Drejtimi i "ekonomisë" në OSBE Akuza personale Bumçi-Bushati
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati prezantoi në Komisionin e Jashtëm propozimin e qeverisë për ndryshimet në ligjin për shërbimin diplomatik. Prezantimi i ligjit u kthye në debat të fortë mes mazhorancës dhe opozitës në komision për çështje thelbësore të ligjit që kanë të bëjnë me rolin e Presidentit dhe Parlamentit në procesin e emërimit të diplomatëve. Po ashtu vëmendje të veçantë mori edhe raporti që kanë individët që emërohen brenda dhe jashtë shërbimit. VIDEO
TIRANË - Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka prezantuar në Komisionin e Jashtëm ligjin e shumë përfolur të shërbimit diplomatik, prezantim që është shoqëruar me debate të forta mes maxhorancës dhe opozitës.
Projekt-ligji parashikon që Presidenti të ketë një afat për tu shprehur për propozimet, ndërsa roli i kreut të shtetit është formal në procesin e emërimeve të ambasadorëve. Ligji parashikon se raporti mes individëve që vijnë nga shërbimi dhe jashtë tij nuk përcaktohet pasi sipas minsitrit Bushati, emërimet do të behën sipas meritokracisë. Po ashtu ministri Bushati tha se duhet parashikuar që Parlamenti të ketë rol më diskret në procesin e emërimit të ambasadorëve.
Për nënkryetarin e Komisionit të Jashtëm, deputetin Aldo Bumçi ndryshimet ligjore cenojnë themelet e shërbimit diplomatik dhe të marrëdhënieve institucionale në vend.
Ja akuzat personale Bumçi-Bushati Debati më i ashpër mes ministrit Bushati dhe deputeti Bumçi u shënua gjatë seancës dëgjimore me ministrin për refuzimin që ka bërë Shqipëria në lidhje me drejtimin e komitetit ekonomik. Debati u artikulua edhe në akuza personale.
Debati në Komision
Aldo Bumçi: Ti je ministri më dhunues në qeveri. Stafi jot ankohet se po i bën presion gjatë punës. Ditmir Bushati: Ti ke qenë i vetmi ministër i jashtëm që ke pasur edhe gruan aty që ishte drejtoreshë. Unë bashkëshorten tënde nuk e kam dhunuar, ajo ka ikur vetë nga puna.
Aldo Bumçi:Ti je turpi i diplomacisë, je njeri i vogël. E refuzove drejtimin e komisionit në OSBE për interesat e tua të vogla, vetëm e vetëm se nuk të pëlqen ambasadori. Ditmir Bushati:Refuzimi i drejtimit të komisionit në OSBE ishte vendimi im, pasi është një organ pa peshë të rëndësisshme. Ne synojmë që në vitin 2017 të marrim drejtimin e OSBEsë së bashku me Austrinë.
Ndërkaq Komisioni i Jashtëm kaloi diskutimin në parim të projektligjit për shërbimin diplomatik ndërsa diskutimi nen për nen i tij pritet të shqyrtohet pas seancave dëgjimore me grupet e interesit.