Përmes një letre që mban firmën e nënkryetarit demokrat në komisionin e posaçëm parlamentar, Eduard Halimi, PD thekson se reforma në drejtësi nuk është aksion, por duhet të jetë një proces i matur dhe me vigjilencë ndërkombëtare. Nga ana tjetër, komisioni parlamentar për reformën në drejtësi ka miratuar disa javë më parë draft-strategjinë vetëm me votat e mazhorancës, ndërkohë që 3 ditë më parë, opozita dorëzoi platformën e saj. Lëvizje këto që tregojnë se arritja e konsensusit mes palëve s’do jetë një proces i lehtë.
Por, duke paraparë rrezikun e thellimit të divergjencave mazhorancë-opozitë dhe në kushtet e një pamundësie kompromisi, Partia Demokratike i drejtohet ndërkombëtarëve që ekspertiza e tyre të vendosë fatet e reformës në drejtësi.
Letra
Pranë komisionit të përkohshëm parlamentar për reformën në drejtësi, ndodhet edhe platforma e Partisë Demokratike. Por drafti i demokratëve është pritur me ironi nga kryetari i komisionit të reformës, Fatmir Xhafaj, i cili e ka quajtur atë si 300 recetat e gatimit dhe kopje të draft-strategjisë në 90% të tij. Siç duket palët ndahen fort te formula e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, pasi siç është vendosur, kompetencat e kreut të shtetit në drejtësi, do të varen nga formula e zgjedhjes së tij.
Në këtë drejtim, nënkryetari demokrat i komisionit të Reformës në Drejtësi, Eduard Halimi krahas dokumentit të ekspertëve të opozitës në tre ambasadat kryesore në vend, SHBA, BE dhe OSBE, u ka dërguar një letër edhe ambasadorëve dhe misioneve pranë tyre. Burime pranë PD deklaruan dje për “Shqiptarja.com” se në këtë letër kërkohet që të jenë ekspertët ata që do të bëjnë mbivendosjen e dy drafteve dhe zgjidhjet më të mira t’u nënshtrohen tryezave publike.
“Procesi duhet të ketë një ecuri normale ku të shmangen zvarritjet. Axhendën e tryezave për të marrë mendimin e aktorëve dhe për ta implementuar atë në strategji, ta bëjë grupi i ekspertëve ndërkombëtarë dhe jo kryetari i komisionit të përkohshëm parlamentar”, thuhet në letrën e Halimit. Ndërkaq, burime pranë PD thanë për gazetën se ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin ka deklaruar se grupi i ekspertëve të EURALIUS po përgatit konkluzionet përkatëse për zgjidhjen më optimale.
Ndërsa ambasada amerikane në Tiranë ka kërkuar që në grupet e ekspertëve të jenë edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike. “Shpresat për një reformë konsensuale dhe jetëgjatë janë tek partnerët tanë ndërkombëtarë. Ndryshe ndodh ajo që e kemi thënë gjithmonë, Rama do e bënte reformën si të donte”, u shprehën burime pranë PD.
Demokratët kërkojnë që të gjithë anëtarët e institucioneve kushtetuese deri tek Prokurori i Përgjithshëm dhe kreu i ILDKP të zgjidhen me shumicë kushtetuese prej 93 votash, ndërkohë që në strategjinë e shumicës vetëm anëtarë e Gjykatës Kushtetuese kërkohet të zgjidhen me shumicë të cilësuara dhe jo me 84 vota.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Shtator 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)