Policia Rrugore e Vlorës ka bërë bilancin për 20 ditët e para të tetorit. Gjatë kësaj periudhe janë vendosur 5005 gjoba për shkelje të Kodit Rrugor, mes tyre për drejtim mjeti në gjendje të dehur, tejkalim shpejtësie apo përdorim celulari
Po ashtu 25 drejtues mjetesh të arrestuar dhe hetuar në gjendje të lirë.
Në njoftim theksohet se blutë gjithashtu kanë bllokuar 27 patina.
Njoftimi i policisë:
Policia Rrugore në Vlorë dhe në Sarandë vijon kontrollet 24/7 në të gjitha akset rrugore, në kuadër të masave të shtuara për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.
Kontrollet janë përqendruar në akset urbane dhe zonat me qarkullim të dendur të mjeteve dhe të këmbësorëve, duke përfshirë testet e alkoolit, verifikimin e dokumentacionit të mjeteve, përdorimin e celularit, vendosjen e kaskës mbrojtëse dhe të rripit të sigurimit.
Gjatë periudhës 01–20 tetor 2025:
Janë arrestuar/proceduar penalisht 25 drejtues mjetesh (14 të arrestuar në flagrancë për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 2 të proceduar në gjendje të lirë për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 9 për drejtim mjeti pa leje drejtimi);
Janë vendosur 5005 masa administrative, ndër to: 1455 për tejkalim të shpejtësisë, 430 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 354 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 127 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe 2639 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor;
Janë bllokuar 27 patina (mjete elektrike lëvizëse).
Policia Rrugore e Vlorës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin parakalimet e gabuara, përdorimin e celularit gjatë drejtimit dhe drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit.
Komente








