Pediatrja e Spitalit Rajonal të Vlorës, Aida Koka ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të pacientëve që u paraqitën gjatë fundjavës. Ajo sqaron se rastet e para u paraqitën ditën e premte, ndërsa numri i tyre u shtua gjatë ditës së shtunë. Pacientët shfaqën dhimbje barku, të vjella, diarre dhe në disa raste temperaturë.

“Gjatë ditës së premte janë paraqitur disa persona me shenja të një infeksioni viral të shoqëruara me simptoma gastrointestinale. Megjithatë, rastet e tjera janë paraqitur edhe gjatë ditës së shtunë. Fatmirësisht, asnjë prej rasteve nuk ka qenë i komplikuar. Të gjitha rastet kanë pasur ecuri të mirë dhe janë zgjidhur, ndërsa disa prej pacientëve kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore pranë spitalit.”- tha pediatrja.

Mjekja thekson se aktualisht situata paraqitet e qetë, të gjithë pacientët janë stabilizuar dhe janë kthyer pranë familjeve të tyre.

“Aktualisht, situata paraqitet e qetë. Të gjithë pacientët janë stabilizuar dhe janë kthyer pranë familjeve të tyre. Simptomat e shfaqura kanë qenë kryesisht dhimbje barku, të vjella, diarre dhe, në disa raste, temperaturë.”- u shpreh Koka.

Sa i përket shkakut të problemeve shëndetësore, pediatrja bën të ditur se ai mbetet ende nën hetim nga Instituti i Shëndetit Publik. 

"Shkaku i këtyre rasteve është ende nën hetim nga Instituti i Shëndetit Publik. Nga ana jonë, janë kryer edhe analizat përkatëse spitalore. Për momentin, situata është nën kontroll dhe nuk ka arsye për alarm."- tha pediatrja.


Lajmi kryesor:

VLORË/ 68 persona në spital me të vjella dhe dhimbje barku, mes tyre 5 fëmijë! Dyshime për ndotjen e ujit, banorët denoncojnë erën e rëndë, drejtori i Ujësjellësit: Analizat në 22 pika nuk tregojnë probleme fiziko-kimike (VIDEO)