetëm përmes një kompromisi politik midis aktorësh politikë, do të ishte thjesht dhe vetëm një kozmetikë”, tha Enkelejd Alibeaj, ekspert i PD-së. Nuk u tha një fjalë përfundimtare nga ekspertët, edhe për shtimin e pikës F të nenit 131, ku thuhet se Gjykata Kushtetuese nuk mund të shpallë si antikushtetues një ligj të miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 janar 2016
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)